Abrashi: Vendimi i Kushtetueses, pazar i madh politik

Aktuale February 06, 2019 - 08:03
Lexo tjera detaje
Image

Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës, njëherësh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se Gjykata Kushtetuese është e ndikuar politikisht pas vendimit të saj të fundit për mospërsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Prishtinës, shkruan Gazeta "Zëri".

Pas refuzimit të ankesës së tij në lidhje me zgjedhjet për kryetar të Prishtinës nga Kushtetuesja, Abrashi në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se ka pasur gabime dhe ndërhyrje gjatë procesit të shqyrtimit të lëndës. Abrashi më tej e ka kritikuar kryetarin aktual të kryeqytetit Shpend Ahmetin për mënyrën se si po e qeveris komunën më të madhe në vend. Deputeti i LDK-së po ashtu ka folur edhe për qeverisjen qendrore, me ç’rast ka thënë se vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kurse LDK-ja, sipas tij, aktualisht ka përkrahjen më të madhe qytetare.

Zëri: Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ankesën që keni bërë rreth zgjedhjes për kryetar të Prishtinës ju keni pasur një reagim, në të cilin keni thënë se Gjykata nuk është përgjigjur në atë çfarë ju jeni ankuar realisht. Si e keni parë këtë vendim të Kushtetueses?

Abrashi: Unë kam pasur kërkesa kundrejt një organi, Gjykatës Supreme e vendimeve që i ka marrë ajo dhe kam kërkuar në bazë të neneve përkatëse kushtetuese të trajtohen ato, derisa Gjykata Kushtetuese me aktvendimin e saj ka trajtuar jo kërkesën time, por aktvendimet e Gjykatës Supreme që është një praktikë, të cilën nuk e hasim askund në botë. Gjykata Kushtetuese vlerëson nëse ligjet janë në përputhshmëri, por jo nëse aktvendimet janë në përputhshmëri. Ka trajtuar diçka që nuk qëndron dhe ka ndërtuar një rast me shumë faqe, që vetëm të tregoj se kinse ka punuar. Pra është një rast i pabazë dhe shumë joprofesional. Unë bëj ftesë për debat publik rreth kësaj çështjeje. Ndërkohë, një institut gjerman tashmë është lajmëruar për këtë çështje të trajtojë rastin për një punim shkencor dhe do ta botojë në Angli e në Gjermani. Pasi të bëhet ai botim ne do të bëjmë edhe një tryezë shkencore në Prishtinë me të gjeturat e atij instituti sepse edhe ata janë të çuditur se çfarë ka ndodhur sepse Gjykata Kushtetuese në Prishtinë nuk i ka trajtuar fare opinionet e Komisionit të Venecias, që kanë qenë pesë dhe nuk i ka trajtuar fare së paku tri vendime të Gjykatës Kushtetuese në Gjermani, në Austri dhe në Zvicër për njollosje të proceseve zgjedhore sikurse që ka ndodhur në Prishtinë.

Zëri: Cilat mendoni se kanë qenë gabimet në aktvendimin e Gjykatës?

Abrashi: Këtu ka pasur gabime qysh nga fillimi. Lënda është dorëzuar në mars të vitit të kaluar dhe sipas rregullave të vet Gjykatës lënda është dashur të trajtohet në qershor më së largu. Vetë zvarritja e lëndës ka treguar se këtu ka ndërhyrje politike, sepse nuk mund të shpjegohet me arsye tjera. Ne kemi kërkuar që rasti të jetë i hapur sepse e garanton Rregulli i Transparencës së Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese ka thënë se ne kemi një rregullore, e cila parandalon këtë. Ka pasur shumë gabime dhe shumë ndërhyrje gjatë procesit.

 

Prishtina ka mbetur pa zot shtëpie

Zëri: Si e vlerësoni mandatin e dytë të Ahmetit në kryeqytet?

Abrashi: Në bazë të të dhënave nga raporti financiar dhe të punëve që kanë mbetur nga raporti i fundit financiar, i cili ka qenë ai i tetorit, janë 22 milionë euro deri në 25 milionë euro të pashpenzuara nga Komuna e Prishtinës. Po flasim për buxhet, i cili ka qenë në kuadër të buxhetit të Prishtinës. Me 22 milionë euro flitet për shkolla, për çerdhe, për rrugë të reja, për hapësira gjelbëruese, për hapësira sportive, të cilat nuk janë bërë shkaku i një menaxhimi të keq të parasë publike dhe të një mosinteresimi total të kryetarit të Komunës që të merret me Prishtinën, sepse tani ka gjetur një detyre të re, e cila është Brukseli dhe me atë po e maskon mospunën në Prishtinë. Unë mendoj që Prishtina është në rënie të lirë sa i përket zhvillimit të përgjithshëm, është në vullnetin e mirë të punëtorëve të administratës që të mos e lënë të degradojë më shumë, sepse pak a shumë Prishtina ka mbetur pa zot shtëpie.

Zëri: Z. Ahmeti është edhe pjesë e ekipit negociator në dialogun me Serbinë. A do të ndikojë apo si do të ndikojë kjo në qeverisjen e Prishtinës?

Abrashi: Mendoj se do të ndikojë shumë negativisht. Unë mendoj se e ka bërë me qëllim që të shpëtojë karrigen e vet dhe këtu ka qenë realisht edhe pazari, sepse po shohim edhe Ligji për Dialogun, edhe buxheti është votuar disa ditë larg vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ka pasur paralajmërime të tilla edhe në medie, të cilat kanë thënë se ky është kushti kryesor që të shpëtohet Prishtina. Fatkeqësia është që në këtë rast Prishtina do të humbë shumë, sepse kemi një kryetar i cili nuk po merret me Prishtinën, kinse po merret me Brukselin, por edhe në rolin e tij në Bruksel nuk shoh ndonjë sukses të madh. Takimi i fundit që e kanë pasur si delegacion shtetëror tregon shumë. Pra ka shkuar një delegacion shtetëror të takohet me këshilltarë.

Zëri: A do të kandidoni prapë si kryetar i Prishtinës dhe a mendoni se do të fitoni në zgjedhjet e ardhshme?

Abrashi: Unë mendoj se kam fituar edhe në zgjedhjet e kaluara, por po shihet që ka pasur pazare të mëdha dhe besoj se edhe vetë çarja e Vetëvendosjes ka qenë një pazar në vete. Edhe ajo që ndodhi javën e kaluar ka qenë shumë e turpshme se çfarë po ndodh në vendin tonë, ku institucionet që duhet të jenë të pavarura bëhen pjesë e pazarit politik. Unë e kuptoj politikën dhe i kuptoj pazaret në Kuvend, ku deputetët orientohen andej ose këndej. Por kur hyn në lojë edhe një institucion tjetër, kjo është e turpshme për një vend dhe frikësohem se kjo do të përmendet edhe në raport të progresit, edhe në vendet tjera dhe kjo është keq. Mbesin edhe disa vite deri në zgjedhje të reja. Unë mendoj se do të jenë vite të humbura për Prishtinën. Shpresoj që të ketë zgjedhje më herët. Nëse mendojmë ta shpëtojmë Prishtinën duhet të shohim alternativë që kjo të ndodhë sa më herët, sepse çdo ditë është e humbur për Prishtinën.

Kosova ka stagnuar në shumë procese

Zëri: Kohët e fundit ka pasur edhe deklarime për mundësinë e zgjerimit të Qeverisë së Kosovës ose për një qeveri teknike. A do të bëhet LDK-ja pjesë e një qeverie të tillë?

Abrashi: Ne insistojmë në një legjitimitet të ri të Kuvendit dhe në institucione tjera, pastaj një qeveri të re me energji të reja që kishte për të marrë procesin përpara, sepse të gjitha proceset kanë stagnuar, ka stagnuar edhe procesi i integrimeve evropiane, pastaj procesi i liberalizimit dhe ai i dialogut, ku kemi një presion të madh e të mos flasim për çështje të tjera, të cilat i përkasin Qeverisë, të cilat nuk po ecin fare. Kemi mbi 12 njohje që janë humbur, që është një gabim dhe politikë e keqe e Qeverisë sonë. Kemi pasur greva trejavore të sistemit arsimor dhe askush nuk është marrë seriozisht me këtë punë, që mendoj se ka qenë një humbje e madhe dhe e pariparueshme për tërë sistemin arsimor, e tërë ata nxënës e prindër që janë prekur. Qeveria ka gjetur një temë, së cilës po i ikën edhe punëve të cilave duhet për t’u marrë, në këtë rast është dialogu e taksa, ndërsa punët në të cilat është e thirrur ajo nuk po i trajton askush.

Zëri: A prisni se do të ketë zgjedhje në një të ardhme të afër dhe ku e shihni LDK-në?

Abrashi: Mendoj se zgjidhja më e mirë për vendin është që të fillojë  një start të ri për shoqërinë tonë, sepse mendoj që jemi ngufatur dhe është humbur shpresa te vendi, te institucionet dhe te politika në përgjithësi dhe vetëm me zgjedhje kjo mund të rifreskohet. Sondazhet tregojnë se ne jemi partia e parë, por ne nuk duhet të vetëkënaqemi, ne duhet të punojmë shumë në terren. Do të prezantojmë një platformë që është e kapshme dhe e realizueshme. Një platformë që do të bazohet në punësim dhe në zhvillim ekonomik. Sondazhet po na qesin mirë, por jona është të punojmë më shumë me qytetarë, të japim alternativë që ia kthen shpresën këtij vendi./ZËRI