Taksa mbetet, Qeveria pa “Plan B”

Aktuale January 23, 2019 - 07:59
Lexo tjera detaje
Image

Taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake do të vazhdojë të aplikohet, ndonëse për heqjen e saj dje u diskutua në një takim të zhvilluar mes kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ambasadorit amerikan Philip Kosnett. Por ish-ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë për “Zërin” se pas presionit të ndërkombëtarëve Qeveria s’ka “Plan B” për taksën, shkruan Gazeta "Zëri".

Qeveria e Kosovës po vazhdon të mos heqë dorë nga taksa e vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e nga Bosnjë e Hercegovina, pavarësisht presionit ndërkombëtar për ta larguar këtë masë tregtare. Gjatë ditës së djeshme kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli zhvilluan një takim me ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett, për të diskutuar pikërisht rreth taksës.

Por as pas takimit të thirrur nga kryeparlamentari Veseli Qeveria e Kosovës nuk ndërroi qëndrim rreth taksës. Përkundrazi, kryeministri Haradinaj tha se tarifa ndaj produkteve serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për njohjen e Kosovës nga Serbia. Në anën tjetër, SHBA-ja tashmë ka kërkuar që kjo masë e vendosur nga institucionet e Kosovës të pezullohet menjëherë. Duke u nisur nga këto, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Qeveria duhet ta gjejë sa më shpejt një alternativë për ta pezulluar taksën për një periudhë të caktuar. Në rast se nga Serbia nuk përmbushet kriteri i kërkuar që ka të bëjë me njohjen, atëherë sipas tyre Qeveria e Kosovës do të mundë ta kthente sërish në fuqi tarifën prej 100 për qind.

Presioni i SHBA-së nuk e zmbraps Qeverinë

Gjersa bëri të ditur se Qeveria nuk ka ndërruar qëndrim rreth taksës as pas takimit me ambasadorin amerikan në Kosovë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se taksa ndaj produkteve serbe hiqet vetëm nëse paraprakisht ka një marrëveshje për njohje të Kosovës. “E kishim hequr sot sikur ta mbërrinim një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke”, ka deklaruar Haradinaj, teksa ka paralajmëruar se tarifa në fjalë mund të mbetet përgjithmonë në fuqi po qe se nuk ka marrëveshje. 

Ndërkaq nikoqiri i takimit, kryeparlamentari Kadri Veseli, tha se do të punohet që vendimet për proceset e mëdha të jenë në koordinim të plotë me SHBA-në.  “Ne do të punojmë bashkë që vendimet e institucioneve të Kosovës për procese të rëndësishme të jenë në interes të qytetarëve tanë dhe në koordinim të plotë me SHBA-në e me partnerët tjerë ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Kosova, siç Veseli është shprehur, mbetet e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hyseni: Taksa - veprim i qëlluar, BE-ja të bëjë presion te Beogradi

Teksa ka folur rreth taksës së vendosur ndaj produkteve serbe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, ka thënë se vendimi i Qeverisë për vendosjen e tarifës ka qenë i qëlluar. “Unë vazhdoj të mendoj që vendosja e taksës ndaj produkteve serbe ka qenë një veprim i duhur në kohën kur kjo taksë është vendosur. Nga pikëpamja ekonomike mund ta trajtojmë kështu e ashtu, por si vendim politik kujtoj që ka qenë vendim i qëlluar”, ka deklaruar Hyseni për “Zërin”.

Meqë sipas tij tarifa në fjalë nuk është një vendim që mund të jetë i përjetshëm, Qeveria e Kosovës duhet që ta analizojë situatën dhe të vendosë nëse taksa do të hiqet ose jo. “Taksa nuk është një veprim i cili do të ngrihet e do të betohet përgjithnjë dhe natyrisht i mbetet Qeverisë e kryeministrit ta vlerësojnë më së miri se sa do të qëndrojë ajo taksë dhe a do të hiqet ose kur do të hiqet”, ka shtuar ai.

Ndërkohë ka konsideruar se Bashkimi Evropian (BE) duhet të bëjë presion te Serbia, pasi që, ashtu siç Hyseni është shprehur, Serbia është ajo e cila ka dështuar në secilën përpjekje për të dialoguar me Kosovën.  

“Qeveria e Kosovës me miqtë, me aleatët e saj duhet të bisedojë shtruar dhe të argumentojë fuqishëm. Në parim them që BE-ja duhet të ushtrojë presion shumë më të madh mbi Beogradin, sepse është vendi ku duhet të bëhet presion e jo Kosova në këtë rast. Beogradi është pala që ka dështuar në çdo përpjekje të dialogut me Kosovën, jo Kosova”, ka potencuar ai, duke thënë se problemi është në Serbi e jo në Kosovë.

Qeveria, pa “Plan B” për taksën

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar për “Zërin” se vendosja e tarifës me kushtin e vetëm për njohjen e Kosovës nga Serbia e jo me ndonjë kusht tjetër e paralizon tërësisht procesin e dialogut me Serbinë.  Në këtë kuptim, sipas saj, Kosova nuk ka nevojë fare që të ketë ekip negociator për dialogun.  

“Për arsye se përmes procesit të dialogut vjen njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, andaj nëse kryeministri e ka seriozisht, siç po deklaron, atëherë lirisht le ta dërgojë në Kuvend edhe zhbërjen e Ekipit, edhe të procesit negociator për arsye se ka mekanizmin e taksës, i cili pret që ta sigurojë njohjen”, ka potencuar ajo.

Nëse kryeministri nuk e ka këtë qëllim, por vetëm po blen kohë, sipas Kusari-Lilës, ai duhet ta pranojë publikisht që nuk e ka menduar mirë planin e parë për taksën dhe as e ka planifikuar “Planin B” në rast se nuk do të funksiononte ai paraprak. “Prej fillimit kemi komunikuar publikisht, ia kemi përcjellë kryeministrit Haradinaj që kushti me taksën duhet të jetë një kusht i matshëm dhe në aspektin kohor i realizuar”, ka shtuar ajo, shkruan Gazeta "Zëri".

Rrjedhimisht ajo ka vlerësuar se Qeveria duhet ta ketë një plan, i cili tregon maturi dhe që në të njëjtën kohë ruan raportet me të gjithë pjesëmarrësit e rëndësishëm për Kosovën. “Taksa dhe vendimi për taksën do të duhej të ishte shkruar ndryshe dhe të kishte kusht tjetër, kusht specifik dhe të matshëm. Prandaj sjellja në këtë pikë dhe rreziku i raporteve me SHBA-në dhe mospasja e një plani tjetër në raport me këtë taksë e tregon paaftësinë për të qeverisur dhe për të arritur çkado në Kosovë nga qeveria ‘Haradinaj’”, ka nënvizuar deputetja e Alternativës.   

Ndërkohë, pas presionit ndërkombëtar për heqjen e taksës njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk do t’ia dalë ta mbajë tarifën në fuqi, ashtu siç po deklaron. “Ka shtim të presionit, sidomos nga SHBA-ja, për heqjen e taksës. Nuk besoj se ka shumë gjasa që Qeveria të rezistojë që ta mbajë taksën, për shkak se nuk besoj se do të ndodhë që Kosova ta rrezikojë partneritetin me SHBA-në”, ka theksuar ai.

Sipas Demhasajt, Qeveria e Kosovës do të mundë të dilte nga kjo situatë, duke përdorur një opsion tjetër e jo atë që po e deklaron. “Mendoj se Qeveria mund ta gjejë një mënyrë se si ta rregullojë çështjen e taksës. Mundet përkohësisht ta suspendojë taksën dhe t’i japë hapësirë zhvillimit të dialogut e potencialisht arritjes së një marrëveshjeje. Pra mund ta suspendojë për 5-6 muaj dhe t’i japë hapësirë që në rast se brenda 5-6 muajve nuk arrihet marrëveshja që do të rezultonte me njohjen e Kosovës nga Serbia, atëherë një masë e tillë mund t’i kthehet Serbisë”, është shprehur ai./ZËRI