Bahtiri: Do ta bashkoj Mitrovicën me çdo kusht

Aktuale December 13, 2018 - 11:24
Lexo tjera detaje

Dy javë pasi Kuvendi Komunal votoi unanimisht për bashkimin e Mitrovicës iniciativa e kryetarit Agim Bahtiri ka mbetur vetëm në letër.

Madje këtij të fundit për këtë iniciativë nuk i është përgjigjur as Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se është optimist se do të marrë përgjigje pozitive nga Qeveria për bashkimin e Mitrovicës ose në të kundërtën, siç thotë ai, do t’i provojë të gjitha format ligjore për ta jetësuar iniciativën e tij për një komunë të bashkuar.

LEXO EDHE: Misioni i pamundur i Bahtirit

“Ne e kemi nisur në mënyrë legjitime në Kuvendin Komunal, në qoftë se nuk kalon do ta bëjmë peticionin me 10 mijë nënshkrime dhe nëse as peticioni nuk kalon ta shohim në rundin e tretë se çka do të ndërmarrim, por qyteti duhet të bashkohet me patjetër”, ka thënë Bahtiri.

Agim Bahtiri ka thënë se kërkesën e tij për bashkimin e Mitrovicës është duke e shqyrtuar Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, por për një gjë të tillë nuk janë deklaruar për “Zërin” as nga kjo ministri e as nga Qeveria e Kosovës. “Ne e kemi mbajtur kuvendin në Mitrovicë dhe Kuvendi unanimisht e ka aprovuar kërkesën time, tash MAPL-ja do të na kthejë përgjigje, që është nën Kushtetutën e Kosovës. Kjo është kërkesë jona. Ata kanë afat kohor dy javë për të na kthyer përgjigje për legjitimitetin e kërkesës sonë dhe pastaj pas verifikimit ligjor MAPL-ja obligohet që vendimin ta përcjellë në Qeverinë e Kosovës”, është shprehur Bahtiri./ZËRI