Ambasadori që udhëton me autobus

Aktuale January 01, 2019 - 09:51
Detajet
Image

Jean-Louis Servais është ambasador i Belgjikës në Kosovë, i cili shpeshherë shmang eskortën e tij dhe shfrytëzon transportin publik të Prishtinës. Diplomati belg në intervistën për numrin festiv të “Zërit” thotë se nivel i rehatisë i ofruar nga autobusët e rinj të Prishtinës është mbresëlënës. Përpos transportit publik ai ka fjalë të mira edhe për sistemin shëndetësor në vend dhe thotë se mjekët e infermierët janë të kualifikuar. “Ndoshta disa infrastruktura duhet të modernizohen, por mjekët e infermierët tuaj njihen si njerëz të kualifikuar dhe kjo përputhet me përvojën tonë. Pikërisht kjo është arsyeja pse gruaja ime vendosi të lindë vajzën tonë të dytë në Kosovë”, pohon ambasadori Jean-Louis Servais, shkruan gazeta "Zëri".

Cilësia e ajrit, shqetësuese për të gjithë

Zëri: Ka kaluar një kohë prejse jeni duke jetuar në Prishtinë. A jeni ambientuar me ajrin e ndotur dhe si e shihni zgjidhjen e këtij problemi?

Louis Servais
: Cilësia e ajrit është pa dyshim një shqetësim për të gjithë në Prishtinë, veçanërisht gjatë dimrit. Zgjidhja ndoshta mund të nxirrej vetëm nga një përzierje e masave: izolimi i ndërtesave, makina më të reja, promovimi i transportit publik, sistemet e ngrohjes më të pastra, termocentralet më të pastra etj. Më kanë thënë se gjendja është përmirësuar për fat të mirë, duke u krahasuar me disa vite më parë.

Zëri: Në cilin vend të Kosovës ju pëlqen t’i kaloni fundjavat?

Louis Servais: Kosova ka shumë vende të mira dhe ka një larmi të vërtetë të peizazheve. E shoqëruar me dashamirësinë dhe me mikpritjen e popullit kosovar është shumë lehtë të kalosh fundjavë të bukur në Kosovë.

Vajza e dytë i lindi në Kosovë

LEXO EDHE: Ambasadori gjerman: Tri gjëra që do t’i ndryshoja me shkopin magjik në Kosovë

 

Zëri: A keni besim në shëndetësinë kosovare, përkatësisht a keni pasur rast gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë t’u drejtoheni mjekëve kosovarë për nevoja të ndryshme shëndetësore?

Louis Servais: Përvoja jonë me sistemin shëndetësor të Kosovës është me të vërtetë pozitive, si me sistemin publik dhe si me atë privat. Kosova ka trashëguar një traditë të cilësisë në fushën e kujdesit shëndetësor. Ndoshta disa infrastruktura duhet të modernizohen, por mjekët e infermierët tuaj njihen si njerëz të kualifikuar dhe kjo përputhet me përvojën tonë. Pikërisht kjo është arsyeja pse gruaja ime vendosi të lindë vajzën tonë të dytë në Kosovë.

Zëri: A e shfrytëzoni transportin publik të Kosovës dhe a ju bezdis trafiku i ngarkuar?

Louis Servais: Po, unë përdor transportin publik në Prishtinë dhe duhet të them se niveli i rehatisë së ofruar nga autobusët e rinj është mbresëlënës. Trafiku është me të vërtetë i zënë dhe është rritur në mënyrë drastike. Qyteti i Prishtinës është rritur shumë për një periudhë të shkurtër kohore, e logjikisht trafiku ka ndjekur të njëjtin ritëm.

Zëri: A dëgjoni muzikë të këngëtarëve kosovarë dhe kë do ta veçoje?

Louis Servais: Sigurisht se Kosova ka ambasadorë muzikorë të njohur ndërkombëtarisht si: Dua Lipa, Rita Ora e Era Estrefi. Edhe kompania juaj e baletit e orkestra juaj e filarmonisë meritojnë të përmenden. Në mbarë botën artistët tuaj e forcojnë imazhin e Kosovës si një vend i hapur, modern dhe krijues.

Lojtarët tuaj janë mbresëlënës, si Januzaj


Zëri: A e keni përcjellë ndonjë ndeshje të Përfaqësues së Kosovës në futboll dhe si e vlerësoni performancën e saj të deritanishme?

Louis Servais: Ekipi juaj kombëtar ka luajtur shumë mirë dhe ka arritur rezultate shumë të mira. Aftësitë teknike të lojtarëve tuaj janë mjaft të larta. Si belg mendja më shkon në mënyrë spontane tek Adnan Januzaj, i cili luan për ekipin kombëtar belg “Djajtë e Kuq”. Me të vërtetë lojtarët tuaj janë mbresëlënës.

Zëri: Çka ka të përbashkët Kosova me vendin tuaj?

Louis Servais: Kosova dhe Belgjika kanë një shumëllojshmëri të brendshme, pasi ato përbëhen nga komunitete të ndryshme. Dy vendet tona kanë institucione që pasqyrojnë atë larmi dhe që të cilat e mbrojnë atë me standarde të larta ligjore. Sistemet tona politike bazohen gjithashtu në një sistem proporcional të zgjedhjeve dhe qeveritë e koalicionit. Nga kjo pikëpamje dialogu midis forcave të ndryshme politike është jetik si në Kosovë, ashtu edhe në Belgjikë.

Zëri: Po ta kishit mundësinë, cilat do të ishin tri gjërat që do t’i ndryshonit në Kosovë?

Louis Servais: Do të përmend dy pyetje për të cilat autoritetet kosovare janë në dijeni dhe janë duke punuar për to: përmirësimi i cilësisë së ajrit, si dhe forcimi i qasjes në arsim. Do të doja që realiteti aktual i Kosovës do të ishte më i njohur, veçanërisht jashtë vendit. Për fat të keq, imazhet dhe perceptimet e vjetra janë ende gjallë. Por Kosova vazhdimisht po ndryshon dhe po ecën përpara. Perceptimi më i mirë dhe informimi i realitetit të Kosovës do të ndihmonte në shfrytëzimin më të mirë të potencialit të madh të këtij vendi./ZERI/