Opozita nuk i bindet Trumpit

Aktuale December 20, 2018 - 07:49
Lexo tjera detaje
Image

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nëpërmjet një letre të dërguar homologut të tij kosovar Hashim Thaçit ka kërkuar që liderët politikë në vend të jenë me një zë sa i përket procesit të dialogut Kosovë - Serbi. Por, dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja dhe LVV-ja, nuk pritet t’i bashkohen këtij procesi, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pavarësisht se presidenti i SHBA-së Donald Trump ka kërkuar që liderët politikë në Kosovë të jenë me një zë sa i përket procesit të dialogut Kosovë - Serbi, dy partitë opozitare, LDK-ja e LVV-ja, nuk pritet t’i bashkohen këtij procesi. Përderisa përfaqësuesit e LDK-së kanë konsideruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ata të LVV-së kanë thënë se para se të vazhdohet me fazën finale të dialogut fillimisht duhet të bëhet një vlerësim i tërë procesit, prej fillimit deri më tani.
Në anën tjetër, teksa ka folur rreth letrës që ka pranuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur optimist se lidershipi i Kosovës do të reflektojë sa i përket çështjes së dialogut. Sipas tij, letra e Trumpit dëshmon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetje unike ndaj Kosovës. Ndërkohë, përfaqësuesit e dy partive opozitare që nuk po pranojnë të bëhen pjesë e dialogut kanë thënë se në letrën e presidentit amerikan nuk kërkohet askund që kryetari Hashim Thaçi të jetë ai që udhëheq procesin e bisedimeve me Serbinë.

Thaçi, optimist se lidershipi kosovar do të reflektojë

Në letrën që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka pranuar para pak ditësh nga presidenti i SHBA-së Donald Trump u bëhet thirrje liderëve kosovarë që ta shfrytëzojnë momentin dhe të jenë unikë sa i përket procesit të negociatave me Serbinë. Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, sipas asaj që thuhet në këtë letër, do të ishte një kthim tragjik mbrapa. Kjo pasi, ashtu siç theksohet në këtë shkresë, një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse vështirë se do të mundë të përsëritet për një kohë të gjatë. Më tej Trump nëpërmjet letrës i ka ofruar Kosovës mbështetje të fuqishme në procesin e negociatave.

Teksa ka komentuar letrën e fundit që ka marrë nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vlerësuar lart përkushtimin e SHBA-së ndaj Kosovës.

Në një deklaratë për medie Thaçi ka thënë se mesazhi i Trumpit është që të arrihet një unitet mes spektrit politik sa i përket procesit të dialogut.

Gjatë deklaratës së tij ai ka thënë se beson që lidershipi i Kosovës do të reflektojë pas letrës së Trumpit.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se bartësit e institucioneve e kanë obligim kushtetues që të jenë pjesë e procesit të dialogut. Me këtë rast ai ka konsideruar se spektri politik duhet të jetë i bashkuar sikurse kishte qenë në vitet e ’90-ta.

Kjo përgjegjësi sipas Veselit bie mbi partitë të cilat po kërkojnë zgjedhje e nuk po kontribuojnë në procesin e dialogut.

Sipas tij, letra e presidentit Trump, ku kërkoi unifikim të liderëve politikë rreth dialogut, duhet të merret si mesazh i mirë për partitë politike.

Nuk i bashkohen dialogut

Pavarësisht letrës së presidentit Trump, ku kërkohet unifikim i liderëve kosovarë rreth negociatave, deputeti i LDK-së Naser Rugova ka thënë se LDK-ja nuk bëhet pjesë e dialogut. Përkundrazi, sipas tij, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në mënyrë që të ketë legjitimitet të institucioneve. “Ne konsiderojmë që kjo qeveri nuk ka legjitimitet elektoral, por edhe shumicë të numrave që të arrijë një konsensus nacional sa i takon dialogut me Serbinë. Ne jemi për dialog, por rrethanat e krijuara, veprimet e kësaj qeverie e kanë sjellë vendin në një situatë çfarë jemi, pothuajse në rrugë pa krye, kur propozohen udhëheqës të dialogut nga partia e katërt dhe e gjashtë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Rugova ka konsideruar se krerët institucionalë janë tërësisht të pakoordinuar sa u përket negociatave me Serbinë. Ndërkohë që partitë e koalicionit dhe PSD-ja sipas tij janë duke u përpjekur vetëm për pazare, jo për shtetin e Kosovës. “Si arrihet konsensusi ku secila marrëveshje duhet të votohet me 2/3-at e votave dhe këta mendojnë të vazhdojnë me këto aktivitete, me këtë proces, pa partinë e parë LDK-në dhe të tretën LVV-në. Kjo arrogancë e partnerëve të koalicionit, por edhe partisë më të vogël opozitare PSD-së flet për pazare politike, jo për interes shtetëror”, ka nënvizuar deputeti i LDK-së.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se LVV-ja nuk do të pranojë në asnjë mënyrë të bëhet pjesë e negociatave me Serbinë në rrethanat aktuale. “Absolutisht për ne kjo formë e dialogut me Serbinë është e papranueshme. Ne e kemi theksuar që nuk mund të ecim më tutje në qoftë se vazhdohet njësoj sikur edhe në të kaluarën. Ju e dini shumë mirë që ne kemi pasur një proces të gjatë të dialogut me Serbinë, sidomos nga viti 2011-2017 dhe është e papranueshme që të kemi një fazë të re, siç po quhet, pa vlerësuar se çka ka ndodhur në të kaluarën”, ka deklaruar ajo.

Teksa ka komentuar letrën e presidentit Trump, Haxhiu ka thënë se ajo dëshmon përkrahjen e SHBA-së ndaj Kosovës, por siç ajo është shprehur, askund në letër nuk thotë që presidenti duhet të jetë udhëheqës i dialogut. “Sa i përket letrës nga Shtëpia e Bardhë, kemi thënë që aty ritheksohet mbështetja që SHBA-ja ka bërë në vazhdimësi që Republika e Kosovës të jetë e pavarur dhe sovrane. Mirëpo asnjëherë nuk e kemi parë që në atë letër i është dhënë mbështetje presidentit aktual. Përkundrazi, aty kërkohet që të ketë një unitet të liderëve dhe jo që e mbështesin Hashim Thaçin në këtë aventurën e tij absurde dhe jokushtetuese”, ka shtuar ajo.

Marrëveshja mund të përfshijë elemente territoriale

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka vlerësuar se letra e presidentit Trump është treguese e seriozitetit të fazës së dialogut në të cilin po futet Kosova. “Presidenti i SHBA-së nuk do të futej në lojë po të mos bëhej fjalë për një mundësi reale për marrëveshje, në të cilën SHBA-ja e sheh veten si njëfarë garantuesi. Gjithashtu letra tregoi se procesi i negociatave me gjasë është zhvilluar dhe po zhvillohet prapa skenës me mbështetjen e qarqeve më të rëndësishme vendimmarrëse. Të gjitha zhvillimet që i kemi parë javët e fundit kanë qenë pak a shumë negociata të një forme tjetër, pozicionime më të mira për ta ndryshuar realitetin në terren dhe për ta forcuar pozicionin negociues të palëve”, ka deklaruar ai.

Në këtë fazë sipas Maliqit do të jetë i mjaftueshëm konsensusi minimal i arritur në Kuvend. “Ekziston njëfarë mandati minimal për të negociuar. LDK-ja dhe LVV-ja me gjasë nuk duan ta bartin koston politike të procesit, por të paktën njëra do të duhet të përfshihet në momentin kur marrëveshja të arrihet. Gjithsesi, për çfarëdo gjëje do të duhen 2/3-at në Kuvend dhe Qeveria me PSD-në këta numra nuk i kanë”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, fraza që theksohet në letrën e Trumpit se SHBA-ja është e gatshme ta ofrojë ndihmën e saj për ta arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë, sipas Maliqit është në linjë me mesazhet që kanë ardhur nga Uashingtoni muajt e fundit. “Kjo pak a shumë ishte edhe porosia e Matthew Palmer nga Departamenti i Shtetit. Në lojë për Kosovën është njohja nga Serbia, ndërsa Kosova duhet të bëjë ndonjë kompromis, por në këtë kompromis të ri mund edhe të hiqet diçka nga kompromiset e mëparshme nga Ahtisaari. Kështu që marrëveshja mund të përfshijë edhe elemente të natyrës territoriale, edhe ndryshim të të drejtave të gëzuara nga serbët e Kosovës”, është shprehur ai.

Fakti që edhe Trump, edhe BE-ja kërkojnë përfshirjen e presidentit Thaçi në këtë proces, sipas tij, është tregues se po shkohet në këtë drejtim./ZËRI