PSD-ja kërkon konsensus për dialogun, LDK-ja e LVV-ja zgjedhje

Aktuale December 03, 2018 - 08:01
Lexoni më shumë detaje
Image

Derisa Partia Socialdemokrate (PSD) ka propozuar një rezolutë përmes së cilës synohet arritja e konsensusit për dialogun me Serbinë, dy subjektet tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, shkruan sot gazeta "Zëri".

Partia Socialdemokrate (PSD) ka dërguar në Kuvend një projektrezolutë me të cilën synon që të arrihet konsensusi ndërmjet partive politike për dialogun me Serbinë.

PSD-ja përmes kësaj projektrezolute ka kërkuar që opozita të ketë gjysmën e pushtetit në dialogun me Serbinë, kurse gjysmën tjetër partitë në pushtet. Megjithatë, një propozim të tillë nuk e kanë pranuar dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Këto dy parti kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Monitoruesit e procesit të dialogut thonë se arritja e konsensusit ndërmjet partive për këtë proces është vështirë i arritshëm.

Deputeti i LDK-së Naser Rugova ka thënë për “Zërin” se dialogun duhet ta marrë përsipër Qeveria e ardhshme që del nga zgjedhjet e reja. “Ne konsiderojmë që me dialogun duhet të udhëheqin institucionet kushtetuese të vendit. Në rast se këto institucione nuk kanë legjitimitet politik, nuk e kanë mazhorancën e nevojshme, atëherë edhe LDK-ja ka qëndrim zyrtar, zgjedhjet, legjitimiteti qytetar dhe politik dhe pastaj ai koalicion që e fiton garën, që konsiderojmë që duhet të jetë një qeveri me 61 vota të popullit mazhorancë, do të vazhdojë më tutje ta marrë përsipër edhe dialogun, por edhe sfidat tjera që e preokupojnë vendin muajve të fundit”, ka thënë ai.

Rugova ka thënë se koalicioni qeverisës është duke dështuar në ndërtimin e një platforme konsensuale për dialog.

“Ne kemi qenë pre e kësaj arrogance të partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilët janë duke dështuar dita-ditës edhe në politikën e jashtme, edhe në ndërtimin e një platforme konsensuale për dialog. Ky koalicion nuk e ka shumicën në Kuvend, gjë që dëshmohet çdo ditë, atëherë kjo krizë nuk mund të vazhdojë. Vendi është futur edhe në krizë politike, edhe institucionale. LDK-ja e konfirmon që vendi duhet të shkojë në zgjedhje parlamentare”, ka thënë ai.

Kurteshi: Zgjedhjet, të domosdoshme

Edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Sipas tij, me qasjen e deritanishme ndaj dialogut nuk ka perspektivë për vendin.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar zgjedhje. Ne kemi thënë se me qasje të tillë ndaj dialogut, por edhe ndaj qeverisjes në vend nuk ka perspektivë. Presidenti dhe Qeveria nuk kanë synime të përparimit ose të krijimit të çfarëdo platforme, edhe të brendshme, edhe për dialog. Zgjedhjet janë një domosdoshmëri dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, ka thënë ai.

Kurteshi ka theksuar se Vetëvendosja nuk do të pranojë bashkimin e subjekteve politike në procesin e dialogut nën udhëheqjen e presidentit Hashim Thaçi.

Kurse partitë në pushtet kërkojnë arritjen e një konsensusi ndërmjet koalicionit qeverisës dhe opozitës.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, e ka konsideruar si të domosdoshëm arritjen e një konsensusi mes partive politike sa i përket dialogut. Sipas tij, konsensusi duhet të jetë në harmonizim me interesat e Kosovës.

“Konsensusi politik është i domosdoshëm. Konsensusi duhet të jetë në harmonizim edhe me Kushtetutën, edhe me interesat e vendit, prandaj është më shumë se e domosdoshme ta ndajmë politikën e brendshme me politikën nacionale që ta kemi një konsensus nacional edhe me dialogun me Serbinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova duhet të ketë sa më shpejt një marrëveshje me Serbinë.

“Po shihet se pa dialog nuk mund të përmbyllet faza e fundit e bisedimeve me Serbinë dhe duhet të kemi sa më shpejt një marrëveshje të pranueshme nga të dyja anët, me njohje reciproke, në të kundërtën çdo gjë tjetër është e kotë”, ka shtuar ai.

Haxholli: Kosova do ta vazhdojë dialogun pa unitet të spektrit politik

Violeta Haxholli, monitoruese procesit të dialogut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Zërin” se ka gjasa që Kosova do të vazhdojë këtë fazë të dialogut pa unitet të spektrit politik.

Ajo ka thënë se nuk pret që rezoluta e propozuar nga PSD-ja do të mbështetet nga partitë në opozitë.

“Është pozitive që subjektet parlamentare po vazhdojnë përpjekjet për të arritur konsensus rreth fazës finale të dialogut me Serbinë. Pas disa iniciativave të dështuara si nga partitë në pushtet, po ashtu edhe ato në opozitë për të miratuar një rezolutë në Kuvend lidhur me këtë çështje tani sërish ka një propozimrezolutë nga PSD-ja. Megjithatë, nuk pres që ky propozim do të përkrahet nga të gjitha partitë e sidomos nga ato në opozitë”, ka thënë ajo.

Haxholli e ka vlerësuar të nevojshme që subjektet politike në vend të harmonizohen rreth një rezolute të përbashkët.

“Mendoj se partitë politike duhet të ulen para seancës në Kuvend për të diskutuar dhe harmonizuar një projektrezolutë të përbashkët. Duke gjetur fillimisht pikat që i bashkojnë dhe të provojnë të dakordohen pastaj për pikat që i ndajnë”, ka theksuar ajo. /ZERI