Miratohet në parim buxheti i Kosovës për vitin 2019

Aktuale December 22, 2018 - 08:00
Lexo tjera detaje
Image

Me 60 vota pro deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për Vitin 2019. Pro këtij projektligji votuan deputetët e koalicionit PAN dhe deputetët e Partisë Socialdemokrate. LDK-ja e LVV-ja bojkotuan përsëri seancën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së djeshme ka miratuar në parim Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019. Nga 62 deputetë që morën pjesë në votimin e këtij projektligji, 60 prej tyre ishin pro. Me këtë rast kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se është e rëndësishme për qytetarët që ky projektbuxhet të kalohet. Përpos deputetëve të koalicionit PAN pro këtij buxheti votuan edhe deputetë të Partisë Socialdemokrate. Ndërsa për votimin e buxhetit në sallë nuk qëndruan deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat e bojkotuan atë. Në mungesë të kuorumit votimi i pikave tjera të rendit të ditës u shty për një ditë tjetër.

PSD-ja me kërkesa për buxhetin e vitit 2019

Para se të votohej ky projektligj shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ka thënë se kjo parti ka mospajtime për këtë buxhet. “Partia Socialdemokrate e ka shqyrtuar me kujdes Projektligjin për Buxhet dhe ka mospajtime në mënyrën se si janë të definuara prioritetet dhe mungesën e një qasjeje zhvillimore. Të gjitha këto i kemi shpërfaqur edhe në diskutimet tona gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Ndarjet Buxhetore. Nuk pajtohemi në asnjë rrethanë që buxheti i Kosovës, pagat, investimet dhe orientimet e tjera zhvillimore, sado problematike që janë, të ndalen ose të pengohen nga Serbia, edhe sot 20 vjet pas çlirimit të Kosovës”, ka thënë ai, shkruan Gazeta "Zëri". 

Sipas tij, në mënyrë që PSD-ja të përkrahë projektbuxhetin ajo ka disa kërkesa: “Ligji për Paga të miratohet në lexim të dytë së bashku me leximin e dytë të Projektbuxhetit, pra në të njëjtën seancë. Ligji për Dialogun të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend jo më larg se ditën e hënë, pra më datën 24.12.2018. Ligji për Qeverinë të sillet në Kuvend për miratim jo më larg se 3 muaj nga sot. I nderuari kryeministër, kërkojmë nga ju funksionalizimin e plotë të Ministrisë së Bujqësisë. Kërkesa jonë e fundit është që të themelohet një komision i veçantë për draftimin e Kodit Pensional dhe të reformës së plotë. Ky komision duhet të udhëhiqet nga PSD-ja”, ka thënë ai.

Pas Sejdiut fjalën e morri kryeministri Ramush Haradinaj, me ç’rast ai tha se koalicioni qeverisës do t’i marrë si obligim këto kërkesa.

Nuk votohet rezoluta për dështimet në politikën e jashtme

Në seancën plenare të ditës së djeshme në rend të ditës ishte edhe votimi i propozim-rezolutës nga debati lidhur me dështimet dhe me skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës. Edhe pse 79 deputetë ishin në seancë kjo pikë nuk arriti të miratohej, pasi vetëm 39 deputetë morën pjesë në votim. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, me këtë rast ka thënë se opozita nuk deshi të votojë këtë pikë.

Për shkak të mungesës së kuorumit edhe shumë nga pikat tjera të cilat ishin në rend të ditës nuk arritën të votoheshin. Në anën tjetër, pika e 13 - Votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë,  e cila ishte propozuar nga Partia Socialdemokrate u hoq nga rendi i ditës. Vetë shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, kërkoi që kjo pikë të hiqej nga rendi i ditës.

Vazhdon bojkotimi i Kuvendit nga LVV-ja dhe nga LDK-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po vazhdojnë ta bojkotojnë Kuvendin. Në seancën plenare të Kuvendit gjatë ditës së djeshme këto dy subjekte morën pjesë vetëm në fillim të seancës. Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që njëra nga pikat e rendit të ditës, e cila kishte të bënte me një marrëveshje ndërkombëtare, të hidhet në votim menjëherë.

“Në emër të LDK-së paraqes një mocion lidhur me rendin e ditës. Ne kërkojmë që pika e fundit, e cila ka të bëjë me shqyrtimin e Projektligjit për shqyrtimin e Marrëveshjes për Kredi mes Kosovës dhe ‘Unicredit Bank Austria’ për projektin e sistemit për largimin e ujërave të zeza për komunën e Podujevës të renditet si pikë e parë për votim dhe të hidhet në votim menjëherë sa në sallë janë të pranishëm 80 deputetë, pasi për miratim kërkohen dy të tretat e deputetëve të Kuvendit”, ka thënë ai. Pasi nuk pati kuorum për ta hedhur në votim këtë pikë LDK-ja dhe LVV-ja bojkotuan pjesën tjetër të seancës ku u hodh në votim edhe Projektbuxheti i Kosovës për Vitin e Ardhshëm, si dhe pika të tjera të papërfunduara nga seancat e kaluara./ZËRI