S’ka trajnime për personelin mjekësor

Edukimi i vazhdueshëm i stafit mjekësor në Kosovë dhe mbajtja e trajnimeve me mjekë nga shtetet tjera janë konsideruar si të nevojshme për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore në vend. Megjithatë, përkundër këtyre nevojave drejtorë të spitaleve kanë treguar se specialistëve nuk po u ofrohen trajnime të veçanta jashtë vendit, shkruan sot gazeta "Zëri".
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se stafit mjekësor në Kosovë i nevojitet edukim i vazhdueshëm dhe trajnime me mjekë nga shtetet tjera, prej të cilave përvoja, siç ka thënë ai, ata do të mundë të kontribuonin në vend.
LEXO EDHE: Specialja 'trazon' politikën
Syla ka theksuar se ndonëse mjekët marrin pjesë në kongrese, të cilat organizohen nga mjekë të shteteve tjera, ato nuk janë të mjaftueshme. “Zakonisht kongreset mbahen, jo trajnime në kuptimin e plotë të fjalës, por ligjërata, shkëmbim i përvojave të mjekëve. Vijnë ekipe të Australisë, Amerikës, pra është një bashkëpunim. Ajo çfarë i nevojitet Kosovës dhe mjekëve tanë është trajnimi i vazhdueshëm, ku mund të fitojnë një përvojë dhe të vinë në vendin e tyre dhe të kontribuojnë. Asnjëherë nuk është mjaft, gjithmonë mjekësia do edukim të vazhdueshëm, gjithmonë ka risi në mjekësi”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe pse mbahen kongrese nga shoqata të shteteve tjera vetëm një grup i caktuar i mjekëve marrin pjesë në to.
Syla ka konsideruar se edhe pse shumë mjekë në Kosovë janë të përgatitur për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për pacientët, atyre po u mungon aparatura.
“Në shumicën e lëmenjve mjekët janë të përgatitur, por duhet ditur se po mungon edhe aparatura dhe infrastruktura ligjore. Ka përgatitje edhe për transplante të ndryshme, por ligji i ndalon ato. Ata këto punë në mënyrë profesionale, i kanë bërë diku jashtë vendit, mirëpo këtu është e pamundur për shkak të mungesës së aparaturës. Shumicën e rasteve kur vinë mjekët nga shtetet tjera, vinë me ekipe të veta, ata marrin edhe aparaturën e cila u nevojitet”, ka shtuar ai.
Asllani: Nuk ka trajnime të veçanta për specialistët
Edhe drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, i ka konsideruar të nevojshme trajnimet për stafin mjekësor në Kosovë.
Ai ka thënë për “Zërin” se edhe pse trajnimet e veçanta janë të nevojshme, për specialistët në Kosovë ato nuk ofrohen.
“Sikur edhe për të gjitha spitalet tjera, mbahen kongrese dhe specialistët marrin pjesë në to. Çdo kongres që mbahet ata shkojnë për një ditë ose dy, shkojnë në Prishtinë, por edhe në Evropë. Megjithatë trajnime të veçanta speciale për mjekët në Kosovë nuk ka”, ka thënë ai.
Sipas tij, ndonëse specialistët në këtë spital janë të përgatitur, ata prapë kanë nevojë për edukim të vazhdueshëm.
“Të gjithë mjekët që punojnë në Spitalin e Gjakovës janë specialistë të fushave të tyre. Ata të gjithë i kanë kryer specializimet dhe janë ekspertë të fushës së tyre, mirëpo edukimi i vazhdueshëm profesional është shumë i nevojshëm, shumë i mirë dhe ka anë profesionale për t’u edukuar. Trajnimet janë në kuadër të statusit dhe Ligjit për Shëndetësi, pra janë të parapara trajnimet”, ka thënë ai.
Asllani ka konsideruar se me pjesëmarrjen në seminare të ndryshme edhe mjekët do të kuptonin se në cilin nivel të ofrimit të shërbimeve ata duhet të jenë.
Berisha: Që nga viti 2016 s’kemi pasur marrëveshje për trajnime jashtë vendit
Në vitin 2016, për herë të fundit, disa mjekëve të Spitalit të Mitrovicës u ishin ofruar disa trajnime në Turqi, marrëveshje të tjera për trajnime që nga atëherë nuk ka pasur për këta mjekë.
Kështu ka bërë të ditur për gazetën ish-drejtori i këtij spitali, Hamëz Berisha.
“Para dy vjetësh kemi qenë në Turqi një ekip prej tre vetash. Diçka tjetër deri tani nuk ka pasur. Kjo ka qenë marrëveshje e Ministrisë për emergjencën në vitin 2016, tash e tutje s’ka. Trajnimet janë më se të nevojshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, sa i përket pjesëmarrjes në kongrese stafi mjekësor po detyrohet që vetë të paguajnë për ndjekjen e tyre.
“Çdo mjek duhet të ketë pikë për licencim, për edukim të vazhdueshëm, vazhdim të licencës dhe detyrohen që ndoshta të ndjekin vetë kongresin me të hyra vetanake. Ne në buxhet kemi shumë pak mjete, por po shpresojmë se mos kjo gjë po rregullohet. Mjekët kanë nevojë për edukim të vazhdueshëm”, ka thënë ai.
Berisha ka bërë të ditur se 70% e mjekëve në këtë spital janë të moshës së re, por që, siç ka thënë ai, janë kuadro që munden të ofrojnë shërbime cilësore.
Shumë kërkesa për të shkuar në trajnime jashtë vendit
Zyra për Informim në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka thënë për “Zërin” se ka shumë kërkesa nga stafi mjekësor për ndjekjen e trajnimeve të ndryshme jashtë vendit.
Përkundër deklaratave të drejtorëve të spitaleve, nga kjo Zyrë na është thënë se stafi mjekësor ndjek trajnime brenda dhe jashtë vendit.
“Ka më shumë se 20 kërkesa brenda jave, ose rreth 100 brenda muajit që bëhen nga mjekët që shkojnë për të ndjekur trajnime, por edhe konferenca dhe zhvillime të reja shkencore jashtë vendit. Stafi i mjekëve në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme ndjekin trajnime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë edhe në qendrat klinike më të zhvilluara në Evropë dhe në botë. Paraprakisht secili mjek mbush një formular për ndjekje seminari, kongresi ose konference profesionale”, thuhet për gazetën.
Zyra për Informim në SHSKUK ka thënë më tej se janë duke u bërë diskutime që të nënshkruhet një marrëveshje me Qendrën Klinike Universitare të Gjenevës.
QKUK-ja ka marrëveshje me qendrën klinike “Lishoping” në Suedi, pastaj janë duke u bërë diskutime që në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë të nënshkruhen marrëveshje me qendrën klinike universitare të Gjenevës HUG. Ka pasur dhe ka shumë mjekë që shkojnë për trajnime profesionale edhe në Gjermani, në Zvicër, në Turqi e në Kroaci, por edhe në vende tjera të zhvilluara, prej nga kanë përfituar përvoja që i kanë përcjellë te stafi i QKUK-së, por edhe u kanë shërbyer pacientëve”, ka shtuar ajo./ZERI