Delegacioni për dialogun, në janar me platformë

Aktuale December 20, 2018 - 07:58
Lexo tjera detaje
Image

Delegacioni shtetëror për dialogun me Serbinë gjatë ditës së djeshme ka mbajtur mbledhjen e parë, e cila u kryesua nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti. Anëtarët e këtij ekipi kanë marrë vendim që deri më 15 janar të dorëzojnë në Kuvend platformën për dialogun, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pas mbledhjes së ekipit negociator për dialogun me Serbinë Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se ai së bashku me kryetarin e partisë Nisma, Fatmir Limajn, do të kryesojnë me radhë takimet e ardhshme të këtij ekipi.

“Jemi dakorduar që bashkë me Limajn t’i udhëheqim takimet. Delegacioni duhet ta dorëzojë platformën dhe atë do ta prezantojnë më 15 janar. Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Mahir Yagcilar dhe Dukagjin Gorani do të punojnë në platformë”, ka thënë ai.

Ai ka shpalosur edhe vendimet të cilat janë marrë gjatë ditës së djeshme nga anëtarët e këtij ekipi sa i përket punës së tyre. “Sot morëm disa vendime. U dakorduam që draftligjin ta procedojmë te Qeveria e Kosovës. Qeveria duhet ta procedojë në Kuvend këtë ligj. Brenda 30 ditëve ne duhet ta prezantojmë platformën për dialogun me Serbinë. Kjo platformë i përcakton parimet për këtë delegacion dhe për dialogun me Serbinë. Platforma do t’i prezantohet Kuvendit të Kosovës. Ne diskutuam në lidhje me buxhetin fillestar, duke përfshirë këtu edhe takimet e para që do t’i bëjmë. Diskutuam edhe për rritjen e grupit punues, si dhe për vendosjen e tij dhe të administratës në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Ahmeti ka kërkuar informata nga kryeministri Haradinaj, si dhe nga presidenti Thaçi për veprimet e fundit të cilat lidhen me dialogun me Serbinë. “Kryeministri para disa ditëve ka prezantuar një dokument. Po ashtu ka pasur edhe takime mes Thaçit e Vuçiqit. Ne kërkojmë që të informohemi për këto çështje”, ka thënë ai.

Ahmeti: LDK-ja e LVV-ja duhet ta dinë se Kosova gjendet në një kohë të rëndësishme

I pari i Prishtinës ka folur edhe për vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje për të mos qenë pjesë e këtij ekipi negociator.

I pyetur se si do t’i bindë deputetët e këtyre dy partive që të marrin pjesë në këtë proces, ai ka thënë se të dyja këto subjekte duhet të dinë se Kosova gjendet në një kohë të rëndësishme. "Në qoftë se nuk e kuptojnë përgjegjësinë që kemi ndaj Kosovës nuk e di a ka ndonjë fjalë që do t’i bindë ato. Po flasim për të pasur një marrëveshje me Serbinë. Nëse ata nuk e shohin këtë si përgjegjësi, atëherë kjo është e paarsyeshme”, ka thënë ai.

Ahmeti u pyet si mund të jetë njëherësh edhe kryetar i Komunës së Prishtinës, edhe udhëheqës i dialogut dhe ka thënë se për një gjë të tillë do të përgjigjet në konferencat e Komunës. 

Synojmë të koordinohemi me presidentin dhe me kryeministrin për dialogun

Sa u përket bisedimeve me Serbinë, ekipi negociues pritet të marrë vendime së bashku me presidentin Hashim Thaçi, si dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj. Kështu ka bërë të ditur Ahmeti, duke komentuar për rolin e delegacionit shtetëror në dialog. Ai ka thënë se do të ketë koordinim për vendimet që do të merren rreth bisedimeve. “Rolet kushtetuese të presidentit dhe të kryeministrit ne nuk mund t’i përcaktojmë me një ligj, është qartë e përcaktuar se çfarë roli ka presidenti dhe çfarë roli ka kryeministri. Në rezolutë thuhet se delegacioni shtetëror është delegacioni i vetëm që mundet të negociojë në konsultim me institucionet tjera shtetërore. Kjo i bie që do të ishte mirë të kemi koordinim të plotë edhe me Qeverinë, edhe me presidentin, edhe me delegacionin shtetëror, si edhe me kryetarin e Kuvendit që ne të flasim me një zë”, ka thënë ai.

Sipas tij, duke pasur një koordinim me të gjithë do të nxirret një marrëveshje më e mirë me Serbinë. “Përveçqë kemi negociata me Serbinë, në këtë proces janë të përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, shtetet individuale dhe ato që nuk na kanë njohur. Në këtë proces duhet ta kemi parasysh se nëse duam të jemi të fuqishëm, atëherë do të ishte mirë të flasim me një zë. Nuk mendoj se asnjëri prej tyre individualisht do të mundë ta nxirrte më mirë marrëveshjen se ne të gjithë bashkë. Synimi ynë është që të koordinohemi që Kosova të flasë me një zë. Nëse flasim me një zë, marrëveshja do të jetë më e favorshme për Kosovën”, ka shtuar ai./ZËRI