Sekretet e Thaçit për dialogun

Aktuale January 14, 2019 - 07:48
Lexo detajet
Image

Presidenti Hashim Thaçi po e mban sekret përmbajtjen e takimeve me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të Brukselit. Zyra e Thaçit ka tejkaluar afatin kohor që ekipi negociator ia ka caktuar për ta dorëzuar dokumentacionin për dialogun e deritanishëm. Bashkëkryesuesi Fatmir Limaj ka thënë për gazetën “Zëri” se pret që Thaçi sa më shpejt t’i dorëzojë materialet e kërkuara, shkruan sot gazeta "Zëri".

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka tejkaluar afatin e paracaktuar nga Delegacioni Shtetëror për Bisedimet me Serbinë duke mos ia dorëzuar dokumentacionin e kërkuar për dialogun që është zhvilluar deri më sot. Përfaqësuesit e ekipit negociator i kishin dhënë afat kreut të shtetit deri më 11 janar për dorëzimin e dokumentacionit, por Thaçi as tash, kur kanë kaluar tri ditë nga data e paracaktuar, nuk ua ka vënë në dispozicion materialin në fjalë.

LEXO EDHE: Çka nënkupton në të vërtetë angazhimi i madh i administratës së Trump për marrëveshjen Kosovë-Serbi?

Bashkëkryesuesi i delegacionit, Fatmir Limaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk e di se pse nuk është përfillur kërkesa e ekipit. Megjithëkëtë, Limaj ka thënë se presin që sa më shpejt t’i pranojnë dokumentet e kërkuara. Ndërkohë, nga Presidenca nuk kanë treguar se pse nuk e kanë bërë dorëzimin e dokumentacionit. Një veprim i tillë i Thaçit sipas përfaqësuesve të partive opozitare, që nuk janë pjesë e dialogut, dëshmon qartë se ekipi, i udhëhequr nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, është vetëm një patericë e kreut të shtetit dhe nuk ka kurrfarë roli në procesin e negociatave me Serbinë.

Delegacioni, në pritje të dokumentacionit

Teksa ka folur rreth mosdorëzimit të dokumentacionit nga ana e presidentit Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili njëherësh është edhe bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për dialog, ka thënë se nuk ka informata se pse ka ndodhur një gjë e tillë. Megjithëkëtë, ai ka pohuar se gjatë ditës së sotme do të sqarohet gjithçka rreth kësaj çështjeje.

“Presim sa më shpejt të na dorëzohet, nëse ka. Të shohim, të hënën kemi takim, besoj që do t’i keni informacionet e duhura”, ka deklaruar Limaj për “Zërin”.

Në takimin i cili do të mbahet sot duke filluar prej orës 11:00, do të flitet rreth temave që do të diskutohen në fazën finale të procesit të negociatave me Serbinë. Në këtë takim, të thirrur nga kryekuvendari Kadri Veseli, do të marrin pjesë krerët institucionalë dhe përfaqësuesit e ekipit negociator.

Opozita: Ekipi, patericë e Thaçit

Ekipi negociator po vazhdon të konsiderohet i pavlerë për partitë opozitare që janë rreshtuar kundër tij. Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka vlerësuar se ekipi negociator është vetëm një patericë e presidentit Hashim Thaçi. Me mosdorëzimin e dokumentacionit të kërkuar sipas tij është dëshmuar që delegacionin në fjalë nuk e merr seriozisht askush.

“Shihet që presidenti nuk lodhet fare për këtë ekip. Fatkeqësisht ky ekip negociator thjesht është një patericë e Hashim Thaçit dhe e qasjes së tij sa i takon dialogut Kosovë - Serbi. Prandaj, po shihet edhe një herë që këtë ekip, i cili bashkëkryesohet nga partia e katërt dhe e shtata, nuk e merr seriozisht askush, më së paku presidenti i vendit, i cili po vazhdon me agjendën e tij”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë veprimin e kreut të shtetit sa i takon mospublikimit të dokumenteve rreth dialogut, Rugova e ka cilësuar si aspak serioz.

“Kush mban sekrete për çështje kaq të ndjeshme, të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, me çështje të cilat duhet të vijnë në Kuvend dhe ta marrin bekimin formal e ratifikimin nga 2/3 e Kuvendit, është joserioze”, ka potencuar deputeti i LDK-së.  

Veprimi i pamatur i presidentit

Duke folur rreth rolit të delegacionit, Përparim Kryeziu, njohës i procesit të dialogut në kuadër të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka vlerësuar se ekipi negociator nuk ka kurrfarë roli udhëheqës në këtë proces. Kjo sipas tij dëshmohet edhe në projektligjin, i cili pritet të dalë në Kuvend së shpejti.

“Me një analizë të thjeshtë të ligjit shihet që ai me të vërtetë nuk i jep asnjë rol udhëheqës delegacionit të shtetit. Përkundrazi, delegacioni i shtetit kryesisht do të ketë një rol monitorues e raportues dhe me shumë gjasë do të merret me çështje të dialogut teknik”, ka deklaruar ai.

Një gjë e tillë sipas tij është thënë edhe nga vetë zyrtarët e Bashkimit Evropian pas takimit konsultues që ekipi negociator ka pasur gjatë javës së kaluar në Bruksel.

Megjithëkëtë, veprimi i presidentit për të mos ia dorëzuar dokumentacionin delegacionit shtetëror sipas Kryeziut është krejtësisht i pamatur.

“Por pasi ky delegacion, rezoluta dhe projektligji prej të cilave buron roli i delegacionit, është mbështetur nga vetë presidenti e konsideroj të pamatur nëse ai nuk respekton një marrëveshje kaq të thjeshtë për dorëzimin e dokumentacionit lidhur e me dialogun teknik”, ka nënvizuar Përparim Kryeziu. /ZERI