Masat ndëshkuese të SHBA-së mund të shtohen

Aktuale February 23, 2019 - 11:42
Lexo tjera detaje

Njohësi i çështjeve politike Shkodran Ramadani ka thënë se dështimi i dialogut Kosovë - Serbi është dështim i agjendës amerikane dhe cenim i interesave të tyre.

Kësisoj, siç Ramadani ka vlerësuar, amerikanët janë bërë më agresivë në këmbënguljen e tyre për pezullimin e taksës. “Këto pasoja, siç është komentuar, mund të prekin disa elemente dhe procese kyçe që mundësojnë konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës. Ne e dimë se ligji që shndërroi FSK-në në ushtri u bë i mundur nga ShBA-ja, pavarësisht faktit se sekretari i përgjithshëm i NATO-s doli kundër”, ka deklaruar ai, shkruan Gazeta "Zëri".

Po ashtu, sipas tij reforma që FSK-në e shndërron në ushtri, e cila zgjat një dekadë, nuk është e mundur pa mbështetjen e SHBA-së. “Meqenëse ndihma amerikane për ushtrinë është edhe financiare, edhe materiale, këto programe të sigurisë janë anuluar si levë për presion mbi Kosovën. Po ashtu donacioni i automjeteve luftarake amerikane “Humvee” për Kosovën është vënë në pikëpyetje”, ka nënvizuar ai.

Ramadani më tej ka thënë se rrezikimi i marrëdhënieve me SHBA-në do të prodhonte pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Masa të tilla nga SHBA-ja, siç Ramadani është shprehur, pritet të afektojnë edhe sektorët tjerë, siç është ai i drejtësisë dhe i politikës së jashtme. “Qasja e tillë e amerikanëve mund ta prekë negativisht aftësinë diplomatike të Kosovës. Afirmimi ndërkombëtar i Kosovës është i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së. Pa përkrahjen e amerikanëve Kosova nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare”, ka theksuar ai, shkruan Gazeta "Zëri".

Prandaj insistimi i Qeverisë së Kosovës për të refuzuar me çdo kusht pezullimin e taksës sipas tij duhet të rimendohet. “Kërkesa amerikane për pezullim të Kosovës nuk duhet të shihet si kapitullim para Serbisë, por si hap që mundëson nisjen e një dialogu të udhëhequr nga partneri më i qëndrueshëm i Kosovës, SHBA-ja”, ka nënvizuar Ramadani./ZËRI