BE: Konsultime me ekipin, dialogun me presidentët

Aktuale January 08, 2019 - 07:54
Lexo Detajet
Image

Gati një muaj pasi mori dritën jeshile nga Kuvendi i Kosovës, ekipi negociator për dialogun me Serbinë udhëtoi për herë të parë për në Bruksel gjatë ditës së djeshme, shkruan gazeta "Zëri".

Përfaqësuesit e delegacionit do të takohen atje me ndërmjetësuesen e negociatave Kosovë - Serbi, Federika Mogherini. Anëtarë të ekipit shtetëror kanë bërë të ditur për “Zërin” se takimi që do të zhvillohet sot në Bruksel do të jetë koordinues për temat e dialogut që do të diskutohen mes Kosovës e Serbisë në fazën finale të procesit.

LEXO EDHE: Ekipi për dialogun pret 'vizën' për në SHBA

Në anën tjetër, zyrtarë nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar dje se do ta takojnë sot në Bruksel ekipin negociator të Kosovës për bisedime me Serbinë, por, siç kanë thënë ata, bisedimet në nivelin e lartë politik do të vazhdojnë ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë.

Takimi në Bruksel, koordinues

Teksa ka treguar se për çka do të diskutohet sot në Bruksel, zëvendëskryeministri i Kosovës e njëherësh anëtar i delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se takimi në fjalë do të zhvillohet me ndërmjetësuesen e dialogut Kosovë - Serbi. Ky takim, siç ka bërë të ditur Hoxhaj, do të zgjasë disa orë, rrjedhimisht delegacioni në fjalë do të kthehet sot në Kosovë. “Takimi do të jetë me Mogerinin, mandej edhe me stafin e saj. Karakteri i takimit është koordinues për temat e dialogut të cilat do t’i diskutojmë në të ardhmen në mes të dy vendeve, Kosovës e Serbisë dhe nuk zgjat më shumë se disa orë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Hoxhaj për “Zërin”.

Ndërkohë, zëdhënësja e BE-së Maja Kocijançiq ka thënë se në takimin e sotëm, që do të mbahet midis përfaqësuesve të Shërbimit Diplomatik Evropian (EEAS) dhe ekipit negociator, do të shkëmbehen qëndrimet lidhur me normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë. “Konsultimet janë një mundësi për të shkëmbyer qëndrimet me përfaqësuesit e Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga BE-ja. Dialogu në nivelin e lartë bëhet ndërmjet dy presidentëve dhe kjo nuk ndryshon”, shtoi Kocijançiq për radion “Evropa e Lirë”.

LDK e LVV: Delegacioni shtetëror, i improvizuar

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka konsideruar se vetë ideja për krijimin e delegacionit për negociata në emër të Kosovës për LDK-në është e paligjshme dhe jokushtetuese. “Improvizimet e institucioneve që janë kategori të veçanta kushtetuese, kompetente për të udhëhequr në procese të tilla të rëndësishme për të ardhmen e vendit, thjesht tregojnë për krizën e thellë politike dhe institucionale”, ka deklaruar ai.

Deputeti i LDK-së më tej ka thënë se ekipe improvizuese janë bërë gjatë kohës sa Kosova nuk ka qenë shtet, ndërkohë tash sipas tij nuk do të duhej të ndodhte një gjë e tillë.

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë se delegacioni shtetëror po shkon në Bruksel duke u mbështetur në rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës, në të cilën, siç ai është shprehur, nuk figuron fare fjala reciprocitet.

Kërkohet përfshirja e Luginës në ekipin negociator

Teksa ka folur rreth çështjes së dialogut, Liburn Aliu ka thënë se përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës është dashur të përfshihen në delegacionin shtetëror për dialog.

“Pse aty në delegacion të mos jetë kryetari i Preshevës, Bujanocit, i Këshillit Nacional Shqiptar, deputeti shqiptar në kuvendin e Serbisë dhe asamblisti shqiptar në Medvegjë”, ka theksuar ai.

Kjo pasi, sipas Aliut, nuk mjafton vetëm përfshirja e temës së Luginës, por duhet të ketë edhe pjesëmarrës nga Kosova Lindore në procesin e negociatave.

Ndërkohë, teksa ka folur për çështjen e Luginës, Naser Rugova ka thënë se një gjë e tillë ka të bëjë kryekëput me një lojë aventureske të presidentit Hashim Thaçi.

Përfaqësuesit e Luginës, optimistë për zgjidhje

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se qysh pas formimit të ekipit negociator nga Parlamenti i Kosovës përfaqësuesit e Kosovës Lindore u janë drejtuar institucioneve në Kosovë me kërkesën që çështja e Luginës së Preshevës të përfshihet në agjendën e bisedimeve finale me Serbinë, në Bruksel. Megjithëkëtë, Kamberi ka thënë se ata nuk kanë pritur që të përfshihen në ekipin negociator. “Ne nuk kemi pritur që Lugina e Preshevës të përfshihet edhe me person konkret në ekipin e bisedimeve, pasi që kjo vetëm se mund ta rëndojë një situatë edhe ashtu delikate. Ajo që presim ne është që presidenti dhe delegacioni i Kosovës t’i prezantojnë interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në këto bisedime”, ka deklaruar ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Ai me këtë rast është shprehur optimist se përfaqësuesit e Kosovës në bisedime do ta bëjnë një gjë të tillë, t’i prezantojnë interesat e shqiptarëve në Bruksel për të gjetur së pari zgjidhje për një marrëveshje bilaterale të qëndrueshme, e cila garanton paqen afatgjate në Ballkanin Perëndimor.

Kjo pasi, sipas Kamberit, është momenti i fundit që mund të gjendet zgjidhje për Luginën e Preshevës. Prandaj, siç ai është shprehur, ky shans nuk duhet humbur.

Edhe Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ragmi Mustafa, ka thënë se mospërfshirja e përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës në delegacionin shtetëror nuk përbën ndonjë problem të madh. “Lugina e Preshevës është pjesë shpirtërore e territorit të Republikës së Kosovës, prandaj nuk është me rëndësi të madhe se a do jetë ose nuk do jetë pjesë e ekipit negociator të shtetit të saj”, ka deklaruar Mustafa.

Ai më tej ka thënë se Parlamenti i Kosovës ka miratuar tashmë një rezolutë për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe kjo, siç ai është shprehur, obligon institucionet e Kosovës që të merren me statusin e shqiptarëve të Luginës.

Duke qenë se bisedimeve me Serbinë po u vjen fundi, Mustafa thotë se nuk është e nevojshme, aq më parë e domosdoshme, përfshirja e politikës shqiptare nga Lugina në bisedimet e Brukselit. Por kjo, sipas tij, nuk nënkupton që ekipi negociator të mos ndiejë përgjegjësi ndaj shqiptarëve të “okupuar” në Luginë të Preshevës.