A e kanë tërhequr Ishujt Solomon njohjen e Kosovës?

Aktuale December 02, 2018 - 21:29
Lexo Detajet

Sot në media qarkulloi një dokument i skanuar në të cilin shkruhej se Ishujt Solomon e kishin tërhequr njohjen e Kosovës.

Por këtë e ka demantuar Fatmir Haxholli, këshilltar politik i liderit të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli., transmeton zeri.info.

Haxholli ka thënë se në dy shtete mes të cilave janë vendosur marrëdhënie diplomatike, nuk ekziston koncepti i çnjohjes.

Këtë përmes një statusi në Facebook, Haxholli e ka quajtur rregull fundamental të rendit global.

Përndryshe, Ishujt Solomon, vend ky në Oqeanin Paqësor, e kishin njohur Kosovën më 13 gusht të vitit 2014/ZERI  

Postimi i plotë i Haxhollit:

Mes shteteve të pavaruara dhe sovrane, të cilat kanë konfirmuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, apo i kanë vendosur ato, koncepti dhe praktika e çnjohjes nuk ekziston. Ky është një rregull fundamental i rendit global. Kjo është një ABC në diplomaci dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku bëjnë pjesë Ishujt Solomon, Republika e Kosovës, dhe e gjithë lista e vendeve të pavaruara dhe sovrane!