Zaimi thotë se GDP po formon parti të re veç për inat të Albin Kurtit

Aktuale May 01, 2018 - 20:41
Detajet

Aktivisti i Vetëvendosjes nga Shqipëria, Arbër Zaimi, në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka folur për vendimin e Grupit të Deputetëve të Pavarur për formimin e partisë së re, pas dorëheqjeve që kanë dhënë muaj më parë.

Zaimi ka thënë se GDP po duket sikur një grup që është krijuar veç për inat të Albin Kurti.

Sipas tij, ata nuk e kanë bërë të qartë arsyen pse e kanë krijuar këtë parti.

“Mendoj se ata ende nuk kanë bërë të qartë se çfarë janë veçantitë e tyre, arsyet pse e kanë krijuar atë parti. Deri tani duket si një grup i krijuar veç për inat të Albin Kurtit”, ka deklaruar ai, raporton Gazeta Blic.

Zaimi i Vetëvendosjes tha se uron që kjo parti të mbetet në linjën kombëtare dhe të mos shërbejë si patericë e partive të tjera.

“Megjithatë, uroj që të mbeten në linjën kombëtare e në atë socialdemokrate, edhe pse siç duket nga veprimet dhe fjalët e tyre, ata do të jenë gjithnjë e më pak kombëtarë e gjithnjë e më shumë liberal. Shpresoj të mos i shërbejnë si patericë partive të tjera”, ka përfunduar Zaimi.

Ndryshe, Grupi i Deputetëve të Pavarur në Kuvendin e Kosovës, kanë bërë publike parimet e partisë e re.

Një konferencë për media, planin dhe mënyrën e organizimit të kësaj partie e shpalosën Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani.

Të pyetur nga gazetarët lidhur me emrin e subjektit më të ri në vend, Ymeri ka thënë se ende nuk i kanë vendosur një emër, teksa tha se ka disa propozime.

“Nuk është vendosur ende për emrin, por ka disa propozime sapo të kemi diçka do ta publikojmë”.

“Kemi bashkëpunëtorë në shumë komuna të Kosovës, jemi duke punuar në këtë drejtim, por, gjithsesi, kjo çështje do pak kohë. Deri më tani kemi një grup njerëz që janë në mendim të njëjtë me ne”, ka deklaruar Ymeri.

Kujtojmë se, Grupi i Deputetëve të Pavarur është ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, muaj më parë.

Grupi i Deputetëve të Pavarur ka gjithsej 12 deputetë: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Dardan Sejdiu, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu si dhe Shqipe Pantina.

Shefi i grupit parlamentar është Dardan Sejdiu.