Ambasada Amerikane jep një lajm shumë të mirë për qytetarët e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Ambasada Amerikane jep një lajm shumë të mirë për qytetarët e Kosovës

Aktuale maj 16, 2018 - 15:47
Ky është lajmi i shumëpritur

Ambasada Amerikane në Kosovë, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se tashmë të gjithë qytetarët e Kosovës që janë mbi moshën 50-vjeçare mund të aplikojnë për vizë turistike në Prishtinë, raporton “Zeri.info”.

Ambasada e SHBA-së ka bërë të ditur se tani aplikacionet për viza turistike “B1” dhe “B2”, mund ti dorëzojnë edhe në Prishtinë.

Kujtojmë se deri më tani ky shërbim është kryer në ambasadën amerikane në Shkup, raporton “Zeri.info”.

Njoftimi i plotë i Ambasadës Amerikane:

KOSOVARËT E MOSHËS MBI 50 VJEÇARE DO TË MUND TË APLIKOJNË PËR VIZË TURISTIKE (B1/B2) NË AMBASADËN E SHBA-ve NË PRISHTINË

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar menjëherë do të fillojë të pranojë aplikacionet për viza turistike (B1/B2) për kosovarët e moshës mbi 50 vjeçare. Deri më tani, shërbim i tillë është ofruar në Prishtinë vetëm për aplikuesit e moshës mbi 60 vjeçare. Pasi që ambasada e SHBA-ve në Prishtinë përpiqet të ofrojë shërbime të cilësisë së lartë për qytetarët e Kosovës të cilët aplikojnë për viza, dhe ka konsideratë për vështirësitë që paraqet udhëtimi për në Shkup, duke pasur parasysh mbylljen e rrugës kryesore, ajo ka vendosur t’i zgjerojë shërbimet për viza të ofruara në Prishtinë.

Në të ardhmen, aplikantët duhet plotësuar formularin DS-160 (i cili mund të gjindet në faqen zyrtare të ambasadës së SHBA-ve në: https://xk.usembassy.gov/visas/), të përzgjedhin Prishtinën si vend të aplikimit, dhe të caktojnë terminin për intervistë në ëeb-faqe.

Në ditën e intervistës aplikantët duhet të paguajn tarifën për vizë (me para në dorë, dollarë ose euro) në ambasadë ku dhe do të intervistohen nga një zyrtar konsullor. Vini re se këto procedura dallojnë nga ato në ambasadën e SHBA-ve në Shkup.

Aplikantët të cilët tashmë e kanë paguar tarifën për vizë në mënyrë elektronike apo në Bankën Raiffeisen nuk mund ta përdorin këtë pagesë për të aplikuar në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë - ata ose duhet të aplikojnë në Shkup ose duhet të bëjnë një pagesë të re. Gjatë intervistës të gjithë aplikantët duhet të dëshmojnë se kualifikohen për të marrë vizën.

Zakonisht, vizat e aprovuara mund të mirren në ambasadë, një ditë pune pas intervistës.

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë shpreson të ofrojë më shumë shërbime për viza në vitin vijues. Për çdo risi dhe ndryshim ju lutemi të përcjellni ambasadën në Facebook. Pyetjet tuaja mund ti drejtoni në [email protected]

VINI RE:

Aplikantët duhet të paraqiten jo më shumë se 15 minuta para intervistës. Armët ose çantat e mëdha janë të ndaluara në amabasadë. Aplikantët këshillohen t’i lënë paisjet elektronike në shtëpi për të lehtësuar kontrollimin e tyre nga ana e personelit të sigurimit.

Për të arritur tek Sektori Konsullor duhet ecur shkallëve dhe nëpër sipërfaqe jo të rrafshta. Për shkak të hapsirës së kufizuar personat të cilët nuk aplikojnë për vizë nuk do të mund të futen në ambasadë. Aplikantët me aftësi të kufizuar të lëvizjes, apo që kanë nevojë për ndihmë të ndonjërit prej anëtarëve të familjes këshillohen të aplikojnë në ambasadën e SHBA-ve në Shkup.

Çiftet e martuara mund të aplikojnë së bashku në Prishtinë përderisa njëri nga ta është mbi 50 vjeç. Të gjithë aplikantët tjerë të moshës 14 deri 49 vjeçare e që aplikojnë për vizë turistike (B1/B2), që përndryshe nuk kualifikohen të aplikojnë në Prishtinë, duhet të aplikojnë në ambasadën e SHBA-ve në Shkup.

Sektori Konsullor ka numër të kufizuar të termineve. Aplikantët duhet të kenë durim nëse data e tyre e dëshiruar për intervistë nuk është në dispozicion. Aplikantët me raste urgjente këshillohen të aplikojnë në ambasadën e SHBA-ve në Shkup.