LVV-ja kundër, PDK-ja e bindur se projektbuxheti do të kalojë

Aktuale December 21, 2018 - 10:40
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Projektbuxheti i vitit 2019 është bërë shkas i përplasjeve të ashpra mes pozitës dhe opozitës. Deputetët nga radhët e opozitës nuk i kanë lëkundur aspak qëndrimet e tyre për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Ata janë shprehur të bindur se nuk do ta votojnë këtë projektbuxhet. Derisa në anën tjetër deputetët e pozitës janë shumë të bindur se projektbuxheti do të kalojë në seancën e Kuvendit, shkruan Zëri. 

Derisa partitë opozitare janë duke shprehur në vazhdimësi kundërshtime të ashpra sa i përket këtij projektbuxheti me deklarimet e tyre për votën kundër, ato nuk po çojnë peshë për deputetët e pozitës.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj, njëherëësh zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka thënë për gazetën “Zëri” se projektbuxheti do të kalojë në seancën e nesërme (të premten).

“Qëndrimi i opozitës nuk është  i drejtë. Projektbuxheti është në nivel, është qind për qind më i mirë sesa buxheti që është planifikuar kur ka qenë kryeministri i LDK-së dhe ministri i Financave. Buxheti është i ndërtuar me shifra reale dhe janë të përfshira të gjitha projektet me prioritet brenda buxhetit. Opozita nuk ka arsye të mos e votojë buxhetin, por as arsye për të bojkotuar seancën”, është shprehur Hadërgjonaj.

Ajo ka ftuar të gjithë deputetët opozitarë të marrin pjesë në seancë duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

“Unë ftoj të gjithë ata të cilët janë në opozitë të marrin pjesë në mbledhje. E drejtë e tyre është të votojnë për, kundër ose të abstenojnë, por ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre. Unë jam e bindur se buxheti do të kalojë nesër, votat do të jenë dhe do të vazhdojnë në mënyrë normale si gjithherë. Dy grupe parlamentare nuk e përbëjnë Kuvendin, janë vetëm dy grupe parlamentare ka edhe grupe tjera që do të marrin pjesë në votim. Kësaj radhe nuk do të çojë peshë vota e tyre, buxheti do të kalojë”, ka shtuar në mes tjerash deputetja nga radhët e PDK-së. /ZERI