Opozita kosovare i dërgon letër të hapur Federica Mogherinit

Opozita kosovare i dërgon letër të hapur Federica Mogherinit

Aktuale shtator 12, 2018 - 18:21
Lexoni më shumë detaje

Partitë opozitare të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, PSD-ja dhe Alternativa, i kanë dërguar një letër të hapur Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, raporton “Zeri.info”.

Në këtë letër është sqaruar qëndrimin i tyre lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.

Gjithashtu aty është shprehur pakënaqësia e opozitës, të cilët përfaqësojnë 60 për qind të qytetarëve të Kosovës, lidhur me idenë që po diskutohet për shkëmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve.

Ide këto të cilat sipas opozitës nuk do të kenë mbështetje dhe çfarëdo marrëveshje e cila derivon nga ide të tilla nuk do të përkrahet, transmeton “Zeri.info”.

Në letër gjithashtu kërkohet që faza finale e dialogut me Serbinë të bazohet në parime të qarta si dhe në një kornizë të qartë, duke mos lënë anash subjektivitetin shtetëror të Kosovës i cili është përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës.

“Fillimi i një procesi të ri të dialogut pa përgatitjet e nevojshme, siç po tenton qeveria aktuale, do të dështojë. Është përgjegjësi e plotë e Kuvendit të Kosovës që të aprovojë platformën për dialog me një shumicë prej 2/3 dhe vetëm në këtë formë mund të sigurohet legjitimitet i këtij procesi. Çdo formë tjetër e zhvillimit të dialogut është e destinuar të dështojë. Është në interesin e qytetarëve të Kosovës që të arrihet një konsensus i tillë brenda Kuvendit të Kosovës. Qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin për të përfaqësuar Kosovën në këtë proces dhe se një legjitimim i ri i Kuvendit të Kosovës duhet të ndodh sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e opozitës drejtuar Mogherinit, transmeton “Zeri.info”.

Duke vlerësuar lartë rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës besojnë se të dyja duhet të jenë plotësisht të involvuara dhe gjithashtu kërkojnë që marrëveshja përfundimtare me Serbinë të nënkuptojë normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

“Normalizimi i plotë mund të arrihet vetëm me njohje reciproke. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet t’i mundësojë Kosovës anëtarësim të menjëhershëm në organizatat ndërkombëtare, para se gjithash në OKB, si dhe t’i hapë rrugë anëtarësimit në BE dhe NATO”, thuhet në këtë letër. /ZËRI/

Më poshtë ju sjellim letrën e plotë dërguar Mogherinit:

 

Image

Image

Image