Opozita nuk pret rezultate nga takimi i thirrur prej Veselit

Aktuale January 19, 2019 - 10:14
Lexo tjera detaje

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vazhdojnë të mos e ndërrojnë qëndrimin rreth taksës së vendosur ndaj produkteve serbe. Në një përgjigje dhënë “Zërit” nga Ambasada Amerikane në Prishtinë kanë thënë se SHBA-ja në vazhdimësi ka apeluar tek udhëheqësia kosovare që ta largojë tarifën e vendosur para dy muajve, shkruan Gazeta "Zëri".

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar në një takim të përbashkët ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett dhe kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn për të diskutuar rreth taksës 100 për qind të vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Teksa ka folur rreth takimit të paralajmëruar mes kryeministrit, kryeparlamentarit dhe ambasadorit amerikan, deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, ka thënë se kryetari i Kuvendit po vazhdon me veprime të natyrës mediatike pa kurrfarë substance. 

“Kuvendi dhe puna e tij po vazhdojnë të jenë të menaxhuara tmerrësisht keq nga Veseli. Prandaj, nuk pres qe ai të bëjë diçka të veçantë. Këtu nuk bëhet fjalë për një Qeveri, por për disa miniqeveri të menaxhuara nga interesi personal dhe vetanak i hisedarëve. Prandaj, nuk besoj që Veseli ka ndonjë ndikim që ta bindë kryeministrin për diçka ose e kundërta”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë ka thënë se ai personalisht ka përkrahur gjithmonë qasjen e imponimit të reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë si pasojë e veprimeve destruktive që ajo në baza ditore ka ndërmarrë ndaj Kosovës. Megjithëkëtë, sipas Sejdiut, mënyra sesi është vendosur taksa nga ana e Qeverisë lë shumë për të dëshiruar.

“Për më tepër, mungesa e planifikimit dhe deklaratat e pamatura të kryeministrit e kanë futur tani Qeverinë në një dilemë, në mes të heqjes së taksës si pasojë e presionit ndërkombëtar dhe dobësimit të shtetësisë së Kosovës e pozitës negociuese ndaj Serbisë dhe në anën tjetër, mbajtjes në fuqi të taksës dhe dëmtimit të raporteve të Kosovës me miqtë më të mirë ndërkombëtarë”, ka nënvizuar ai.

Rrjedhimisht Sejdiu ka vlerësuar se vendimi për imponimin e taksës është bërë pa asnjë analizë të mirëfilltë paraprake. “Thjesht është bërë si tentativë në panik e kësaj qeverie për t’i mbuluar skandalet e njëpasnjëshme të saj, me shpresë se qytetarët i harrojnë mëkatet e kësaj qeverie si rezultat i një veprimi të tillë populist”, ka nënvizuar ai. /ZËRI