Mustafa: Për LDK-në, e papranueshme të shtrohet çështja e kufijve

Mustafa: Për LDK-në, e papranueshme të shtrohet çështja e kufijve

Aktuale shtator 19, 2018 - 19:22
Lexoni më shumë detaje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e partisë që ai udhëheq në lidhje me çështjen kufijve, raporton “Zeri.info”.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Mustafa ka shkruar se, për LDK-në është e papranueshme të shtrohet çështja e kufijve ashtu siç është i papranueshëm një asociacion apo formë tjetër e autonomisë me kompetenca ekzekutive, përcjell “Zeri.info”.

Mustafa këto komente i bëri pas takimeve që kishte me ambasadorin e Francës, Didier Chabret dhe ambasadorin e Italisë, Piero Cristoforo Sardi. Para dy dite, po ashtu, takova ambasadorin e Norvegjisë, Per Strand Sjaastad.

Postimi i plotë i Mustafës pa ndërhyrje:

Sot, kisha kënaqësinë të pres në vizita të ndara ambasadorin e Francës, z. Didier Chabret dhe ambasadorin e Italisë, z. Piero Cristoforo Sardi. Para dy dite, po ashtu, takova ambasadorin e Norvegjisë, z Per Strand Sjaastad.

Biseduam për ecuritë e fundit politike në Kosovë, pikëpamjet dhe këndvështrimet e LDK-së për dialogun dhe rolin e saj si parti më e madhe politike në Kosovë.

Shpreha qëndrimin e qartë të LDK-së se vetëm përmes dialogut mund dhe duhet të zgjidhen çështjet me fqinjët dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

Se, LDK është e përkushtuar që dialogu të zhvillohet nga institucione që kanë legjitimitet politik dhe kushtetues, të cilat duhet të dalin nga zgjedhjet e lira të parakohshme.

E shtruam nevojën që ky dialog të jetë transparent, të ketë pajtueshmëri dhe përfshirje sa më të gjerë, të përcaktohet formati, përmbajtja dhe objektivat që duhet të arrihen.

Theksuam se për LDK-në është e papranueshme të shtrohet çështja e kufijve ashtu siç është i papranueshëm një asociacion apo formë tjetër e autonomisë me kompetenca ekzekutive.

Ambasadorët shfaqën interesimin e tyre dhe gatishmërinë e tyre dhe të vendeve të tyre që të përkrahin Kosovën në rrugën e sajë eurointegruese, pjesë e rëndësishme e së cilës është normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve me Serbinë, duke u shprehur për nevojën e një roli sa më aktiv të LDK-së.

Në takim morën pjesë edhe z. Avduullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së dhe znj. Vlora Dumoshi, anëtare e Kryesisë.