Veseli, Haradinaj e Kosnett të martën diskutojnë për taksën

Aktuale January 19, 2019 - 08:04
Lexo tjera detaje
Image

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vazhdojnë të mos e ndërrojnë qëndrimin rreth taksës së vendosur ndaj produkteve serbe. Në një përgjigje dhënë “Zërit” nga Ambasada Amerikane në Prishtinë kanë thënë se SHBA-ja në vazhdimësi ka apeluar tek udhëheqësia kosovare që ta largojë tarifën e vendosur para dy muajve, shkruan Gazeta "Zëri".

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar në një takim të përbashkët ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett dhe kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn për të diskutuar rreth taksës 100 për qind të vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, para pak ditësh paralajmëroi një takim të tillë, por ndonëse nuk tregoi ndonjë datë të saktë burime të gazetës “Zëri” brenda Kuvendit të Kosovës kanë bërë të ditur se takimi në fjalë është vendosur të mbahet të martën e javës që vjen (22 janar). Në këtë takim, pos taksës, do të bisedohet edhe rreth zhvillimeve të tjera aktuale në Kosovë. “Do të flasin për zhvillimet e fundit, për koordinimin e përbashkët, bashkëpunimin gjatë komplet vitit dhe sigurisht brenda këtyre që i diskutojnë është edhe çështja e taksës”, kanë thënë burimet e “Zërit” teksa kanë konfirmuar se takimi është caktuar për të martën. Gazeta ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, por duke mos dhënë detaje, nga zyra e kryeparlamentarit kanë thënë shkurt se mediet do të njoftohen me kohë për një gjë të tillë. Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Prishtinë në një përgjigje dhënë “Zërit” ka thënë se SHBA-ja vazhdimisht ka apeluar tek udhëheqësit e Kosovës që t’i pezullojnë tarifat e vendosura ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.  

SHBA-ja, apel për heqjen e taksës

Të pyetur nëse SHBA-ja u ka dhënë ultimatum institucioneve të Kosovës për heqjen e taksës, nga Ambasada Amerikane në Prishtinë i kanë thënë gazetës se qëndrimi i SHBA-së mbetet i njëjtë, për pezullimin e taksës 100 për qind. “Qëndrimi ynë lidhur me tarifat nuk ka ndryshuar. Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë apeluar në udhëheqësinë e Kosovës që t’i pezullojë tarifat në mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Siç kemi thënë më parë, ne nuk shohim se si përfiton Kosova nga këto masa”, potencohet në përgjigjen e Ambasadës dhënë “Zërit”.

Më tej thuhet se SHBA-ja nxit Kosovën për t’u përqendruar në interesat e saja thelbësore, që kanë të bëjnë me të ardhmen evropiane dhe me normalizimin e raporteve me Serbinë.  “Ne fuqimisht nxisim për përqendrim të përtëritur në interesat thelbësore të Kosovës, të ardhmen e saj evropiane dhe marrëdhënien e normalizuar me Serbinë. Shpresojmë të shohim udhëheqësi të sigurt dhe të guximshme në të dyja anët e tavolinës, që nevojitet për të lëvizur përpara dhe për të dalë nga bllokada e tanishme”, theksohet më tutje në përgjigje.

“Zëri” i ka dërguar pyetje Ambasadës edhe rreth takimit të thirrur nga kryeparlamentari Veseli, porse nuk ka marrë përgjigje rreth kësaj çështjeje.

Për shfuqizimin e tarifës kërkohet njohje nga Serbia

Gazeta ka dërguar pyetje edhe në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj, por as ata nuk kanë dhënë hollësi rreth këtij takimi, që pritet të mbahet në fillim të javës që vjen. “Kurdo që ftohen edhe bëhet publike”, thuhet shkurtimisht në përgjigjen e zyrës së kryeministrit.

Por pas takimit që ka pasur me komisionarin për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur edhe një herë se nuk do të ketë heqje të taksës pa pasur fillimisht njohje nga Serbia. “Jemi të gatshëm ta heqim nesër nëse ka vullnet për njohje”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit. Një gjë të tillë e ka thënë edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, i cili për “Zërin” ka deklaruar se taksa nuk hiqet pa u eliminuar arsyet për të cilat është vënë kjo tarifë.

Pavarësisht këtyre, presidenti serb Aleksandar Vuçiq edhe një herë gjatë së premtes ka apeluar te partnerët e BE-së që të ndikojnë te Prishtina ta heqë taksën ndaj produkteve serbe. Me këtë rast presidenti i Serbisë ka thënë se nuk ka dëgjuar asnjë sqarim të logjikshëm dhe asnjë propozim nga ana e Prishtinës në lidhje me zgjidhjen e problemit të Kosovës. “Pa zgjidhje do të kemi probleme të mëdha, edhe ekonomike, edhe politike, si njëra palë, ashtu edhe tjetra”, ka deklaruar dje Vuçiq.

Mirëpo kundër kësaj ka dalë edhe bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për dialog Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se tarifa nuk mund të largohet momentalisht kur kihet parasysh fakti që fushata agresive serbe ndaj Kosovës nuk është duke u ndalur. “Taksa është vendim i Qeverisë, por në këtë lojë të Serbisë nuk ka as kushte elementare për heqje të taksës ose dialog”, ka potencuar Ahmeti derisa ka kritikuar fushatën e Serbisë për tërheqje të njohjeve ndaj Kosovës.

Opozita nuk pret rezultate nga takimi i thirrur prej Veselit

Teksa ka folur rreth takimit të paralajmëruar mes kryeministrit, kryeparlamentarit dhe ambasadorit amerikan, deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, ka thënë se kryetari i Kuvendit po vazhdon me veprime të natyrës mediatike pa kurrfarë substance.

“Kuvendi dhe puna e tij po vazhdojnë të jenë të menaxhuara tmerrësisht keq nga Veseli. Prandaj, nuk pres qe ai të bëjë diçka të veçantë. Këtu nuk bëhet fjalë për një Qeveri, por për disa miniqeveri të menaxhuara nga interesi personal dhe vetanak i hisedarëve. Prandaj, nuk besoj që Veseli ka ndonjë ndikim që ta bindë kryeministrin për diçka ose e kundërta”, ka deklaruar ai. Ndërkohë ka thënë se ai personalisht ka përkrahur gjithmonë qasjen e imponimit të reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë si pasojë e veprimeve destruktive që ajo në baza ditore ka ndërmarrë ndaj Kosovës. Megjithëkëtë, sipas Sejdiut, mënyra sesi është vendosur taksa nga ana e Qeverisë lë shumë për të dëshiruar.

“Për më tepër, mungesa e planifikimit dhe deklaratat e pamatura të kryeministrit e kanë futur tani Qeverinë në një dilemë, në mes të heqjes së taksës si pasojë e presionit ndërkombëtar dhe dobësimit të shtetësisë së Kosovës e pozitës negociuese ndaj Serbisë dhe në anën tjetër, mbajtjes në fuqi të taksës dhe dëmtimit të raporteve të Kosovës me miqtë më të mirë ndërkombëtarë”, ka nënvizuar ai.

Rrjedhimisht Sejdiu ka vlerësuar se vendimi për imponimin e taksës është bërë pa asnjë analizë të mirëfilltë paraprake. “Thjesht është bërë si tentativë në panik e kësaj qeverie për t’i mbuluar skandalet e njëpasnjëshme të saj, me shpresë se qytetarët i harrojnë mëkatet e kësaj qeverie si rezultat i një veprimi të tillë populist”, ka nënvizuar ai.

Vendimet e rëndësishme, me Amerikën

Politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se vendimet e mëdha nuk duhet të merren në asnjë formë pa u dakorduar me shtetet e fuqishme botërore, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pres që politikanët kosovarë në të ardhmen, para se të marrin ndonjë vendim, të mendojnë për epilogun e atij vendimi, ngase vendimet e rëndësishme për shtetin që kanë implikime strategjike nuk duhet të ndërmerren pa u konsultuar me SHBA-në, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe”, ka theksuar ai, duke shtuar se çdo vendim pa u konsultuar me SHBA-në është vetëm një aventurë.

Beqaj më tej ka thënë se Qeveria e Kosovës do të detyrohet që ta largojë tarifën në mënyrë që ta vazhdojë procesin e negociatave me Serbinë. “Kjo qeveri nuk mund të parashtrojë kushte. Kjo qeveri do t’i përfillë kushtet që i imponon Serbia, ngase nuk ka vazhdim të dialogut pa heqjen e taksës dhe këtë kusht të Serbisë Qeveria do ta përmbushë nëse nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, është shprehur profesori universitar Belul Beqaj.