Mogherini kërkon heqjen e taksës, ekipi refuzon

Aktuale January 09, 2019 - 07:52
Lexo Detajet
Image

Ndërmjetësuesja e dialogut të Brukselit, Federica Mogherini, gjatë takimit që ka zhvilluar dje me Delegacionin Shtetëror të Kosovës ka kërkuar heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe. Por delegacioni kosovar ka thënë se taksa nuk hiqet pa njohjen e Kosovës nga Serbia, shkruan gazeta "Zëri".

Përfaqësuesit e ekipit negociator për dialogun me Serbinë kanë zhvilluar gjatë ditës së djeshme një takim me ndërmjetësuesen e dialogut Kosovë - Serbi, Federica Mogherini, me ç’rast kanë diskutuar për fazën finale të dialogut. Pos kësaj, anëtarët e delegacionit ia kanë bërë të qartë Bashkimit Evropian se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe nuk hiqet pa njohjen e Kosovës nga Serbia.

LEXO EDHE: Para nisjes për në Hagë flasin të ftuarit e Speciales

Megjithëkëtë, gjatë takimit në Bruksel Mogherini ka kërkuar që urgjentisht të shfuqizohet tarifa e vendosur prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe të atyre të Bosnjë e Hercegovinës. Mogherini, siç është bërë e ditur në kumtesën e lëshuar nga zyra e saj, ka vlerësuar se deklaratat dhe veprimet që nuk janë në interes të përgjithshëm duhet të shmangen.

Ndërkohë, kryesuesit e ekipit kanë thënë se epilogu i bisedimeve me Serbinë është njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pavarësisht këtij takimi të zhvilluar në Bruksel, përfaqësuesit e partisë më të madhe opozitare në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerësojnë se ekipi negociator është jolegjitim dhe pa mandat kushtetues.

Kërkesa e BE-së për shfuqizimin urgjent të taksës

Pas përfundimit të takimit ndërmjetësuesja Federica Mogherini ka thënë se është tejet e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës e Serbisë. Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Mogerinit thuhet se ajo ka kërkuar në takim që të hiqet sa më parë taksa e vendosur ndaj produkteve serbe. “Ky takim ishte një mundësi për të biseduar me përfaqësuesit e Kosovës lidhur me dialogun. Në këtë kontekst, Mogherini ka ritheksuar urgjencën për shfuqizimin e tarifës doganore, të vendosur nga Qeveria e Kosovës”, potencohet në komunikatë.

Më tej thuhet se marrëveshja e arritur mes dy vendeve kërkon një klimë që çon drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore. “Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut kërkon një klimë që kontribuon në marrëdhënie të mira fqinjësore, ku marrëveshjet e arritura më herët duhet të respektohen e të zbatohen dhe veprimet e deklaratat, që nuk janë në interes të përgjithshëm dhe objektivat strategjike të rajonit, duhet të shmangen”, theksohet në këtë kumtesë.

Largimi i taksës, pas njohjes së Kosovës nga Serbia

Teksa ka treguar se për çka është diskutuar në takim, kryesuesi i ekipit negociator Fatmir Limaj ka thënë se është kërkuar që të dihet qartë epilogu i dialogut me Serbinë. “Nuk ka më dialog me tema të veçanta të shkohet në Prishtinë ose në Beograd dhe të mos implementohet asnjë marrëveshje. Jemi të interesuar që të biem në ujdi për shumë marrëveshje, tema të hapura, por duhet të ketë gjithëpërfshirje në marrëveshjen, e cila në zemrën e saj e ka njohjen reciproke”, ka theksuar ai.

Epilogu sipas tij është njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia, anëtarësimi në OKB, njohja nga pesë vendet e BE-së dhe hapja e perspektivës së qartë evropiane.

Takimin e djeshëm Limaj e ka cilësuar si tejet të rëndësishëm. Ndërkohë, sa i përket kërkesës së BE-së për ta hequr taksën, ai ka thënë se i është bërë me dije Mogherinit që së pari Serbia duhet t’i plotësojë disa kushte që të ndodhë një gjë e tillë. Sipas tij, kur të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje të Kosovës atëherë nuk do të ketë nevojë fare për masa të tilla siç është tarifa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Delegacioni: Nuk bëjmë kompromise me Serbinë

Edhe bashkëkryesuesi i delegacionit Shpend Ahmeti ka thënë se ia kanë bërë të qartë BE-së se taksa është i vetmi mjet për t’i bërë presion Serbisë pas pengesave të vazhdueshme që po ia bën Kosovën lidhur me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. “Mesazhi ynë për BE-në ishte, ne jemi të gatshëm për t’i diskutuar temat, por kjo të mos keqkuptohet si gatishmëri jona që jemi të gatshëm për kompromise për të cilat nuk ia vlen për një njohje nga Serbia”, ka potencuar ai. 

Ai më tej ka bërë të ditur se ekipi ka prezantuar para Mogherinit përbërjen e delegacionit, rezolutën dhe Ligjin për Dialogun. “Ne prezantuam edhe delegacionin shtetëror, edhe rezolutën, edhe ligjin, ku e bëmë të qartë se cili është roli i këtij delegacioni shtetëror dhe po ashtu përdorëm rastin që edhe një herë edhe zyrtarisht të shprehim gatishmërinë që të ulemi dhe të diskutojmë për të gjitha temat e hapura mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të cilat do të çonin te një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar Ahmeti.

Siç ka thënë ai, Mogherini ka konsideruar se duhet të arrihet një marrëveshje normalizuese. Por, sipas tij, BE-ja nuk pranon që të ketë shtete etnikisht të pastra, as pas arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë.

“Sipas Mogherinit, për BE-në çdo marrëveshje që është e pranueshme për të dyja palët, por marrëveshje e cila i përfaqëson vlerat e BE-së, është e pranueshme edhe për ta. Por nuk mund dhe nuk do të kemi shtete etnikisht të pastra, sepse ajo nuk është vlerë e BE-së. Pra po flasim për shtetet, të cilat do të jenë nesër potencialisht edhe shtete të BE-së, ku nuk mund të kemi kufij që ndajnë etni në vija të tilla”, ka potencuar ai.

LDK: Ekipi negociator, jolegjitim

Pavarësisht takimit që pati dje në Bruksel ekipi negociator sipas zëdhënësit të LDK-së, Besian Mustafa, është krejtësisht pa legjitimitet sa i përket aspektit kushtetues. Sipas tij, edhe vetë roli i këtij ekipi vihet në dyshim kur kihet parasysh fakti që procesi i negociatave do të bëhet ndërmjet dy krerëve të të dyja vendeve.

“Këtë ekip të ashtuquajtur negociator e konsiderojmë si një grup negociator pa legjitimitet sa i përket aspektit kushtetues. Në anën tjetër kemi edhe vetë deklaratat e Komisionit Evropian që thotë se do të takohen me grupin negociator, por në fakt diskutimet vendimmarrëse vazhdojnë në nivel presidentësh. Kjo e vë në pikëpyetje edhe vetë ekzistencën e këtij grupi negociator”, ka potencuar ai.

Mustafa ka ripërsëritur qëndrimin e LDK-së që kjo parti në asnjë formë nuk bëhet pjesë e delegacionit shtetëror për dialog.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vlerësuar se refuzimi i dialogut me Serbinë nuk është alternativë, as zgjidhje. Përkundrazi, sipas tij, një gjë e tillë do të ishte më tepër një favorizim i Serbisë në arenën ndërkombëtare. “E dimë nga e kaluara se sa herë që Serbia ka refuzuar dialogun, po aq herë ka dalë e humbur nga proceset. Ne nuk guxojmë ta përsërisim këtë leksion të gabuar të Serbisë. Kosova hyn në dialog me qëllime të qarta: njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe anëtarësimi ynë në OKB”, ka deklaruar ai./ZERI/