Deklaratat e zyrtarëve të BE-së kanë nisur t’i përçajnë forcat kundërshtuese

Deklaratat e zyrtarëve të BE-së kanë nisur t’i përçajnë forcat kundërshtuese

Aktuale dhjetor 12, 2018 - 14:43
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Para fillimit të fazës finale të dialogut Kosovë - Serbi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte nisur ta proklamonte idenë e korrigjimit të kufirit me shtetin fqinj. Mirëpo kjo ide e tij kishte hasur në kundërshtim të ashpër si në Kosovë, ashtu edhe në disa prej vendeve të fuqishme të botës. Por ditët e fundit zyrtarët e BE-së edhe një herë kanë bërë të ditur se nuk përjashtojnë mundësinë që në kuadër të fazës përmbyllëse të negociatave Kosovë – Serbi të ketë edhe lëvizje të kufijve, shkruan Zëri. 

Megjithëkëtë, ndërmjetësuesja e dialogut Frederica Mogherini ka thënë se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet mes dy vendeve nuk guxon të mbështetet në vija etnike. 

Teksa ka folur rreth idesë së presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve, njohësi i çështjeve politike Shkodran Ramadani ka thënë për "Zërin" se kjo ide është shoqëruar me një kundërshti të madhe nga e gjithë skena politike.

Mirëpo sipas tij, deklarimet e zyrtarëve të BE-së të cilët nuk përjashtuan mundësinë e korrigjimit të kufijve tashmë kanë nisur t’i prodhojnë efektet e veta.

“Deklaratat eksplicite të zyrtarëve të BE-së, të Mogherinit e të Hahnit, të kryeministrit të Austrisë Kurz në mbështetje të kufijve duket se tani kanë filluar të prodhojnë efektet e veta dhe t’i përçajnë forcat kundërshtuese. Miratimi jo i drejtpërdrejtë i SHBA-së tashmë e ka forcuar këtë trend”, është shprehur ai.

Sipas Ramadanit, kundërshtaret e vetme serioze të ideve të tilla janë Gjermania dhe Britania e Madhe.

“Por kjo e fundit është e preokupuar më shumë me procesin e saj të Brexitit dhe nuk mund të shpenzojë shumë energji në Kosovë. Kjo do të thotë që kundërshtia e saj do të jetë e kufizuar. Gjermania në anën tjetër ka qenë kushtëzuesi më i rreptë i vendeve Ballkanike, por për shkak të mosgatishmërisë së BE-së për t’u zgjeruar i ka rënë besueshmëria e forca politike në Ballkanin Perëndimor”, ka nënvizuar ai.

Më tej ai ka vlerësuar se SHBA-ja tashmë ka shprehur gatishmërinë që ta pranojë secilën marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Por roli i tyre siç ai është shprehur tejkalon mbështetjen.

“SHBA-ja është njëra nga arkitektet e këtyre ideve dhe ky fakt është esencial”, është shprehur ai, duke thënë se ndërkombëtarisht duket se forcat për ndryshim të kufijve janë më të mëdha sesa forcat kundër idesë për korrigjim të kufijve. /ZERI