Tre muaj nga taksa, dialog s’ka

Aktuale February 20, 2019 - 07:57
Lexo detajet!
Image

Të enjten bëhen tre muaj prejse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e taksës ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e nga Bosnjë e Hercegovina. Dje kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se masa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet pa pasur paraprakisht një marrëveshje për njohje të Kosovës nga Serbia. Në anën tjetër ndërmjetësuesja e dialogut Kosovë - Serbi, Federica Mogherini, ka bërë të ditur tashmë se nuk do të thërrasë rund të ri të bisedimeve derisa të mos pezullohet tarifa prej 100 për qind, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gjatë ditës së nesërme bëhen tre muaj prejse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e taksës ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e nga Bosnjë e Hercegovina.

Pavarësisht presioneve dhe kërkesave për ta hequr tarifën në fjalë, kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka ndërruar qëndrim rreth kësaj çështjeje, shkruan më tutje "Zëri".

Edhe gjatë ditës së djeshme kreu i ekzekutivit ka thënë se masa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet pa pasur paraprakisht një marrëveshje për njohje të Kosovës nga Serbia.

Në anën tjetër ndërmjetësuesja e dialogut Kosovë - Serbi, Federica Mogherini, ka bërë të ditur tashmë se nuk do të thërrasë rund të ri të bisedimeve derisa të mos pezullohet tarifa prej 100 për qind.

Ndërkohë takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi është mbajtur para më shumë se tre muajsh, gjegjësisht më 9 nëntor të vitit të kaluar.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se qëndrimi aktual i Qeverisë sa i takon tarifës mund të lëvizë vetëm nëse presioni i bashkësisë ndërkombëtare vazhdon të intensifikohet. 

Haradinaj: Taksa mbetet, Serbia ta njohë Kosovën

Gjersa ka pohuar se taksa do të vazhdojë të mbetet në fuqi, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë dje se njohja e shtetit serb ndaj Kosovës duhet të vijë si kërkimfalje për gjenocidin që është ushtruar në Kosovë.  

“Sa i përket taksës duhet ta kuptoni se ne jemi në rrugë drejt një marrëveshjeje finale me Serbinë. Nëse ne jemi në këtë etapë e fillojmë me hapa mbrapa do të na kërkohen plot hapa të tillë deri në fund. Nuk është veç taksa, ju siguroj. Nuk po bëhet fjalë vetëm për të, por po bëhet fjalë për parim. Nëse ne pranojmë që si viktimë të marrim kushte, ne do të përfundojmë shumë keq në finale”, është shprehur Haradinaj.  

Ndërkaq ndërmjetësuesja e dialogut Kosovë - Serbi, Federica Mogherini, ka deklaruar se pa u pezulluar taksa nuk do të ketë vazhdim të negociatave. Në momentin që krijohen kushtet për dialog ajo ka thënë se është e gatshme të punojë deri në arritjen e një marrëveshjeje mes dy palëve.

“Në momentin që krijohen kushtet jo vetëm që jam e gatshme që mëngjesin e ardhshëm ta organizoj takimin, por edhe të mbyllemi për aq kohë sa nevojitet: shtatë ditë, një ose tre muaj”, ka theksuar Mogherini.

Ndërkaq shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së djeshme përsëriti sërish kritikat ndaj Mogherinit, me ç’rast tha se ajo nuk e ka bërë transparent dialogun.

“Mogherini ka mbajtur një dialog të fshehtë. Ajo është mirë ta nxjerrë dialogun në tavolinë, si i ka hije. Mendoj se është mirë të vazhdohet dialogu”, ka potencuar i pari i Qeverisë.

Gaxherri: Vendimi për taksën, i pamatur

Vendimin dhe mënyrën se si është vënë taksa ndaj produkteve serbe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, e ka cilësuar si tejet të pamatshëm dhe të pakoordinuar.

LDK-ja sipas saj e kishte përkrahur vendimin për taksën në fillim, porse zgjidhja e vetme pas tërë mosmarrëveshjeve mes koalicionit qeverisës rreth kësaj çështjeje mund të vijë vetëm me shkuarjen e vendit në zgjedhje.

 “Prandaj LDK-ja me të drejtë çdo ditë e më shumë mendon që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Vërtet Kosova të ketë një qeverisje legjitime, e cila duhet të marrë vendime dhe t’i shtyjë tutje”, ka deklaruar ajo. Kosovën sipas saj duhet ta udhëheqë një qeveri legjitime dhe transparente e cila u jep zgjidhje shumë çështjeve. “Zgjidhja e shumë problemeve ditore dhe atyre nacionale janë zgjedhjet. Kjo Qeveri me këto sjellje dhe me këto përplasje mes tyre për t’u shtyrë se kush është më i fortë dhe se kush është bajraktari nuk shkon tutje”, është shprehur deputetja e LDK-së.

Lajçi: Kryeministri s’duhet të tërhiqet për taksën

Deputeti i LVV-së, Ali Lajçi, ka thënë se vendimi për vënien e taksës ka qenë i qëlluar dhe i drejtë. Taksa  sipas tij tregon që Kosova duhet të jetë shtet sovran dhe të vendosë për vendimet e veta, pa ndikime. Ndaj siç Lajçi është shprehur, Qeveria nuk duhet të zmbrapset nga ky vendim.

“Kryeministri nuk duhet të tërhiqet nga taksa, është  një vendim sovran e i drejtë. Do të duhej të shkohej edhe me vendime të tjera siç janë targat, tabelat e shumë vendime që shprehin sovranitetin mes shtetit të Kosovës”, ka theksuar ai.  

Trysni sipas deputetit të LVV-së duhet të bëhet pikërisht mbi Serbinë e jo mbi Kosovën.

“Taksa duhet të qëndrojë sepse kërkesa është nga ana e Serbisë që të hiqet taksa. Do të ishte mirë që trysnia të bëhej pikërisht atje ku pengesë e krejt rajonit dhe integrimeve evropiane që është Serbia dhe asaj t’i bëhen të gjitha trysnitë”, ka shtuar ai.   

Në anën tjetër Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se rezistenca e kryeministrit sa i takon taksës po vazhdon pavarësisht presioneve që po bëhen për heqjen e saj.

“Po e shohim që po vazhdon këmbëngulja e kryeministrit që taksa të mos pezullohet, pra po vazhdon ai qëndrimi që ka qenë në fillim. Është pak negative që nuk ka një qëndrim shtetëror edhe sa i përket asaj se a duhet të mbahet taksa ose a duhet të pezullohet. Pra nuk kemi një qëndrim as brenda koalicionit qeverisës lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar ajo.  

Situata e njëjtë sipas saj do të vazhdojë edhe më tutje. Pozicioni i Qeverisë, siç Haxholli ka deklaruar, mund të lëvizë vetëm nëse rritet shkalla e presionit ndërkombëtar.