Janari special

Aktuale January 03, 2019 - 07:48
Lexo tjera detaje
Image

Gati dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë ish-eprorët e UÇK-së do të shkojnë në Hagë me ftesë të Gjykatës Speciale. Pas dhjetë ditësh te selia e kësaj të fundit do të udhëtojnë ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku. Ndërsa pak ditë më vonë do të intervistohen edhe disa ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Tre vjet pas votimit të Kuvendit të Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, tek në dhjetorin e vitit që lamë pas erdhën edhe ftesat e para nga prokurori i specializuar. Ish-komandanti i UÇK-së Rrustem Mustafa ishte personi i parë i cili publikisht bëri të ditur që është ftuar nga prokurori i specializuar për intervistim.

Mustafa i njohur me nofkën “Remi” më 14 janar të këtij viti do të paraqitet në Hagë për t’u intervistuar. Në po të njëjtën datë është ftuar edhe ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku. Ndërkohë, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Remzi Shala, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”, ka marrë urdhër që të paraqitet në Hagë më 17 janar të vitit 2019, ndërsa ish-komandanti i UÇK-së Nazif Mehmetit, i njohur si komandant “Dini”, është ftuar nga Gjykata Speciale më datën 22, 23 dhe 24 janar. Ende nuk dihet nëse ata do të intervistohen në cilësinë e të dyshuarve ose vetëm si dëshmitarë.

Ndërkohë, njohësit e sistemit të drejtësisë, si dhe avokatë të akredituar nga Gjykata Speciale thonë që viti 2019 do të jetë vit i aktivizimit të Gjykatës Speciale. Ata vlerësojnë që përpos ftesave që tashmë janë bërë publike, Gjykata Speciale do të dërgojë edhe ftesa të tjera, ku do të përfshihen edhe emra të liderëve shtetërorë.
 

Specialja do të rrisë aktivitetin në vitin 2019
 

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së Sokol Dobruna, i cili tashmë është intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Kosovë, ka thënë për “Zërin” që pas intervistimit nuk i është dhënë një datë se kur duhet të paraqitet përsëri për intervistim.
“Intervistimi (në Kosovë) ka shkuar mirë, përveç asaj, pas përfundimit më kanë thënë që shumë më vonë do të flasim përsëri, por nuk më kanë caktuar datë. Këtë vit do të na thërrasin, e pres ftesën prej tyre”, ka thënë shkurt ai.

Ndërsa Artan Qerkini, i cili është avokat i akredituar nga Gjykata Speciale, për gazetën “Zëri” ka thënë që dërgimi i ftesave të para nga kjo gjykatë është paralajmërim i fillimit të punës së Gjykatës Speciale, e cila sipas tij nuk do të ndalet vetëm me këto ftesa. “Marrja në pyetje e personit të dyshuar është veprimi i fundit hetimor dhe pas kësaj Prokuroria do të vendosë nëse do të pushojë procedurën ose do të ngrejë aktakuzë, varësisht prej rezultatit të procedurës provuese në fazën e hetimeve. Prokuroria thjesht me dërgimin e këtyre ftesave na ka bërë me dije të gjithëve se edhe në vitin 2019 do të vazhdojë me këtë aktivitet”, ka thënë Qerkini.

Mirëpo ai ka theksuar se paraprakisht do të duhej që të sqarohet se në çfarë cilësie janë ftuar personat e parë nga Gjykata Speciale. Së pari, duhet të sqarohen dilemat që janë krijuar në opinion se në çfarë cilësie janë ftuar personat e parë, në cilësinë e të dyshuarit ose të dëshmitarëve, sepse procedura e të dyshuarit dallon dukshëm prej pozitës procedurale të dëshmitarit, prandaj kjo duhet të sqarohet. Meqenëse nuk i kam parë ftesat nuk mund të them asgjë, mirëpo parimisht kjo çështje duhet të sqarohet, sepse nëse nuk ndodh kjo nuk mund të themi se është duke u zhvilluar një proces i rregullt ligjor”, ka potencuar ai.

Gashi: Të ftuarit për intervistim nga Specialja, në cilësinë e të dyshuarve

Kurse avokati Tomë Gashi ka thënë për “Zërin” se pavarësisht faktit që tashmë janë bërë publike ftesat vetëm për disa persona nga Gjykata Speciale, ka edhe të tjerë që ende nuk i kanë bërë publike ftesat e Speciales. “Përpos emrave që janë bërë publikë, deri më tani janë ftuar edhe persona të tjerë që nuk janë bërë publikë, por këta nuk janë të vetmit që do të ftohen nga Gjykata Speciale, për shkak se kjo gjykatë nuk ka afat të punës së saj. Askush nuk duhet të gëzohet duke pretenduar se nuk do të jetë në shënjestër të Gjykatës Speciale, sepse Zyra e Prokurorit Special do të jetë aktive dhe nuk ka një afat të caktuar e asnjë listë të personave me të cilët do të merret”, ka thënë ai.

Gashi ka vlerësuar se viti 2019 do të jetë vit i Gjykatës Speciale. “Viti 2019 do të jetë viti i fillimit të punës së Gjykatës Speciale dhe tani jemi vetëm në prag të fillimit të kësaj gjykate dhe nga mesi i këtij muaji do të merren në pyetje në Hagë e jo në Kosovë personat e parë që janë ftuar atje si të dyshuar”, ka theksuar ai.

Sipas Gashit, të gjithë emrat e ftuar nga Gjykata, që janë bërë publikë deri tani, janë thirrur në cilësinë e të dyshuarve. “Të gjithë që janë ftuar në Hagë, edhe pse ata nuk e thonë, janë në cilësinë e të dyshuarve, jo të dëshmitarëve dhe pas deklarimeve të tyre Prokuroria mund të kërkojë arrestimin e tyre, sepse në bazë të ligjit është e paraparë që dikush mund të mbrohet edhe në liri e në raste të caktuara mund të kërkohet edhe ndalimi i tyre. Ata e dinë në çfarë cilësie janë ftuar dhe i dinë të drejtat e tyre, sepse Prokuroria në ftesat që u ka dërguar ka dërguar edhe shkresa me të cilat atyre u kërkohet dokumentacion i caktuar që kanë për të dëshmuar lidhur me atë që do të merren në pyetje”, ka thënë ai./ZËRI