Kërcënimet joserioze të PDK-së për zgjedhje
Foto: Laura Hasani

Kërcënimet joserioze të PDK-së për zgjedhje

Aktuale March 13, 2019 - 07:50
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Deklaratat e zyrtarëve të lartë të PDK-së se do të mundin ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të mosheqjes së taksës ndaj mallrave serbe nga kryeministri Ramush Haradinaj vlerësohen si joserioze dhe të pabaza. Analistët politikë në vend thonë se deklaratat e tilla janë vetëm lojëra fjalësh, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Meqë kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon të mos heqë dorë nga vendimi për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, partneri më i madh i koalicionit qeverisës, PDK-ja, ditëve të fundit ka nisur ta paralajmërojnë shefin e ekzekutivit për një rrëzim të mundshëm të Qeverisë që ai drejton.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, para dy ditësh tha se nuk do të rrijë as dy ditë në një qeveri e cila i cenon raportet me SHBA-në.

Ndërkohë, mospezullimi i taksës sipas PDK-së i dëmton dukshëm raportet me bashkësinë ndërkombëtare. Se PDK-ja mund ta çojë vendin në zgjedhje për vetëm dy ditë ka pohuar për “Zërin” edhe anëtari i Kryesisë së këtij subjekti Xhavit Haliti.

Teksa ka komentuar deklaratat e tilla, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se nëse një subjekt i koalicionit dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje sigurisht se mund ta bëjë një gjë të tillë.

Por njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se paralajmërimet e PDK-së për rrëzim të Qeverisë janë vetëm lojëra fjalësh, asgjë më shumë. Kërcënimet e tilla të vazhdueshme nga ana e subjektit më të madh të koalicionit sipas tyre janë krejtësisht joserioze.

Haradinaj: PDK-ja e ka lehtë ta çojë vendin në zgjedhje

Teksa u është kundërpërgjigjur paralajmërimeve të zyrtarëve të PDK-së për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se PDK-ja mund ta bëjë një gjë të tillë po qe se dëshiron.

“Është e vërtetë që nëse një parti e koalicionit qeverisës, si rasti i PDK-së, e ka lehtë ta çojë vendin në zgjedhje. Kjo nuk është ndonjë çudi po besoj”, ka deklaruar dje shkurt shefi i ekzekutivit, kur është pyetur rreth paralajmërimeve të PDK-së për rrëzim të Qeverisë.

Ndërkohë, para dy ditësh lideri i PDK-së, Kadri Veseli, paralajmëroi rrëzimin e Qeverisë, si rrjedhojë e mosreflektimit të Haradinajt për çështjen e taksës.

“Dy ditë nuk rri në një Qeveri, e cila i dëmton këto raporte. Ky raport nuk ka të bëjë vetëm me disa shtete. Ka të bëjë në raport me të ardhmen e këtij shteti, e këtij kombi. Nuk mund ta imagjinoj zhvillimin e Kosovës, perspektivën e Kosovës, Ushtrinë e Kosovës, pa raportin me SHBA-në dhe me BE-në”, qe shprehur Veseli për mediet në Kosovë.

Nisma: Kurdo që të tjerët janë të gatshëm për zgjedhje, jemi edhe ne

Pavarësisht paralajmërimeve të PDK-së për rrëzim të Qeverisë deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka thënë se qQveria aktualisht është duke vazhduar dhe duke punuar jashtëzakonisht mirë.

Por sipas tij, kurdo që partnerët e koalicionit mendojnë se duhet shkuar në zgjedhje, Nisma është e gatshme ta bëjë një gjë të tillë.

“Ne nuk kemi parë kërcënime dhe nuk merremi me kërcënime të të tjerëve. Kurdo që janë të gatshëm ata, edhe ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”, ka theksuar Shala gjatë një prononcimi për “Zërin”.  

Por sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, nuk është hera e parë që partnerët e koalicionit kërcënojnë njëri-tjetrin me rrëzim të Qeverisë. Megjithëkëtë, siç ai ka konsideruar, paralajmërimet për rrëzim nga ana e PDK-së janë vetëm deklarime, assesi vepra konkrete.

“Nëse kanë konsideruar që është momenti të shkohet në zgjedhje të reja dhe që i fitojnë ato i kanë rrëzuar vetë qeveritë, vetë i kanë prishur koalicionet. Këtë herë mendoj se realiteti është ndryshe, nuk mendoj se ata janë të interesuar që të shkojnë në zgjedhje të reja, të shkaktojnë zgjedhje të reja, sepse e dinë që nuk fitojnë më, prandaj edhe kërcënimet e tilla nuk i konsideroj serioze”, është shprehur Kurteshi.

Për dallim prej partive në pushtet, opozita sipas deputetit të LVV-së, është ajo e cila e ka njëmend shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, ndonëse aktualisht nuk i posedon numrat e nevojshëm.

“Opozita duhet ta plotësojë një kusht, t’i bëjë 61 vota, por nuk i kemi. Prandaj duhet bërë përpjekje që të bëhen 61 vota për ta çuar vendin në zgjedhje”, ka potencuar ai. 

Kërcënimet mes partnerëve të koalicionit, lojëra fjalësh

Valmir Ismaili, nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, ka thënë se paralajmërimet për rrëzim të Qeverisë nga ana e PDK-së janë lojëra fjalësh që dy partnerët në Qeveri janë duke i përdorur, por që asnjëri prej tyre nuk është serioz në atë që e thotë.

Ndërkohë çështja e tarifës, siç ka vlerësuar ai, nga partnerët e koalicionit është duke u përdorur mirë për ta mbuluar keqqeverisjen, që është duke ndodhur në vend.  

“Pothuajse çdo ditë vendi përballet me skandale nga më të ndryshmet që lidhen me keqqeverisjen, përderisa partnerët në Qeveri tentojnë t’i mbulojnë me çështjen e taksës dhe të dialogut në përgjithësi. Pra, përderisa njerëzit në Qeveri e përdorin këtë amulli të krijuar për përfitime të klaneve të tyre të afërta, atëherë kërcënimet për zgjedhje të reja janë vetëm lojë fjalësh”, ka deklaruar ai.

Ismaili më tej ka vlerësuar se vendi është duke humbur shumë si rezultat i situatës së krijuar. Ndaj, siç ai është shprehur, do të duhej sa më parë të gjendej një zgjidhje për çështjen e taksës, i cili është bërë një problem që po i rrezikon marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Në aspekt pak më afatgjatë, subjektet politike do të duhej të uleshin dhe të vendosnin se cilat janë disa punë me të rëndësishme që mund të adresohen para mbajtjes së zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë të dakordohen që vendi të shkojë në zgjedhje brenda një periudhe të caktuar, sepse vazhdimi i qeverisjes në një formë të tillë është shumë i dëmshëm për vendin”, ka nënvizuar Ismaili.

Ndërkaq, gjersa ka folur rreth paralajmërimeve të PDK-së për rrëzim të Qeverisë, politologu Ramush Tahiri ka thënë se kërcënimet e partnerit më të madh të koalicionit duken të pabaza dhe politike.

Një gjë e tillë sipas tij po bëhet vetëm sa për ta mbajtur zgjuar vëmendjen e opinionit, porse aktualisht nuk ka as veprim praktik, as mundësi për t’u realizuar një gjë e tillë.

Kjo pasi sipas Tahirit, PDK-ja aktualisht nuk e ka përkrahjen e asnjë partie politike.

“PDK-ja nuk i ka 61 vota. Asnjë parti nuk po bashkëpunon me të, nuk ka aleat, as PSD-ja, as Nisma, as Aleanca, as Alternativa, as Lista Serbe nuk po bashkëpunojnë me PDK-në dhe PDK-ja e ka vështirë t’i bëjë 61 vota”, është shprehur ai.

Ndërkohë teksa ka folur rreth çështjes së taksës, Tahiri ka thënë se nëse Veseli është i sinqertë në kundërshtimin e tij dhe në paralajmërimin për rrëzim të Qeverisë, atëherë duhet ta çojë zyrtarisht në Qeveri propozimin për pezullim të tarifës.