S’ka zgjedhje, synohet marrëveshja me Serbinë

Aktuale February 06, 2019 - 07:58
Lexo tjera detaje
Image

Për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare vlerësohet se nuk ka ndonjë iniciativë serioze as nga opozita, por s’ka as përkrahje nga ndërkombëtarët për arsye se zgjedhjet mund ta vonojnë marrëveshjen me Serbinë, ndonëse të gjitha përpjekjet po bëhen që kjo marrëveshje të arrihet në gjysmën e parë të këtij viti, shkruan Gazeta "Zëri".

Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë ka nxjerrë në plan të dytë iniciativën për rrëzimin e  qeverisë “Haradinaj” dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për zgjedhje të parakohshme vlerësohet se nuk ka ndonjë iniciativë serioze as nga radhët e opozitës, por as përkrahje nga ndërkombëtarët, ngase zgjedhjet mund ta vonojnë marrëveshjen eventuale, ndonëse të gjitha përpjekjet po bëhen që kjo gjë të arrihet në gjysmën e parë të këtij viti.

Presidenti Hashim Thaçi është ai i cili po insiston në një marrëveshje të tillë, duke e përmendur edhe korrigjimin e kufijve me Serbinë, ndonëse opozita po e akuzon se i pari i shtetit po dëshiron t’ia falë shtetit fqinj komunat veriore të Kosovës në këmbim të sigurimit të ulëses në OKB.    

Edhe analistët politikë vlerësojnë se jetëgjatësia e kësaj legjislature është e lidhur ngushtë me procesin e dialogut Kosovë - Serbi, andaj pa përfundimin e këtij procesi s’ka as zgjedhje të parakohshme.

Haradinaj: Kemi dallime me partnerët e koalicionit, por na bashkon dialogu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së djeshme është pyetur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, me ç’rast ka thënë se me partnerët e koalicionit qeverisës kanë shumë dallime, por arritja e një marrëveshjeje me Serbinë i bashkon ata. “Keni parasysh se në koalicion qeverisës na ka lidhur kualiteti i zgjidhjes finale me Serbinë. Mund të kemi ndonjë gabim në hapa ose në etapa të caktuara, por të gjithëve na preokupon shija e marrëveshjes finale. Kemi dallim, por të gjithëve na preokupon shija e marrëveshjes. Se kur vendoset një marrëveshje finale obligative ligjore, atë shije do ta kemi gjithë jetën”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.

Me këtë rast ai ka vlerësuar se në asnjë formë nuk do të përkrahë asnjë individ të koalicionit ose ndërkombëtar, i cili në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë ka për qëllim ndarjen e vendit.

“Nuk i bashkohem askujt që e çon Kosovën kah ndarja. E kam bërë të qartë. Nuk jam me të, qofshin të brendshëm ose të jashtëm. Kush e çon vendin kah ndarja le ta marrë përgjegjësinë, por s’jam me të. Kushdo që janë, le ta dinë të gjithë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se nuk “do të lejojnë një mini-Rusi në Kosovë”, shkruan Gazeta "Zëri".

PDK: Do ta çojmë mandatin deri në fund

Kurse deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se ndonëse partia e tij nuk u frikësohet zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mbajtja e zgjedhjeve nuk është në interes të qytetarëve. Kësisoj deputeti i PDK-së vlerëson se qeveria “Haradinaj” do ta çojë mandatin deri në fund.
 

Mund të them lirisht që sa për opozitën aktuale të cilën e ka vendi ne nuk shkojmë në zgjedhje deri në përfundimin e mandatit, sepse opozita secilën herë është më e dobët në kërkesën e vet për zgjedhje. Nuk pres rezultate, sepse përndryshe do të kishin vepruar tashmë. Nuk ka interes për të shkuar në zgjedhje, vendi është në procese shumë serioze dhe duhet të jemi më unikë”, ka thënë ai.

Kurse lidhur me kërkesën e vazhdueshme të partive opozitare për zgjedhje, Beqa thotë se ato nuk janë serioze, pasi nuk ka diçka konkrete përpos deklaratave publike. “PDK-ja nuk u frikësohet zgjedhjeve. Përkundrazi, ne jemi të gatshëm çdoherë për të shkuar në zgjedhje, por kjo nuk është në interes të përgjithshëm. Opozita nuk i ka seriozisht kërkesat për zgjedhje, sepse po t’i kishte seriozisht merr iniciativa konkrete. Nëse e kanë seriozisht, ata duhet ta ngrenë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë. Deri më tash kemi parë vetëm deklarata, asgjë më shumë”, ka theksuar ai.

LVV: Qeveria teknike nuk ofron zgjidhje, duhen zgjedhje

Në anën tjetër deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për “Zërin” se duhet sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse ndodhet në krizë.  “Për ne qeveria teknike nuk ofron kurrfarë zgjidhje. Ne gjithmonë kemi thënë se në këtë situatë zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Ne ndërrimin e pushtetit e kemi parë përmes zgjedhjeve demokratike, të cilat aktualisht duhet të jenë zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse ju e keni parë atë që ndodhi gjatë miratimit të buxhetit, e cila ka qenë një seancë për të ardhur keq, seancë e pazareve”, ka thënë Kollçaku.
Sipas saj, zgjedhjet janë të domosdoshme, sepse koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën dhe vazhdimisht kushtëzohet nga partitë tjera.

Ndërsa Shqipe Pantina, nga PSD-ja, ka thënë se në rast të ngritjes së ndonjë mocioni mosbesimi kundër qeverisë “Haradinaj” partia e saj do të votonte pro. “PSD-ja tashmë i ka dhënë nënshkrimet e veta e tani qëndrojmë prapa kësaj. Ne e mbështesim atë mocion, por ne kemi zgjedhur një mundësi tjetër. Në vend se të ankohemi ne duhet të ndikojmë sa më shumë të jetë e mundur që vendimet të cilat i konsiderojmë të dëmshme t’i ndalojmë”, ka thënë Pantina.

Asnjërës parti nuk i konvenojnë zgjedhjet

Në anën tjetër Eugen Cakolli, nga KDI-ja, ka thënë për “Zërin” se në situatën në të cilën gjendet Kosova asnjërës parti nuk i konvenojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sipas tij, rol kyç në këtë proces luan edhe marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë. “Jetëgjatësia e kësaj legjislature konsideroj se është e lidhur me procesin e dialogut Kosovë - Serbi, andaj pa përfundimin e këtij procesi vështirë se do të ketë zgjedhje të parakohshme. Kësaj i shtohet fakti se pothuajse asnjërës prej partive politike parlamentare, sidomos atyre në pozitë  e që kanë në dorë këtë çështje, nuk u konvenojnë zgjedhjet e reja për shkak të momentumit tejet të ndjeshëm politik”, ka theksuar ai, shkruan Gazeta "Zëri".

Ai vlerëson që ndonëse kërkesat për zgjedhje kanë qenë të vazhdueshme, për shkak të mungesës së numrave nga partitë në pushtet, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë së shpejti. “Qeveria e Kosovës është përballur me shumicën e nevojshme për të kaluar projektligje në Kuvend qysh në ditët e para pas konstituimit të saj. Një mungesë e tillë është shpërfaqur më shumë kohëve të fundit pas bojkotit që Lista Serbe, si partner i koalicionit me rreth 10 deputetë, ia ka bërë punës së Kuvendit. Fakti që Qeveria nuk ka arritur në shumë raste të sigurojë as shumicën e thjeshtë ka ndikuar që një numër i konsiderueshëm i seancave të dështojë për shkak të mungesës së kuorumit”, ka thënë ai.

Ndërkohë ai vlerëson se kjo gjendje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, për shkak se tashmë partia opozitare PSD është vendosur në favor të zgjatjes së jetës së qeverisë “Haradinaj”. “Duke i marrë në konsideratë këto rrethana, jorrallëherë është ngritur kërkesa për zgjedhje të parakohshme, por që nuk ka gjetur mbështetje te partnerët e koalicionit qeverisës. Në seancën e fundit, madje pas ndihmës së PSD-së, u miratuan disa ligje të rëndësishme, që si praktikë e bashkëpunimit besoj se do të vazhdojë edhe më tutje”, ka potencuar ai./ZËRI