Hoxha: Lobimi për vizat nis në Austri

Aktuale January 25, 2019 - 09:44
Lexoni detajet

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, ka thënë për “Zërin” se institucioni, të cilin udhëheq ajo, mbetet e përkushtuar në heqjen e viza me BE-në për kosovarët, me ç’rast ka bërë të ditur që shumë shpejt do të fillojë lobimi i Kosovës te shtetet anëtare të BE-së. Austria, sipas saj, do të jetë shteti i pari në të cilin do të lobojë Ministria e Integrimeve.

“Lobimi nuk ka të bëjë me kushtet nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave, sepse ato i kemi plotësuar të gjitha. Ka të bëjë me përkushtimin tonë për reformat dhe për bartjen e mesazhit se ne do të jemi të përkushtuar për ta fuqizuar sundimin e ligjit, zbatimin e reformave, rritjen e kapaciteteve të vendit tonë për zbatimin e marrëveshjes për liberalizim, uljen e rrezikut nga emigrimi ilegal, përafrimin e legjislacionit tonë me BE-në etj. Do të fillojmë lobimin me Austrinë dhe më pastaj vazhdojmë me secilin vend anëtar të BE-së”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Kurse lidhur me mundësinë e heqjes së vizave gjatë udhëheqjes së presidencës rumune, Hoxha ka thënë që nuk pret se ky shtet ta pengojë këtë proces për Kosovën, pavarësisht se nuk e njeh pavarësinë e vendit.

LEXO EDHE: BE: Vizat, të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë

“Rumania është në krye të BE-së duke respektuar parimet e saj, andaj nuk pres vendime të saj duke paragjykuar orientimin tonë, vendosmërinë dhe gatishmërinë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane. Me vëmendje kemi përcjellë deklarimet e Rumanisë. Shpresoj se edhe gjatë presidencës së saj Ballkani do të jetë në fokus të procesit integrues dhe të planeve për zgjerim, duke mos bërë kthim prapa ose vështirësi në këtë rrugë. Rumania si pjesë e BE-së, pavarësisht qëndrimit të saj negativ për pavarësinë tonë, nuk ka paraqitur obstruksione në proces, madje pres mirëkuptim nga ky vend për qytetarët e vendit tonë”, ka thënë Hoxha.

Ndërkohë e para e Ministrisë së Integrimeve ka thënë që politika e brendshme e shteteve po reflekton edhe te vendimi i Këshillit të Ministrave.

“Nuk ka dilema se ne jemi në rrugën e duhur, këtë e konfirmoi edhe z. Hahn që në verë të vitit të kaluar. Këtë e konfirmojnë edhe instancat tjera madhore, por vendimmarrja është në duar të vendeve anëtare, në Këshillin e Ministrave që nuk merr interferime nga instancat tjera, sepse është e lidhur me gjendjen e brendshme të atyre vendeve. Vendimi në Këshillin e Ministrave reflekton në politikën e brendshme të atyre vendeve”, ka theksuar ajo./ZERI