Deputetët, pesimistë për bashkimin e Mitrovicës

Aktuale December 13, 2018 - 12:10
Lexo tjera detaje

Dy javë pasi Kuvendi Komunal votoi unanimisht për bashkimin e Mitrovicës iniciativa e kryetarit Agim Bahtiri ka mbetur vetëm në letër. Madje këtij të fundit për këtë iniciativë nuk i është përgjigjur as Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. 

Derisa Bahtiri për gazetën “Zëri” shprehet i bindur për jetësimin e iniciativës së tij, deputetë të Kuvendit të Kosovës thonë se ky është një mision i pamundur, pasi që është kompetencë e nivelit qendror dhe jo e atij lokal.

LEXO EDHE: Bahtiri: Do ta bashkoj Mitrovicën me çdo kusht

Arben Gashi, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë për “Zërin” që nuk është nën kompetencë të kryetarit të Komunës që të marrë iniciativa të tilla. “Nuk ka të drejtë kryetari i Komunës të marrë iniciativa të tilla. Duhet Qeveria të marrë vendim dhe propozim për ndryshimin e Ligjit për Qeverisjen Lokale dhe Ligjin për Kufijtë Territorialë Administrativë të Komunave”, ka thënë Gashi për “Zërin”.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se ndonëse e përshëndet një iniciativë të tillë, edhe ai është shprehur pesimist se kjo mund të realizohet. “Si iniciativë është për t’u përshëndetur, por bashkimi i Mitrovicës nuk ndodh me iniciativa të tilla. Këto janë vendime pak më të vështira politike. Si iniciativë është në rregull, por shteti duhet t’i marrë këto vendime për bashkimin e Mitrovicës. Në këtë kohë jemi duke u marrë me ushtrinë dhe është temë jashtëzakonisht e rëndësishme, por do të shohim edhe temat tjera se si do të trajtohen”, ka thënë ai./ZËRI