Opozita: Ekipi negociator, patericë e Thaçit

Aktuale January 14, 2019 - 10:34
Lexo detajet

Presidenti Hashim Thaçi po e mban sekret përmbajtjen e takimeve me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të Brukselit. Zyra e Thaçit ka tejkaluar afatin kohor që ekipi negociator ia ka caktuar për ta dorëzuar dokumentacionin për dialogun e deritanishëm. Bashkëkryesuesi Fatmir Limaj ka thënë për gazetën “Zëri” se pret që Thaçi sa më shpejt t’i dorëzojë materialet e kërkuara, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ekipi negociator po vazhdon të konsiderohet i pavlerë për partitë opozitare që janë rreshtuar kundër tij.

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka vlerësuar se ekipi negociator është vetëm një patericë e presidentit Hashim Thaçi. Me mosdorëzimin e dokumentacionit të kërkuar sipas tij është dëshmuar që delegacionin në fjalë nuk e merr seriozisht askush.

LEXO EDHE: Sekretet e Thaçit për dialogun

“Shihet që presidenti nuk lodhet fare për këtë ekip. Fatkeqësisht ky ekip negociator thjesht është një patericë e Hashim Thaçit dhe e qasjes së tij sa i takon dialogut Kosovë - Serbi. Prandaj, po shihet edhe një herë që këtë ekip, i cili bashkëkryesohet nga partia e katërt dhe e shtata, nuk e merr seriozisht askush, më së paku presidenti i vendit, i cili po vazhdon me agjendën e tij”, ka deklaruar ai për "Zërin".

Ndërkohë veprimin e kreut të shtetit sa i takon mospublikimit të dokumenteve rreth dialogut, Rugova e ka cilësuar si aspak serioz.

“Kush mban sekrete për çështje kaq të ndjeshme, të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, me çështje të cilat duhet të vijnë në Kuvend dhe ta marrin bekimin formal e ratifikimin nga 2/3 e Kuvendit, është joserioze”, ka potencuar deputeti i LDK-së. /ZËRI