Tre vjet president, afër PDK-së, larg opozitës

Aktuale January 07, 2019 - 07:53
Lexo detajet
Image

Hashim Thaçi muajin e ardhshëm i bën tre vjet prejse është zgjedhur president i Republikës së Kosovës. Edhe pas përfundimit të gjysmës së mandatit të tij ai nuk ka arritur ta luajë rolin e unifikuesit. Madje së fundi është parë në takime me ish-bashkëpartiakët e tij (PDK), të cilët kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria, shkruan sot gazeta "Zëri".

Muajin që vjen bëhen tre vjet prejse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është zgjedhur kryetar i Republikës së Kosovës. Më 26 shkurt 2016 Thaçi mezi ia pati dalë që të vinte në krye të shtetit. Tek në rundin e tretë ish-lideri i PDK-së kishte arritur që t’i merrte votat e mjaftueshme, 71 sosh, për t’u bërë president i Republikës së Kosovës.

LEXO EDHE: Thaçi tregon se kur Kosova do ta hiqte taksën ndaj Serbisë

Por pavarësisht zotimit të tij se do të ishte figurë unifikuese, përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se pos që nuk ka qenë unifikues, Thaçi gjatë kësaj periudhe trevjeçare ka luajtur më shumë rolin e përçarësit. Në anën tjetër, ndonëse para tre vjetësh ai ishte dorëhequr nga subjekti të cilin e kishte drejtuar për vite të tëra nuk ka reshtur së zhvilluari takime me figurat kryesore të ish-partisë së tij, PDK-së.

Së fundi presidenti ka darkuar me pasardhësin e tij në Partinë Demokratike të Kosovës Kadri Veselin, nënkryetarin e PDK-së Enver Hoxhajn e figura të tjera të PDK-së, si Hajredin Kuçi, Adem Grabovci, Bedri Hamza e Sami Lushtaku. Takimet e darkat e tilla të kreut të shtetit përfaqësuesit e PDK-së i cilësojnë krejtësisht normale. Por kështu nuk mendojnë zyrtarët e Nismës Socialdemokrate. Përkundrazi, ata konsiderojnë se Thaçi ende nuk i ka shkëputur raportet me ish-partinë e tij dhe si rrjedhojë nuk mund të jetë unifikues siç e kërkon Kushtetuta.

Opozita: Thaçi figurë përçarëse, e ka futur vendin në rrugë pa krye

Forma se si presidenti i Kosovës kishte marrë mandatin më 2016-n, sipas deputetes së LVV-së Albulena Haxhiut, tregon më së miri se ai nuk përfaqëson unitetin e popullit.

“Mënyra sesi është zgjedhur presidenti Thaçi, në njërën anë me tytat e armëve të drejtuara qytetarëve dhe me burgosje të deputetëve opozitarë, ka qenë dëshmia se ky person nuk përfaqëson unitetin e popullit, siç do të duhej të ishte dhe siç parashihet me Kushtetutën e vendit”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka deklaruar se kreu i shtetit nuk e ka as mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit. Një gjë e tillë sipas saj është dëshmuar në seancën e fundit, ku presidenti u është drejtuar deputetëve, në të të cilën, siç ajo është shprehur, nuk kishin qenë prezentë as 40 deputetë gjithsej.

“Thjesht është në pozicionin më të ulët politik. Fatkeqësisht Kosova ka një president që është figurë përçarëse, i cili nuk ka zgjedhur mjet për ta luftuar opozitën dhe në anën tjetër qëndron me të dyja këmbët në PDK dhe jo vetëm kaq. I njëjti e ka futur vendin në një rrugë pa krye me aventurat e tij të rrezikshme e personale, prandaj as qytetarët dhe as Kosova nuk e meriton një person të tillë”, ka nënvizuar deputetja e LVV-së gjatë një prononcimi për “Zërin”.

PDK: Takimet e Thaçit me miq, normale

Pavarësisht kritikave të opozitarëve karshi presidentit, deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka konsideruar se takimet private të kreut të shtetit me figurat e PDK-së janë krejtësisht normale.

“Darkat private e ndejat me miqtë e vet janë normale dhe nuk domethënë që është takim nëse Thaçi shkon me Kadri Veselin ose shokët e vet më të afërt”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, Haliti ka thënë se kreu i shtetit duhet të bëjë përpjekje edhe më tutje për ta luajtur rolin unifikues dhe për t’i trajtuar temat të cilat i ka përgjegjësi kushtetuese.

Edhe sipas deputetit të AAK-së Rasim Selmanajt, presidenti ka bërë përpjekje për të qenë unifikues, por sipas tij partitë opozitare kanë qenë ato që nuk kanë pranuar t’i përgjigjen asnjë ftese të presidentit për asgjë.

“Ka pasur refuzim të partive të tjera dhe prandaj nuk ka mundur ta luajë edhe rolin unifikues. Partitë opozitare në vazhdimësi kanë pasur ftesa, por ato vazhdojnë ta refuzojnë çdo takim me presidentin. Kështu e kemi situatën tash për tash”, ka deklaruar Selmanaj.

Nisma: Presidenti nuk është shkëputur nga PDK-ja

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, ka thënë se ky subjekt vazhdon të mendojë njëjtë sikurse para tre vjetësh sa i përket presidentit Thaçi, se ai është figurë jounifikuese.

“Sigurisht ai ka dalë prej PDK-së, ka udhëhequr PDK-në dhe mund të jetë ende në shërbim të PDK-së. Më befason ndokush nëse ka menduar që mund të jetë një president i shkëputur nga PDK-ja”, ka theksuar Hoti, duke thënë se roli i kreut të shtetit është dashur të jetë unifikues, përtej një subjekti politik.

Në anën tjetër Rasim Alija, nga organizata joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka vlerësuar se kreu i shtetit qysh nga fillimi është përballur me kontestim të figurës së tij si president.

“Kujtojmë rrethanat e zgjedhjes së tij si president aso kohe të shoqëruara me protesta e gaz lotsjellës nga blloku opozitar i asaj kohe. Jo rrallëherë presidenti ka sulmuar partitë opozitare, duke mos e reflektuar rolin unifikues të cilin e ka të përcaktuar edhe sipas Kushtetutës së Republikës”, ka potencuar ai.

Madje sipas Alijës në raste të caktuara presidenti ka kontribuar qëllimshëm që të krijohen polarizime në skenën politike me qëndrimet e tij, duke nisur nga sulmet ndaj partive opozitare, qëndrimet kundërthënëse për dialogun e deri te bllokada e emërimeve të anëtarëve të KQZ-së në dëm të subjekteve opozitare.

“Unë nuk shoh as rol konstruktiv e as rol unifikues, të cilin është dashur ta ketë presidenti. Madje takimet e shpeshta publike me njerëz të cilët janë figura që kanë aktakuza të ngritura dhe hetohen nga sistemi gjyqësor i Kosovës nuk janë as forma e as mesazhi që duhet dhënë karshi qytetarëve e institucioneve të vendit”, ka nënvizuar ai.

Kurse profesori i shkencave politike Dashnim Ismajli ka vlerësuar se një president që vjen nëpërmjet rrugëve jodemokratike edhe funksionin e tij kushtetues e ushtron duke mos e përfillur, pandërgjegjshëm dhe me veprime jodemokratike. Sipas tij, i pari i shtetit është i njohur mjaftueshëm për veprime antikushtetuese, rrjedhimisht, siç Ismajli është shprehur, nuk është pritur që Thaçi të jetë unifikues.

“Përgjatë mandatit të tij presidencial më shumë sillet si militant partiak sesa si president i vendit. Unë presidentin Thaçi e kujtoj vetëm si një njeri që bën politikë inatesh, shtetrrënuese dhe në shërbim të klientelës, më se i shquar me apetite të pangopura për pushtet”, është shprehur ai.

Për të qenë në harmoni të plotë me përgjegjësitë kushtetuese presidenti sipas tij nuk duhet të bëjë gjë tjetër, përpos që t’i ndjekë dhe t’i përfillë me përpikëri përgjegjësitë që ia garanton Kushtetuta.

“Hashim Thaçi nuk mendoj se gëzon kredibilitet të mjaftueshëm për të udhëhequr me një institucion të tillë”, ka nënvizuar Ismajli. /ZERI