Festa në fshatin më të dekoruar në Kosovë

Aktuale January 03, 2019 - 08:06
Lexo tjera detaje
Image

Duke i dhënë një pamje madhështore fshatit e duke e vënë në pah shpirtin festiv të tyre, banorët e Trakaniqit kishin nisur kremtimin e festave të fundvitit qysh në fillim të dhjetorit 2018. Me shumë dëshirë e me pak mund banorët i dhuruan hijeshinë që i takon fshatit të tyre me shumicë katolike për ta përgatitur atë për festën e tij më të madhe, festën e Krishtlindjeve, shrkuan sot Gazeta "Zëri".

Përderisa në shumë qytete të Kosovës, duke përfshirë edhe kryeqytetin, as nuk i kishin nisur dekorimet, në këtë fshat të komunës së Gjakovës ishin mobilizuar që në fillim të dhjetorit gjithçka të ishte e përfunduar. Në mes të Trakaniqit banorët kishin vendosur “Betlehemin”, vendin e improvizuar ku kishte lindur Jezusi, e anash tij shërbeheshin verëra e pije të ndryshme. Kësaj feste pa dyshim që nuk i mungonte as muzika, zmadhues zëri ishin vendosur nëpër qoshe të ndryshme të rrugëve.

Tradita unike e festimit nëpër rrugët e Trakaniqit

Pashk Gjokaj, nga Trakaniqi, ka thënë për “Zërin” se banorët e këtij fshati ndërrimin e viteve zakonisht e presin jashtë shtëpive, duke pjekur mish afër “Betlehemit” dhe duke pirë pije e verëra që i kultivojnë vetë nëpër shtëpi. “Zakonisht mblidhemi këtu i gjithë fshati e pjekim mish, me atë pjekjen klasike, në helli dhe mblidhemi e gjithë rinia e festojmë, e presim dhe ia urojmë njëri-tjetrit ndërrimin e moteve”, u shpreh Gjokaj.

Gjokaj theksoi se ka afër 25 vjet që Trakaniqi e ruan këtë traditë të zbukurimit e të festimit. Për këtë vit dekorimet banorëve u kanë kushtuar afër 2000 euro, të cilat i kanë mbledhur shtëpi për shtëpi. “Zbukurimet kanë filluar brenda shtëpive, mirëpo para 25 vjetëve përafërsisht e kemi zbukuruar fshatin, ku organizim e bëjnë të gjithë të rinjtë e fshatit”, pohoi Gjokaj.

Edhe në ditët e zakonshme para Krishtlindjeve e para Vitit të Ri, posa afron mbrëmja, kokteji afër “Betlemhemit” të këtij fshati i bënë bashkë banorët pavarësisht moshave, të cilët për çdo ditë të lume festën e nisin në mbrëmje dhe e përfundojnë në mëngjes. “Aty në atë këndin atje kemi vendosur disa pije, të cilat janë kontribut i banorëve të këtushëm, janë 24 orë në shërbim të banorëve dhe kushdo që kalon këtej pari mund të shërbehet”, ka thënë Gjokaj.

Martin Kolaj, banor i këtij fshati, tregoi se ky lloj kokteji ishte hapur më 10 dhjetor 2018 dhe zgjat deri më 2 janar 2019.

Kisha që i bën dritë Pjetërshanit

Pak kilometra larg nga Trakaniqi, festa kishte nisur edhe në Pjetërshan të Gjakovës, aty pjestarët e famullisë e kishin zbukuruar Kishën, duke e bërë krejtësisht gati për festat e fundvitit. Pavarësisht se Kisha posedonte një oborr goxha të madh, asnjë pëllëmbë e tij nuk kishte mbetur pa u dekoruar, si e tillë kjo Kishë e ndriçonte tërë fshatin. Për këtë ishin përkujdesur kryesisht 8 të rinj të famullisë bashkë me ndihmat financiare nga besimtarët katolikë të fshatit.

Prifti i kësaj famullie, Don Marjani, ka treguar për “Zërin” se ka vite të tëra që Pjetërshani zbukuron në këtë mënyrë Kishën, e cila kësaj radhe për dallim prej herëve tjera ishte dekoruar vetëm me një ngjyrë. “Këtë vit kemi dashur ta ndryshojmë prej viteve tjera, kemi dashur t’ia japim një ngjyrë krejt objektit dhe jashtë objektit, pishave, është një ngjyrë e ngrohtë, sepse edhe festa e krishtlindjeve për të cilën jemi duke u përgatitur na thërret të gjithëve në ngrohtësinë e saj”, ka thënë Don Marjani.

Don Marjani foli edhe për rëndësinë që kanë festat e fundvitit në Pjetërshan, me theks të veçantë festa e Krishtlindjeve. “Festat e fundvitit, në mënyrë të veçantë për fshatin Pjetërshan ka festa e Krishtlindjes, sepse festa e Krishtlindjes nuk është thjesht një përkujtim, por është festë kur Zoti është mishëruar, është bërë njeri, do të thotë ka lindur biri i zotit prej virgjrës Mari, është një rilindje shpirtërore e cila thërret çdonjërin prej nesh që të meditojë dhe të reflektojë mbi jetën e tij, e cila i jep një shpresë, pastaj festa e Krishtlindjes është festë gëzimi, festë shprese, festë dashurie e festë solidariteti”, u shpreh prifti i Pjetërshanit.

I riu i famullisë, i cili pesonalisht ishte angazhuar për pjesën e ndriçimit, Nikollë Nue, pohoi se nuk kanë pasur vështirësi gjatë këtij procesi. “Ndriçimi ka shkuar shumë mirë, shumë lehtë, në fakt edhe me donacionet që na kanë bërë, kështu që kemi pasur drita të reja për ta bërë ndriçimin dhe e kemi pasur mënyrën shumë më të lehtë. Kemi qenë rreth 8-14 vetë që kemi kontribuuar në ndriçim”, ka thënë Nue.

Prifti tregoi se para 4 vjetëve Kisha e Pjetërshanit e kishte marrë vendin e 31-të në botë për dekorim. Ndryshe nga Trakaniqi, të cilët ndërrimin e moteve e përjetojnë në ambient të hapur, në Pjetërshan kjo festë pritet brenda shtëpive, duke vizituar familjet njëra-tjetrën.

Me ndriçim, dekorim, pije, ushqim, muzikë e festë nëpër rrugë Trakaniqi e Pjetërshani e përmbyllën vitin 2018./ZËRI

Image