'Heqja e vizave mund të shtyhet edhe pas vitit 2019'

Aktuale November 30, 2018 - 18:40
Lexo detajet

Premtimi se qytetarët e Kosovës në fund të këtij viti do të mundë të lëvizin pa viza në Zonën Schengen po del të jetë mashtrimi i radhës. Kjo për faktin se të premten e ardhshme (më 7 dhjetor) Këshilli i Ministrave të BE-së ka mbledhjen e fundit për këtë vit, përderisa pak ditë para këtij takimi tri organet e BE-së, Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli, ende nuk kanë dalë me një dokument të përbashkët për liberalizim të vizave, shkruan gazeta "Zëri".

Njohësi i integrimeve, Besnik Vasolli, ka thënë për “Zërin” që gjasat janë minimale që heqja e vizave për Kosovën të jetë pjesë e agjendës së Këshillit të Ministrave më 6 ose më 7 dhjetor të këtij viti.

“Gjasat janë shumë të vogla, në fakt nuk ka indikacione që do të hyjë Kosova në agjendën e ministrave. Por edhe nëse eventualisht do të hynte në agjendë dhe nëse hipotetikisht presim që vendimi do të ishte pozitiv, atëherë hyrja në fuqi e vendimit nuk do të mundë të ndodhte sivjet, por tek në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë Vasolli.

Sipas Vasollit, në rast se vendimmarrja nuk ndodh as deri në mars të vitit të ardhshëm, atëherë heqja e vizave do të shtyhet deri në fund të vitit 2019 ose edhe më shumë.

“Nëse nuk merret vendim as në mars të vitit 2019, atëherë ky vendim mund të shtyhet për fund të 2019-s ose edhe më vonë. Posaçërisht nëse votohen partitë populsite në Parlamentin Evropian, atëherë rreziku është që në konfigurimin e ardhshëm të Parlamentit Evropian të kemi më pak miq të Kosovës sesa që kemi tash. Të mos harrojmë që sot Komisioni Evropian, por edhe Parlamenti Evropian janë pro liberalizimit të vizave për Kosovën, hezituese janë disa shtete anëtare të cilat siç duken nuk janë ende të gatshme të merren me këtë çështje”, ka thënë më tutje ai.

Ndërsa pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, sipas Vasollit, mund të kemi ndryshim të qasjes, e cila automatikisht do të reflektohet edhe në Komisionin Evropian, por edhe te shtetet anëtare të BE-së.