Osmani: Po bëhen pazare politike me ambasadorë

Osmani: Po bëhen pazare politike me ambasadorë

Aktuale shtator 20, 2018 - 10:26
Lexoni më shumë detaje

Kosova ka mbetur pa ambasadorë në Britani të Madhe, në Suedi, në Beograd ..., përderisa ka nisur fazën finale të dialogut me Serbinë dhe është në prag të pritjes së vendimit të madh për heqjen e vizave me BE-në.

Kjo papërgjegjësi institucionale nuk po kalon pa pasoja për vendin, pasi 15 deputetë të Britanisë së Madhe në Parlamentin Evropian votuan kundër liberalizimit të vizave.

Lidhur me këtë, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, për “Zërin” ka thënë që në komisionin të cilin ajo udhëheq nuk kanë ardhur ende emrat e ambasadorëve, të cilëve u ka përfunduar mandati.

Sipas saj, vonesat ndaj këtij procesi janë për shkak të pazareve politike brenda koalicionit PAN.

“Pavarësisht faktit që kemi kërkuar nga MPJ-ja këto informata (duke përfshire planin e rotacionit), ato ende nuk i janë dërguar Komisionit tonë”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, shkak për mosemërimin e tyre janë pazaret që po bëhen në koalicionin PAN.

“Fatkeqësisht, për shkak të politizimit të skajshëm të shërbimit të jashtëm gjithçka është shndërruar në pazare në mes të partnerëve të koalicionit dhe si duket kjo është ndër arsyet kryesore të vonesave. Deri më tani në vend se të emërojë ambasadorë të karrierës MPJ-ja po vazhdon të sjellë emra politikë për t’u intervistuar në Komision, duke shkelur kështu kërkesat ligjore që së paku 50% të jenë diplomatë karriere”, ka thënë ajo pë "Zërin".

Osmani ka bërë të ditur që emrat të cilët tashmë janë dërguar në Komision janë emra politikë, për këtë arsye edhe opozita nuk i ka marrë si të mirëqena.

“Deri më tani MPJ-ja ka sjellë vetëm emra politikë në Komision, prandaj edhe opozita ka refuzuar të bëhet pjesë e shkeljeve ligjore. Pavarësisht kësaj, deputetët e pushtetit kanë intervistuar ambasadorët politikë dhe i kanë përcjellë tutje emrat në Presidencë. Momentalisht është vetëm një propozim që nuk është intervistuar akoma dhe edhe ai është emërim politik. Mirëpo ende mbesin disa shtete për të cilat nuk është dërguar asnjë propozim dhe vendet mbesin vakante”, ka thënë tutje Osmani.

Ndërsa lidhur me Nenin 7.7 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, i cili kërkon që së paku 50% të emëruarve si shefa misionesh të jenë ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politikë, Osmani ka thënë që ky nen është duke u shkelur vazhdimisht. 

“Neni 7.7 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Shërbimin Diplomatik vazhdon të shkelet dhe emërimet politike tani janë mbi 2/3, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të ministrit të Jashtëm se do ta respektojë kuotën 50/50. Prandaj ne si opozitë po vazhdojmë të refuzojmë intervistimin e të emëruarve politikë sepse nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e kësaj shkeljeje ligjore që po e dëmton jashtëzakonisht shumë diplomacinë kosovare”, ka potencuar ajo.