Goditja Speciale

Aktuale December 12, 2018 - 07:48
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Ftesat e dërguara nga Gjykata Speciale për Rrustem Mustafën, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, Sami Lushtakun, ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës, Nazif Mehmetin, ish-epror i Zonës Operative të Llapit dhe për Sokol Dobrunën, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake vlerësohen vetëm si një paralajmërim për ftesat tjera që pritet të dërgohen ndaj figurave të fuqishme politike dhe ushtarake të Kosovës, shkruan sot Gazeta Zëri.

Gjykata Speciale ua ka dërguar ftesat në “zarf” katër ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për t’u paraqitur në Hagë, duke e dëshmuar kështu aktivizimin e plotë të këtij institucioni të drejtësisë.

Avokatët mbrojtës tashmë kanë konfirmuar se ftesë nga Specialja kanë marrë: ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa – “Remi”, ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së Sokol Dobruna dhe Nazif Mehmeti, ish-epror i UÇK-së nga Zona Operative e Llapit.

LEXO EDHE: Ekskluzive: Një ish-komandant i UÇK-së merr ftesë nga Specialja, por thotë se s’do t’i përgjigjet

Ish-eprorët e UÇK-së do të paraqiten për intervistim në Hagë më 14 janar 2019.

Në anën tjetër, njohësit e sistemit të drejtësisë në vend vlerësojnë se ftesat e para janë vetëm test i Speciales, pasi që, siç thonë ata, shumë shpejt pritet të ngrihen aktakuzat ndaj figurave të rëndësishme politike dhe ushtarake në vend.

Christofor Bennet, zëdhënësi i prokurorit të specializuar të Kosovës, ka thënë për “Zërin” që Gjykata është në dijeni për deklaratat e ish-kryetarit të Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sokol Dobruna, mirëpo nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë çështje.

“Ne jemi të vetëdijshëm se z. Dobruna ka bërë deklarata të ndryshme për medie dhe është shfaqur në një diskutim në një televizion të martën. Megjithatë, ne nuk diskutojmë statusin e hetimit tonë. Kjo është praktikë standarde e Prokurorisë”, thuhet në përgjigjen e tij.

Haradinaj: Ftesat nga Specialja nuk përbëjnë kiamet

Pas bërjes publike të ftesave të Prokurorit të Specializuar ndaj ish-eprorëve të UÇK-së është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se këto ftesa nuk përbëjnë, siç ka thënë ai, ndonjë kiamet të madh.

Haradinaj është pyetur nga gazetarët për ftesat e reja që kanë ardhur për Rrustem Mustafën, Sami Lushtakun e disa tjerë, por ai tha se “nuk është kiamet për ushtarët e lirisë - shkojnë e kthehen”.

“Nuk është kiamet i madh, por lutem që të kthehen”, ka thënë Haradinaj.

Me këtë rast ai ka thënë se secili që ftohet nga prokurori duhet të shkojë të paraqitet dhe t’i kryejë detyrat e veta.

“Ftesa për të ose për të tjerët, kushdo qofshin ata, nuk është ndonjë kiamet. Unë besoj që qytetarët e Kosovës nëse i besojnë vetes, lirisë së tyre, së drejtës së tyre, nuk kanë pse të shqetësohen. Kushdo që thirret shkon, i kryen detyrat e veta, kthehet, nuk e shoh ndonjë kiamet të madh dhe i kisha lutur të gjithë që ta marrin kështu”, ka deklaruar ai pas mbledhjes së Qeverisë.

Dobruna: Nuk besoj në drejtësinë e Gjykatës Speciale

Në anën tjetër ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” që ende nuk ka marrë kërkesë zyrtare nga Specialja, mirëpo nga telefonata që ka marrë i është thënë që më datën 14 dhjetor 2018 (pasnesër) do të marrë përgjigje definitive se kur duhet të paraqitet në Gjykatë.

“Unë ftesë zyrtare nuk kam marrë, por vetëm përmes telefonit. Ata më janë paraqitur si hetues të Hagës, një hetues slloven i cili nuk e caktuar terminin, por vetëm më ka thënë e caktojmë terminin dhe vazhdohet më tej”, ka thënë Dobruna.
Mirëpo pavarësisht kësaj ai nuk beson në drejtësinë që mund të sjellë kjo gjykatë.

“Shumë zor është të besohet në drejtësinë e kësaj gjykate. Sot nuk ka drejtësi, sepse po të kishte do të ishte lënë rehat UÇK-ja, sepse ne nuk kemi bërë krime, këtu është problemi. Serbia është e mbrojtur, ndërsa ne shqiptarët jemi të vegjël dhe munden të luajnë me neve si të duan, duke pasur parasysh çfarë udhëheqësish kemi që nënshkruajnë gjithçka, që insistojnë që i huaji të na gjykojë, nuk pritet gjë tjetër”, ka thënë ai.

Ndërkohë as Dobruna ende nuk e di se në çfarë forme do të paraqitet në Gjykatë, në atë të të dyshuarit ose të dëshmitarit.

Lushtaku ftohet nga Gjykata Speciale

Avokati Arianit Koci përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” gjatë së martës bëri të ditur se edhe ish-komandanti i UÇK-së Sami Lushtaku është ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim.

“Me autorizimin e klientit tim z. Sami Lushtakut, ju njoftoj se z. Lushtaku ka pranuar një ftesë, që më datën 14 janar 2019 të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim. Z. Lushtaku do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS-ja është duke e hetuar”, ka shkruar Koci.

Gjykata Speciale i ka dërguar ftesë edhe Nazif Mehmetit, i njohur si “Komandant Dini”, për t’u intervistuar pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovën në Hagë.

Ai do të paraqitet në Hagë më datën 22, 23 dhe 24 janar, por që ende nuk dihet nëse do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit ose vetëm si dëshmitar.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” avokati i tij, Tahir Rrecaj.

“Po, rasti është konfirmuar mbrëmë. Ka qenë i vizituar nga hetuesit e Gjykatës Speciale. Kanë dhënë njoftimin që më datën 22, 23 dhe 24 janar duhet të intervistohet, nuk i kanë sqaruar në çfarë cilësie, si dëshmitar ose si i dyshuar. E kam marrë autorizimin që ta mbroj, ka kërkuar dhe e kam pranuar që ta mbroj. Unë do të kërkoj sqarime shtesë nga Dhomat Specializuara”, ka thënë Rrecaj.

Lushtaku: Gjykata mund ta dëmtojë luftën e UÇK-së

Nuredin Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se nuk beson në drejtësinë e Gjykatës Speciale, madje ai e sheh si skandal politik  krijimin e saj.

“Unë për vete nuk i besoj asnjë gjykate që tenton ta dënojë luftën e UÇK-së dhe për mua është komplet politike kjo gjë. Unë nuk kam besim se përmes kësaj gjykate do të bëhet drejtësia. Gjykata Speciale është një skandal politik”, ka thënë Lushtaku për “Zërin”.

Sipas tij, përmes kësaj gjykate mund të dëmtohet edhe lufta e UÇK-së. “Është normale që përmes Gjykatës Speciale mund të dëmtohet lufta e UÇK-së, njerëzit që shkojnë në atë gjykatë dhe kështu mund të njolloset edhe lufta e UÇK-së”, ka thënë ai.

Haliti: Gjykata do ta pastrojë të vërtetën për UÇK-në

Ndryshe mendon njëri ndër themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Xhavit Haliti, i cili për “Zërin” ka thënë që Gjykata Speciale do ta pastrojë të vërtetën për UÇK-në dhe për Kosovën në përgjithësi.

“Besoj se Gjykata do të sjellë drejtësi dhe nuk do të sjellë gjykime të njëanshme ose gjykime të porositura. Nëse dikush merret në pyetje nga Gjykata ose i ngrihet aktakuzë, kjo nuk do të thotë që është fajtor. Gjykata do ta ndajë drejtësinë dhe do ta pastrojë të vërtetën edhe për UÇK-në, por edhe do ta pastrojë Kosovën nga akuza tepër të rënda, të cilat kanë qenë akuza politike të bëra nga shërbimet e vendeve të lindjes”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur se si do të ndikojë Gjykata Speciale në skenën politike në vend, Haliti ka thënë se ajo do të sjellë ndryshime edhe në skenën politike.

“Kjo varet nga qëndrueshmëria e institucioneve, me siguri që do të ketë dhembje, por Kosova duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt krijimit të institucioneve të fuqishme, drejt integrimit të saj në institucionet e saj dhe të vazhdojë rrugëtimin e saj për t’u përafruar me ekonomitë e vendeve të zhvilluara. Kjo është rruga e Kosovës, nuk ka rrugë tjetër”, ka thënë ndër të tjera ai.

Miftaraj: Specialja po përgatitet për arrestimin “e të fortëve” të Kosovës

Duke folur për ftesat e para të Gjykatës Speciale, Ehat Miftaraj, nga IKD-ja, ka thënë për “Zërin” që kjo gjykatë po synon ta përgatisë opinionin publik për arrestimet e ardhshme, që do të lidhen me figura të fuqishme politike të Kosovës.

“Mënyra sesi ka filluar punën prokurori i specializuar, si rasti i ftesës për intervistim të z. Mustafës ose z. Dobrunës, dëshmon strategjinë që ky institucion ka filluar ta zbatojë. Si duket strategjia e Prokurorisë është që të mos fillojë me arrestime të bujshme ose spektakolare, por përmes ftesave të tilla, që mund të perceptohet si parapërgatitje e opinionit publik në Kosovë me Gjykatën Speciale dhe që arrestimet e ardhshme, të cilat mund të ndërlidhen me figura të fuqishme qoftë politike ose ushtarake në Kosovë, të pranohen më me qetësi”, ka thënë ai.

Miftaraj ka theksuar se Gjykata Speciale me punën e saj do të ndikojë në skenën politike në vend.

“Sigurisht se varësisht nga figurat politike në pushtet, që mund të jenë subjekt të aktakuzave nga prokurori i specializuar dhe arrestimit të tyre, mund të ndikojë edhe në skenën politike në Kosovë e që lehtësisht mund të ndikojë edhe në koalicionin aktual qeveritar”, ka thënë ai.