Nënkryetari i Kuvendit i bën thirrje Haradinajt ta heqë taksën ndaj Serbisë
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk është në pozitë për të urdhëruar Haradinajn për heqjen e taksës, por ia kishte sugjeruar diçka të tillë të bëj qysh nga nesër.
Haliti, në RTV Dukagjini, ka thënë se taksa duhej të hiqej pa asnjë kusht, pasi Kosova nuk është në pozitë t’i vendos kushte Amerikës.
“Unë i kisha sugjerua Kryeministrit të kërkojë nesër të hiqet taksa pa asnjë kusht. Mendoj se nuk jemi në pozitë t’i vendosim kushte Amerikës”.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, ka thënë se taksa nuk ka qenë gabim, pasi është dashur të bëhet diçka ndaj Serbisë për shkak të pengesave që kjo e fundit i ka bërë Kosovës.
“Sot situata që ka ardhur, qëndrimet që dalin nga aleatët tanë na detyrojnë të marrim vendime që ndonjëherë edhe janë të dhembshme. Edhe pse këto mendime janë në kundërshtim me atë që kam menduar dje, duhet të veprojmë”.
Haliti ka thënë se pavarësisht këtyre zhvillimeve Qeveria nuk do të rrëzohet dhe buxheti do të miratohet të shtunën që vjen.