Thellohet problemi i Asociacionit

Thellohet problemi i Asociacionit

Aktuale gusht 08, 2018 - 07:53
Lexo lajmet më të fundit nga vendi. rajoni dhe bota

Dërgimi i draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Bruksel nga ana e ekipit menaxhues pa kaluar paraprakisht në “duart” e Qeverisë së Kosovës do ta komplikojë edhe më shumë çështjen e formimit të këtij Asociacioni. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, e cila ka thënë se nëse Qeveria vazhdon të jetë e pakujdesshme në këtë proces dëmet do të jenë të paparashikueshme për shtetin e Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Dërgimi i draftstatutit të Asociacionit direkt në Bruksel pa kaluar fare në Qeverinë e Kosovës pritet ta komplikojë situatën edhe më tej. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se serbët nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre për ta formuar AKS-në sipas Marrëveshjes së Brukselit, rrjedhimisht kundër Kushtetutës së Kosovës. Edhe ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë - Serbi Edita Tahiri ka vlerësuar se situata tashmë është komplikuar.

LEXO EDHE: Murati: Dërgimi i Statutit të Asociacionit direkt në Bruksel, e vë Kosovën para aktit të kryer

Në një bisedë për “Zërin” Tahiri ka thënë se Qeveria aktuale ka dështuar në qasjen ndaj zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin me vetë faktin që ka lejuar vetëm përfaqësuesit e komunitetit serb ta bëjnë draftin e statutit.

Në anën tjetër, përderisa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është zotuar se draftstatuti do të rregullohet sipas Kushtetutës, përfaqësuesit e opozitës kanë vlerësuar se dërgimi i draftstatutit të Asociacionit në Bruksel pa kaluar në institucionet e Kosovës vetëm e thellon problemin e debatit dhe të çështjes së bisedimeve në Bruksel.

Haradinaj: Nëse draftstatuti s’përputhet me Kushtetutën, do ta përmirësojmë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pohuar se dorëzimi i draftstatutit të Asociacionit do të dorëzohet në Bruksel. “Është dorëzuar transkripti, dokumenti i grupit punues. Ka nevojë për shqyrtim të kujdesshëm, ne e kemi për obligim që ta sjellim në përputhje me ligjet dhe me Kushtetutën e vendit, mirëpo dorëzimi formal bëhet në Bruksel. Siç e dini, atje pranohet zyrtarisht një draftstatut”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, Haradinaj ka thënë se pas kësaj Qeveria e Kosovës do ta shqyrtojë dhe do ta rregullojë draftstatutin sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. “Detyra jonë është që pasi ta marrim ta shqyrtojmë dhe nëse nuk është në përputhje me ligjet dhe me Kushtetutën ta përmirësojmë dhe ta rregullojmë që të jetë në përputhje me ligjet dhe me Kushtetutën e vendit”, ka theksuar kreu i ekzekutivit.

Tahiri: Dëmet mund të jenë të paparashikueshme

Në anën tjetër ish-kryenegociatorja e dialogut teknik Edita Tahiri ka vlerësuar se Qeveria aktuale ka dështuar në qasjen ndaj zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin me vetë faktin që ka lejuar vetëm përfaqësuesit e komunitetit serb ta bëjnë draftin e statutit. “Duke përjashtuar veten nga kjo çështje, Qeveria aktuale me vetëdije ose pa vetëdije ka lejuar devijime të mundshme dhe shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Marrëveshja për Asociacionin, sipas Tahirit, duhet të jetë e bazuar në Kushtetutën dhe në ligjet e Kosovës. Kjo marrëveshje sipas saj nuk lejon kompetenca ekzekutive. “Pra, vetë Marrëveshja e Brukselit përcakton se Asociacioni duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Mirëpo kjo Qeveri nuk u mor me këtë çështje dhe as me dialogun e Brukselit edhe pse ka pasur mandatin nga Kuvendi si e autorizuar për dialogun e Brukselit”, ka shtuar ajo.

Qeveria sipas Tahirit duhet ta ndryshojë këtë qasje të gabuar dhe në fazat e tjera të jetë sa më syçelë, në mënyrë që t’i korrigjojë devijimet e mundshme të draftstatutit. “Nëse vazhdon me këtë qëndrim të gabuar, dëmet do të jenë të paparashikueshme për shtetin e Kosovës”, ka nënvizuar Tahiri.

Ndërkaq ka vlerësuar se dërgimi i draftit të statutit të AKS-së në Bruksel pa kaluar në Qeveri fare vetëm sa e ka komplikuar situatën. “Tashmë situata është komplikuar për faktin se kjo Qeveri ka lejuar që kjo të ndodhë. Tani duhet vendosmëri dhe syçeltësi nga ana e Qeverisë që të mos dështojë në fazat e tjera të këtij procesi”, është shprehur ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës.

Haxhiu: Ekipi menaxhues, jokushtetues

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu ka vlerësuar se ekipi, i cili ka hartuar draftstatutin e Asociacionit është jokushtetues. Sipas saj, Gjykata Kushtetuese tashmë ka dëshmuar se Marrëveshja e Asociacionit shkel Kushtetutën në 23 nene gjithsej.

“Andaj ekipi menaxhues, i përbërë nga 4 serbë dhe atë dy nga veriu e dy nga jugu, që kanë vepruar në zyrat e OSBE-së në veri është ekip jokushtetues. Ato takime kanë qenë jokushtetuese. Çfarëdo dokumenti i prodhuar nga ky grup lidhur me këtë temë është jokushtetues”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, anëtarët e ekipit menaxhues kanë vepruar sipas direktivave të Beogradit, rrjedhimisht kundër Republikës së Kosovës. “Shtrohet pyetja, se çfarë qeverie është ku nuk ka asnjë informacion lidhur me draftin e statutit? Shtrohet pyetja, se pse duhet lejuar që ky dokument, ndonëse jokushtetues, të shkojë në Bruksel?”, ka nënvizuar deputetja e LVV-së.

Kusari-Lila: Dërgimi i statutit në Bruksel e thellon problemin

Ndërkaq deputetja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila ka thënë se i tërë procesi i dialogut që është duke u zhvilluar aktualisht është në rrezik, jo vetëm çështja e statutit të Asociacionit, pasi dialogu në Bruksel është duke u zhvilluar jashtë kompetencave dhe linjës së Kuvendit e të Qeverisë. “Dërgimi i statutit të Asociacionit në Bruksel direkt pa kaluar nëpër institucionet e Kosovës vetëm e thellon problemin e debatit dhe të çështjes së bisedimeve në Bruksel. Domethënë, edhe Brukseli zyrtarisht injoron komplet institucionet e Kosovës, duke marrë përsipër një proces i cili lidhet me shtetësinë dhe me mirëqenien e Kosovës”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Megjithëkëtë, Kusari-Lila ka thënë se Asociacioni nuk mund të bëhet ashtu siç ka paralajmëruar ekipi menaxhues, kundër Kushtetutës. “Asnjë vendim që merret jashtë Kosovës nuk mund të gjejë zbatim nëse është shkelje e Kushtetutës së vendit dhe e rendit kushtetues”, ka theksuar ajo.

Halitaj: Asociacioni, bombë e kurdisur për Kosovën

Teksa ka folur rreth Asociacionit njohësi i çështjeve politike Agron Halitaj, ka thënë se qyshkur është themeluar ekipi menaxhues për hartimin e projektit të statutit për krijimin e AKS-së ka qenë e pritshme që anëtarët e këtij ekipi do t’i shpërfillin institucionet e Kosovës dhe do të komunikojnë drejtpërdrejt me Beogradin dhe me Brukselin. Këtë rrugë sipas tij, e kanë trasuar vetë liderët institucionalë të Kosovës, pasi kanë dhënë bekimin që statuti i AKS-së të përpilohet vetëm nga një trupë etnike serbe. “Me këtë veprim liderët vendës pavarësisht ‘duartrokitjeve’ që kanë marrë nga faktorët e jashtëm kanë bërë gabimin e dytë të madh, pasi gabimi i parë ishte bërë në Bruksel me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për AKS-në, duke mundësuar që Serbia të përzihet në rregullimin e brendshëm shtetëror të Kosovës, çka është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Rezolutën për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.

Halitaj tutje nuk ka përjashtuar shpërfaqjen e tensioneve në momentin kur AKS-ja do të tentohet të bëhet me kompetenca ekzekutive. “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe aktualisht është ‘bombë e kurdisur’ për Republikën e Kosovës. Duke marrë parasysh pretendimet e serbëve lokalë është e pritshme që statuti i AKS-së të parashohë krijimin e një entiteti me fuqi ekzekutive. Pa dyshim që kjo do të jetë e papranueshme për Qeverinë e për Presidencën e Kosovës dhe për rrjedhojë mund të shpërthejnë tensionet në komunat veriore për ta jetësuar atë që parashihet me statut”, është shprehur ai.

Një gjendje e re e krijuar në atë pjesë sipas tij do t’ua imponojë palëve të përfshira në dialogun e Brukselit që ta shtrojnë në tavolinë të bisedimeve ndarjen ose korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. “Lëvizja e kufijve ka pak gjasë se do të lejohet nga faktorët me ndikim në politikën botërore dhe si përfundim, si zgjidhje kompromisi ose si zgjidhje ‘win-win’ mes palëve serbëve në veri mund t’u jepet ‘autonomia substanciale’. Realizimi i një skenari të tillë do ta bënte shtetin e Kosovës tërësisht jofunksional”, ka vlerësuar Halitaj.

Kurse Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se dërgimi i draftstatutit të Asociacionit direkt në Bruksel pa kaluar në Qeveri e vë shtetin e Kosovës para një akti të kryer. “Kuvendi ka ratifikuar Asociacionin, që do të thotë nuk ka më punë me këtë marrëveshje. Shpresa e vetme ka qenë Gjykata Kushtetuese dhe konfirmimi që ky statut është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit”, ka deklaruar Murati. /ZERI