Qeveria shpreson në vlerësim pozitiv për vizat
Foto: Driton Bublaku

Qeveria shpreson në vlerësim pozitiv për vizat

Aktuale prill 13, 2018 - 07:49
Lexo detajet

Krerët e Qeverisë dhe përfaqësues të koalicionit qeverisës shprehen të sigurt se liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit. Ata thonë se vlerësime pozitive do të jepen qysh në javën e ardhshme kur do të publikohet Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha shprehen të bindur se Bashkimi Evropian shumë shpejt do të japë vlerësim pozitiv për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

LEXO EDHE: Ndërkombëtarët, kundër zgjedhjeve

Qeveritarët shpresojnë që në Raportin për Kosovën (Raporti i Progresit siç quhej më herët) do të jepen vlerësime pozitive për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar që është kriteri i fundit për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.

Se Kosova pritet të marrë rezultate pozitive kanë deklaruar edhe deputetë të koalicionit qeverisës në Komisionin për Integrime Evropiane pas një takimi me përfaqësues të BE-së që u mbajt dje.

Ata kanë bërë të ditur se është folur për zhvillime pozitive drejt liberalizimit të vizave.

Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje thotë se në takim kanë kuptuar se nuk do të ketë heqje të vizave gjatë këtij viti.

Haradinaj: Me ratifikimin e Demarkacionit Kosova e ka fituar liberalizimin

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se Kosova ka bërë mjaft hapa përpara drejt liberalizimit të vizave. Ai ka thënë se ekzistojnë filtra të mjaftueshëm të BE-së që do t’ia mundësojnë Kosovës të kalojë edhe kushtin për luftimin e krimit dhe të korrupsionit.

“Demarkacioni me Malin e Zi është vlerësuar si nyja për të hapur një temë e që ishte liberalizimi dhe mendoj se me tejkalimin e kësaj teme Kosova e ka fituar liberalizmin. Çështja e luftës kundër korrupsionit është interes i vendit dhe ekzistojnë filtra të BE-së për të detyruar që të kalohet nëpër disa parametra ligjore”, ka thënë ai.

Haradinaj beson se vlerësimi i BE-së do të jetë pozitiv në lidhje me kriteret për liberalizimin e vizave.

Hoxha: Më 17 prill Kosovës i jepet sinjali i parë për vizat

Ndërkohë Ministria e Integrimit Evropian në një përgjigje dhënë gazetës “Zëri” ka thënë se Kosova ka shënuar rezultate në kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave.

“Jemi të bindur se i kemi realizuar të gjitha 95 kushtet për liberalizimin e vizave. Konsiderojmë se të dhënat nga institucionet që merren me luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit kanë dëshmuar rezultate dhe presim që të vihet në rend dite me rastin e parë, sipas agjendës në Bruksel”, thuhet ne këtë përgjigje dhënë “Zërit”.

Në këtë përgjigje është thënë se negociatat për liberalizim të vizave në mes të tri institucioneve kryesore s’do të marrin më shumë se sa gjashtë muaj.

“Vlerësimi ynë është që për qëllime të liberalizimit të vizave kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka shënuar progres të madh, por presim vlerësimin final nga institucionet e BE-së dhe ende nuk kemi ndonjë datë zyrtare për këtë”, ka njoftuar zyra për medie e Ministrisë së Integrimit.

Ndërkohë ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se ka shpresa që brenda vitit qytetarët e Kosovës të lëvizin lirisht në vendet e BE-së sikurse fqinjët e tyre dhe se më 17 prill presin raportin e vlerësimit të kritereve që i janë vendosur Kosovës për të përparuar në integrimet evropiane.

Pacolli: Sivjet s’ka liberalizim të vizave

Por ndryshe është shprehur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli. Ajo tha se Kosova ka dështuar të bëjë hapa konkretë sa i përket luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, kushtit të fundit për liberalizimin e vizave.

“Sapo u ktheva nga një takim që e kishim më përfaqësues të Zyrës së BE-së për të diskutuar rreth përmbushjes së kriterit të luftimit të korrupsionit, për liberalizim të vizave. Nga ajo që pamë është tashmë e sigurt që nuk do të ketë liberalizim të vizave sivjet dhe është shumë e qartë që Kosova nuk ka bërë ndonjë hap konkret sa i përket luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar”, ka thënë ajo.

Por këto deklarata i ka demantuar kryetarja e Komisionit për Integrime Blerta Deliu-Kodra, e cila ka thënë se “është totalisht e pavërtetë ajo që ka deklaruar Pacolli”.

Deliu: U dhanë sinjale pozitive për vizat  

Kryetarja e Komisionit për Integrime, Blerta Deliu-Kodra, pas takimit të Komisionit për Integrime Evropiane me përfaqësues të BE-së, që u mbajt gjatë ditës së djeshme, ka thënë se janë dhënë sinjale pozitive për vizat.

“Takimi ka qenë i mbyllur për medie, kështu që jemi dakorduar ndërmjet Zyrës se BE-së dhe Komisionit për Integrime. Takimi është zhvilluar në frymë jashtëzakonisht pozitive dhe po ashtu është thënë se sa i përket Brukselit sinjalet janë pozitive”, ka shtuar Deliu. Tutje kryetarja e këtij Komisioni tregoi qartas se çfarë është diskutuar, derisa shtoi se kalimi i Demarkacionit është vlerësuar hap shumë i rëndësishëm.

“Kemi diskutuar lidhur me progresin në 'track record', e cila është në duar të gjyqësorit, si dhe kemi diskutuar si mundin Kuvendi e Qeveria të ndihmojnë në proces e që është kalimi i ligjeve që burojnë nga MSA-ja, nga Raporti i Progresit. Është vlerësuar si hap shumë i rëndësishme ratifikimi i Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës”, tha ajo.

Fetoshi: Pritet vendim pozitiv për Kosovën

Ndërsa Arben Fetoshi, njohës i çështjeve ndërkombëtare, vlerëson se fundi i këtij viti do të jetë koha kur qytetarët do të lëvizin lirshëm.

“Është çështje e cila duhet të kalojë nëpër disa instanca dhe jam i bindur që së shpejti do të merret vendimi. Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi ishte kushti kryesor i mbetur dhe me vlerësimet pozitive për sa i përket forcimit të luftës kundër korrupsionit do të konstatohet përmbushja e kritereve për liberalizim. Pastaj procedura implementuese do të marrë disa muaj dhe besoj që fundi i këtij viti do të jetë koha kur qytetarët mund të lëvizin lirshëm”, tha ai për “Zërin”.

Fetoshi tha se përveç aspektit teknik liberalizimi mund edhe të programohet me kohë në raport me procese të tjera të rëndësishme siç është dialogu me Serbinë, Gjykata Speciale, etj.

“Disa hapa janë bërë dhe mendoj që në ditët e ardhshme do të kemi intensifikim të kësaj agjende. Megjithatë, disa aktakuza dhe aktgjykime më shumë apo më pak mendoj që s’do ta përcaktojnë vendimin. Luftimi i korrupsionit është proces dhe ajo që ka rëndësi është demonstrimi i vullnetit të Prishtinës në këtë drejtim”, tha ai.