Mbi 40 asamblistë presin zhbllokimin e KQZ-së

Aktuale February 20, 2019 - 08:00
Lexo detajet
Image

Mbi 40 asamblistë të kuvendeve komunale në Kosovë janë në pritje për ta marrë detyrën, derisa KQZ-ja vazhdon të jetë e bllokuar tashmë një vit. Ndërkohë, edhe Rafet Rama është në pritje të marrjes së detyrës së deputetit në Kuvend pas dorëheqjes së deputetit Nezir Çoçaj, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në mars të këtij viti bëhen 12 muaj qyshkur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i pamandat dhe jofunksional, derisa sipas monitoruesve të këtij institucioni mbi 40 asamblistë janë duke pritur për t’u zëvendësuar në kuvende komunale të Kosovës.

LEXO EDHE: Tre muaj nga taksa, dialog s’ka

Në pritje për emërim është edhe Rafet Rama, i cili do ta marrë detyrën e deputetit pas dorëheqjes së deputetit Nezir Çoçaj nga PDK-ja.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në dhjetor të vitit të kaluar përmes një kërkese me shkrim pati kërkuar nga gjashtë grupet parlamentare (LDK, LVV, PDK, PSD, AAK dhe Nisma) që të propozojnë nga një përfaqësues për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Mirëpo një gjë të tillë e kanë kundërshtuar fuqishëm dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja dhe LVV-ja, të cilat thonë se u takojnë nga dy vende në KQZ.

Pavarësisht kërkesës së presidentit dy partitë opozitare i kanë dërguar për dekretim nga dy anëtarë. Mirëpo, pas këtij veprimi të presidentit Thaçi më nuk ka pasur lëvizje nga ana e tij për emërimin e këtyre anëtarëve.

E pavarësisht se gazeta “Zëri” ka kërkuar përgjigje me shkrim nga zyra e presidentit, të njëjtin nuk kanë pranuar të përgjigjen mbi këtë çështje. Ndërkohë, ish-përfaqësues të partive politike në KQZ, si dhe njohës të çështjeve politike e kritikojnë ashpër këtë vonesë, duke e cilësuar atë si lojë të presidentit Thaçi me një institucion që do të duhej të ishte i pavarur.

Sipas tyre, me mosfunksionimin e KQZ-së po dëmtohen edhe kuvendet komunale, të cilat janë duke pritur që të zëvendësojnë me dhjetëra asamblistë.

LVV: Thaçi qëllimisht po e mban të bllokuar KQZ-në

Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi, ka thënë për “Zërin” që zvarritja e funksionalizimit të KQZ-së për tashmë një vit po bëhet për shkak të mosseriozitetit të presidentit Thaçi për këtë proces.

“Në mars bëhet një vit qëkur KQZ-ja është jofunksionale dhe e bllokuar e presidenti nuk ka marrë asnjë vendim dhe nuk ka përmbushur përgjegjësitë që ka. E gjithë kjo zvarritje e qëllimshme është pasojë e papërgjegjësisë së presidentit, i cili nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij kushtetuese. Mbajtja peng e KQZ-së po bëhet për interesa të politikës ditore dhe në funksion të pazareve politike nga ana e presidentit”, ka thënë Rrustemi.

Rrustemi duke e kritikuar bllokimin e KQZ-së ka thënë që kjo gjë po e dëmton integritetin e këtij institucioni, por edhe funksionimin e kuvendeve komunale.

“Bllokimi i KQZ-së bie në kundërshtim edhe me Kushtetutën, edhe me Ligjin për Zgjedhje dhe ndërkohë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme si institucionale, edhe individuale nga mosveprimi. Shumë asamblistë presin më shumë se një vit për ta marrë detyrën, ndërkohë janë dëmtuar edhe kuvendet komunale nga moscertifikimi i këtyre asamblistëve, por edhe shumë projekte të KQZ-së janë bllokuar nga pamundësimi i funksionimit të saj”, ka thënë ai.

PDK: KQZ-ja duhet të funksionalizohet sa më parë

Ndërsa Ilir Gashi, ish-anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së, ka thënë që ndonëse nuk varet nga partia e tij se kur presidenti do t’i emërojë anëtarët e KQZ-së, një gjë e tillë sipas tij duhet të ndodhë sa më parë.

“Natyrisht që sa më shpejt të funksionalizohet puna e KQZ-së do të jetë në të mirë të punës që ne e kemi përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese, natyrisht duke i plotësuar edhe kërkesat që vijnë nga komunat për zëvendësimin e asamblistëve. Kështu që ne konsiderojmë se sa më parë që bëhet funksionalizimi i KQZ-së është më mirë, që të mos humbim kohë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ai mes të tjerash ka bërë të ditur që do të jetë përsëri anëtar i PDK-së në KQZ, por që kur do të emërohet mbetet në dorë të presidentit Thaçi.

Kurse deputetja nga radhët e AAK-së Time Kadriaj, duke e kritikuar mosfunksionalizim e KQZ-së për një kohë kaq të gjatë, ka thënë për “Zërin” që do të duhej sa më parë që këtij institucioni t’i rikthehej funksioni.

“KQZ-ja duhet të funksionalizohet sepse është një institucion mjaft i rëndësishëm dhe partitë politike varen nga KQZ-ja dhe do të ishte dashur që presidenti ta përfundojë tashmë këtë çështje. Po ashtu shumë asamblistë po presin të emërohen”, ka thënë ajo. Po ashtu Kadriaj ka theksuar që partia e saj tashmë ka dërguar emrin që do ta përfaqësojë AAK-në në KQZ.

LDK-ja thotë se KQZ-ja është bërë pjesë e lojërave të Thaçit

Në anën tjetër Sami Hamiti, ish-anëtar i KQZ-së nga ana e LDK-së, ka thënë për “Zërin” që presidenti Thaçi duke e mbajtur të bllokuar KQZ-në po e dëmton punën e kuvendeve komunale, si dhe institucionin e KQZ-së në përgjithësi.

“Sigurisht që po dëmtohet KQZ-ja, sepse një institucion i pavarur deri tash nuk ka qenë pjesë e lojërave pavarësisht se kush ka qenë president. Kemi 34 kërkesa për zëvendësim të anëtarëve të kuvendeve komunale që po presin me muaj dhe nuk janë kryer ende, është një deputet i cili është në pritje për dekretim, por që nuk është kryer për shkak të mosfunksionalizimit të KQZ-së”, ka thënë Hamiti.

Sipas tij, përderisa partitë politike kanë dërguar emrat në KQZ, ky proces është në dorën e presidentit Thaçi.

“Është hera e parë që presidenti bëhet palë në mosfunksionimin e KQZ-së. Ky proces është kryekëput në dorën e presidentit sepse partitë politike i kanë dërguar anëtarët për dekretim dhe kjo çështje po vazhdon që nga qershori i vitit të kaluar dhe KQZ-ja po mbahet e bllokuar që nga atëherë”, ka theksuar ai.

Alija: Thaçi po e bllokon KQZ-në për qëllime politike

Njohësi i çështjeve politike Rasim Alija, duke e folur për bllokimin e KQZ-së, ka vlerësuar që presidenti Thaçi është duke e mbajtur këtë institucion të bllokuar për qëllime politike, gjë që sipas tij përbën shkelje kushtetuese nga ana e presidentit.

“E gjithë saga e emërimeve të anëtarëve të KQZ-së ka pasur dhe ka ndikime politike. Presidenti qëllimisht e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese emërimin e anëtarëve të KQZ-së për të blerë kohë dhe për ta bërë funksionale si institucion kur do t’i konvenojë presidentit e rrjedhimisht PDK-së. Edhe dërgimi për interpretim në Kushtetuese e edhe vonesat tjera janë komplet politike”, ka thënë Alija për “Zërin”.

Alija mes të tjerash ka theksuar se mosemërimi i anëtarëve të KQZ-së e dëmton edhe punën e këtij institucioni, pasi që mbi 36 asamblistë po presin për t’u zëvendësuar.

“Jo vetëm që është shkelje ligjore e kushtetuese mosemërimi i anëtarëve të KQZ-së, por ka pasoja direkte në punën e vet kësaj trupe të pavarur. Mbi 36 asamblistë të pazëvendësuar, duke u shkaktuar probleme të legjitimitetit kuvendeve komunale, bllokim të planeve të punës së KQZ-së, moszhvillim të aktiviteteve të KQZ-së, duke e dëmtuar në masë të madhe cilindo proces zgjedhor që mbahet në të ardhmen”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se “anëtarët aktualë vazhdojnë të paguhen edhe pse u ka kaluar mandati e që praktikisht nuk ushtrojnë asnjë të drejtë për të marrë vendime brenda KQZ-së”.