Thaçi për AP: Ushtria, vendim i pakthyeshëm

Thaçi për AP: Ushtria, vendim i pakthyeshëm

Aktuale dhjetor 16, 2018 - 22:14
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për “Associated Press”, se vendimi për themelimin e ushtrisë së Kosovë është i pakthyeshëm.

Në prag të nisjes për në Nju Jork, ku Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pritet që të diskutojë për vendimin e Kuvendit të Kosovës për themelimin e ushtrisë së Kosovës, presidenti i Kosovës ka thënë për “Associated Press” se vendimi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri është i pakthyeshëm dhe se ai ka ofruar garanci se një ushtri e re e shtetit të Kosovës nuk kërcënon serbët që jetojnë në vend.

Mediat botërore raportojnë se Serbia fqinje ka paralajmëruar se një ushtri në vendin të cilin ajo e konsideron territor të saj do të mund të rezultonte me një ndërhyrje të armatosur.

“Çfarëdo të ndodhë në Këshillin e Sigurimit, përkundër shqetësimeve të ndonjë individi apo një shteti, themelimi i ushtrisë së Kosovës është një akt i pakthyeshëm”, citohet të ketë thënë Thaçi, para nisjes për në Nju Jork, transmeton lajmi.net.

LEXO EDHE: Kosova ‘nuk kursen’ buxhet për Ushtrinë

Sipas tyre, kryediplomati serb, Ivica Daçiq, ka ritheksuar të dielën se Beogradi do të ngulmojë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se ushtria është formuar në kundërshtim me rezolutën.

“Është e rëndësishme që qëndrimi i Serbisë do të dëgjohet”, ka thënë Daçiq.

Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar se ajo do të mund të përdorte ushtrinë e saj si përgjigje, derisa kryeministrja Ana Bërnabiq ka thënë se “ky është njëri prej opsioneve në tavolinë”.

Mediat botërore raportojnë se një ndërhyrje ushtarake e Serbisë do të mund të shkaktonte një konfrontim me paqeruajtësit e NATO-s të vendosur në Kosovë që nga viti 1999.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka mbajtur konsultime të mbyllura në orët e vona të së premtes përkitazi me formatin e takimit për çështjen një fjalë.

Rusia, aleate e afërt e Serbisë, kërkon që këshilli të takohet publikisht, ndërsa shtetet evropiane kanë kërkuar një seancë të mbyllur.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka quajtur veprimin e Kosovës të marrë në kohë të gabuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur të drejtën sovrane të Kosovës si një shtet i pavarur