BE-ja, pa datë për hapjen e urës në Mitrovicë

Aktuale January 07, 2019 - 08:06
Lexo detajet

Image

Image

 

Ura kryesore e lumit Ibër, e cila qytetin e Mitrovicës e ndan në veri dhe në jug, ishte planifikuar të hapej për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve më 4 mars 2017. Frederica Mogherini kishte ardhur në Mitrovicë për ta përuruar urën, por kryetari i komunës veriore, Goran Rakiq, kishte kundërshtuar. Edhe pas dy vjetëve ura mbetet e mbyllur, ndërsa Bashkimi Evropian ende nuk ka ndonjë datë për hapjen e saj, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse punët në revitalizimin e urës mbi lumin Ibër, si dhe të rrugës “Mbreti Peter” në veri qëmoti kanë përfunduar, projekti 3.1-milionësh i Bashkimit Evropian nuk ka shkuar deri në fund, pasi ura nuk është hapur për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve.

LEXO EDHE: Tre vjet president, afër PDK-së, larg opozitës

Madje Bashkimi Evropian ende nuk ka ndonjë datë se kur simboli i ndarjes së Mitrovicës do të hapet për qarkullim.

“Teknikisht punimet për revitalizimin e urës kryesore dhe rrethinave të saj në Mitrovicë kanë përfunduar. BE-ja po punon si me Beogradin, ashtu edhe me Prishtinën. Të gjitha marrëveshjet e dialogut që kanë të bëjnë me urën do të zbatohen tërësisht sa më shpejt që është e mundur”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Bashkimit Evropian.

Ura kryesore e lumit Ibër ishte planifikuar të hapej për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve më 4 mars 2017. Madje përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederica Mogherini, kishte ardhur në Mitrovicë për ta përuruar urën, por kryetari i Komunës Veriore, Goran Rakiq, kishte kundërshtuar me arsyetimin se revitalizimi i pjesës veriore të urës dhe zona e këmbësorëve në rrugën “Mbreti Petër” nuk kanë përfunduar. Madje Rakiq i kishte thënë Mogherinit se ura nuk do të hapet edhe nëse punët në projektin e BE-së përfundojnë pa u definuar paraprakisht kufiri që ndan Mitrovicën në jug dhe në veri.

Mogherini, e cila kishte ardhur më 4 mars 2017 për ta përuruar hapjen e urës së Ibrit, duke hasur në kundërshtimin e kryetarit të veriut të Mitrovicës Goran Rakiq, ishte detyruar të arsyetohej “se për ta hapur urën për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve duhet pritur edhe disa muaj”.

“Revitalizimi i plotë i urës kryesore mbi lumin Ibër mund të marrë edhe disa muaj. Jam e kënaqur me punën që është bërë”, pati thënë shefja e diplomacisë evropiane Frederica Mogherini. Pas kësaj janë dhënë edhe disa data për hapjen e urës, por asnjëra nuk është realizuar për shkak, siç kanë thënë në Komunën Jugore të Mitrovicës, “të obstruksioneve të kryetarit verior Goran Rakiq”.

Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës së Jugut, ka ripërsëritur shumë herë se njeriu kryesor që pengon hapjen e urës është pikërisht kryetari në dorëheqje i Komunës Veriore të Mitrovicës Goran Rakiq, i cili njihet edhe për idenë e vendosjes së të ashtuquajturit “Park i paqes”, një barrikadë në urën kryesore të Ibrit, në vend të barrikadës prej zhavorri të përforcuar me beton, të cilët serbë e kishin vendosur në korrikun e vitit 2011, pas ndërhyrjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës ROSU për të marrë pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë, me ç’rast ishte vrarë polici Enver Zymberi.

Rakiq gjithashtu kishte urdhëruar ndërtimin e një muri të lartë mbi 2.5 metra në pjesën veriore të urës, por muri ishte rrënuar pas ndërhyrjes së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës.

Një datë tjetër që ishte dhënë për hapjen e urës së Ibrit ishte qershori i vitit 2018. Ishte kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri i cili kishte insistuar që ura të hapej, pasi që punët kishin përfunduar. Bahtiri ka thënë se për hapjen e urës kishte biseduar edhe me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostollova, së cilës ia kishte bërë të ditur se punët në revitalizimin e urës në pjesën veriore dhe në ndërtimin e zonës së këmbësorëve në rrugën “Mbreti Petër” kanë përfunduar.

Se ura nuk do të hapet në vitin që lamë pas e kishte thënë edhe Adriana Hoxhiq, shefe e Administratës Komunale në Komunën Veriore të Mitrovicës. Hoxhiq, e cila është bashkëpunëtore e ngushtë e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, tashmë të dorëhequr Goran Rakiq, gjithë projektin e revitalizimit të urës e kishte quajtur projekt politik.

“Mendoj se komplet ajo pjesë është një projekt politik. Unë vetëm shpresoj se projekti së shpejti do të përfundojë, pasi ka mbetur vetëm edhe një segment që përbën tërësinë e projektit, natyrisht nëse përfundon gjatë këtij viti”, pati thënë Hoxhiq, duke treguar për ndonjë datë të mundshme kur do të mundë të hapej ura. Sipas saj, hapja e urës do të mundë të ndodhte vetëm në vitin 2019.

Mehmet Sadiku, inxhinier, thotë se ura e Ibrit nuk do të hapet as në vitin 2019.

“Kështu si është situata tani ura nuk do të hapet për qarkullim të automjeteve as në vitin 2019. Kanë ndodhur shumë ngjarje që e kanë qitur në harresë urën. BE-ja nuk është në gjendje të bëjë asgjë, edhe pse është financuesi i projektit të revitalizimit të urës. Ka dy vjet që ura është dashur të hapej, ishte premtim i BE-së, por si duket edhe ata janë të pafuqishëm përballë serbëve të veriut, posaçërisht përballë Rakiqit”, thotë ai.

Në anën tjetër, ai i cili me ngulm kërkonte hapjen e urës dhe siguronte se në ceremoninë e hapjes së urës do të performojë ylli i muzikës kolumbiane Shakira, Agim Bahtiri fajin për vonesat ua lë proceseve të tjera, posaçërisht dorëheqjes së kryetarëve të komunave veriore. Ai ripërsërit se me Apostolloven dhe me Rakiqin ishin marrë vesh që ura të hapet në shtator të vitit të kaluar, ndonëse punët, siç thoshte Hoxhiq, ende nuk kishin përfunduar.

“Ne ishim marrë vesh me Rakiqin dhe me Apostolloven që ura të hapet në shtator, por kjo nuk ndodhi për shkak të mosgatishmërisë së strukturave komunale të komunës veriore, si dhe për shkak të një varg ngjarjesh që ndodhën në ndërkohë. Jam i bindur dhe siguroj se ura do të hapet patjetër. Ura nuk do të jetë dhe nuk duhet të jetë temë e bisedimeve të delegacionit të Kosovës në Bruksel. Edhe ideja për ndarjen e Kosovës ka ndikuar që ura të mos hapet”, ka thënë Bahtiri.

Ai madje së fundi ka dalë me iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave me qëllim bashkimin e qytetit të Mitrovicës, por Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte refuzuar që kërkesën për ndryshimin e këtij ligji dhe vendimin e Kuvendit të Mitrovicës ta procedojë në Kuvendin e Kosovës. Pas kësaj kryetari Bahtiri inicioi nënshkrimin e një peticioni të qytetarëve, të cilin e kanë nënshkruar, sipas të parit të Mitrovicës, mbi 10 mijë mitrovicas, në mesin e të cilëve edhe serbë./ZERI