Kisha Katolike e Kosovës del kundër ndryshimit të kufijve

Kisha Katolike e Kosovës del kundër ndryshimit të kufijve

Aktuale shtator 20, 2018 - 16:36
Lexo tjera detaje

Drejtuesi i Kishës Katolike në Republikën e Kosovës, Don Lush Gjergji, ka dalë hapur kundër idesë për lëvizje të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u propozua nga presidenti Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq si zgjidhje përfundimtare ndërmjet dy vendeve, transmeton Gazeta Express.

Gjergji në një intervistë për mediumin italian ‘Agensir.it’, ka thënë se serbët dhe shqiptarët duhet të pajtohen me situatën aktuale në Kosovë dhe Serbi, pasi sipas tij prekja e kufijve do të shkaktonte një reaksion zingjiror në Ballkan.

Përfaqësuesi i Kishës Katolike e thotë prerë kufijtë nuk duhet të prekën në asnjë mënyrë.

“Kufijtë e të gjitha vendeve të Ballkanit janë rezultat i zgjidhjeve të negociuara për kompromis. Megjithatë, unë besoj fuqimisht se kufijtë nuk duhet të ndryshohen, sepse një vendim i tillë do të shkaktonte një reaksion zinxhiror të pafund. Kombet-Shtetet pa komb ose fe nuk ekzistojnë më”, është shprehur drejtuesi i Kishës Katolike në Kosovë, transmeton Gazeta Express.

Ai thotë që shqiptarët që jetojnë në Republikën e Serbisë duhet t’i kenë të drejtat e njëjta me serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës.

 “Në të vërtetë, popullit serb duhet t'u jepet mundësia për të gëzuar një autonomi më të madhe dhe pakica shqiptare në Serbi duhet të gëzojë të njëjtat të drejta dhe detyra si pjesa tjetër e popullsisë. Para bashkimit të territoreve është e nevojshme të bashkohen zemrat dhe mendjet e njerëzve. Vetëm atëherë kufijtë do të bëhen simbolikë”, ka thënë Gjergji.

Sipas tij është punuar mjaft shumë për të zbutur tensionet mes etnive të ndryshme, megjithatë ai thotë se ka ende vend për shqetësim.

Kundër kësaj ideje kanë dalë edhe shumë shtete përkrahëse të Kosovës dhe gjithashtu edhe diplomatë të ndryshëm të BE-së.

Edhe klasa politik kosovare është kundër, ndërkohë i vetmi që vazhdon ta promovojë idenë e ndryshimit të kufijve është presidenti Hashim Thaçi.