Ndërkombëtarët, kundër zgjedhjeve

Aktuale April 13, 2018 - 07:44
Lexo detajet

Në kohën kur subjektet opozitare po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë kanë thënë se zgjedhjet janë vetëm humbje kohe për vendin tonë dhe se nuk garantojnë ndryshime, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndonëse opozita vazhdimisht po paralajmëron ngritjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, bashkësia ndërkombëtare nuk po e pëlqen një opsion të tillë.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se zgjedhjet janë vetëm humbje kohe për vendin tonë, andaj Kosova para kësaj duhet t’i kryejë shumë detyra të mbetura, të cilave deri më tash nuk u janë dhënë epilog.

Ndërkombëtarët me këtë rast u kanë bërë thirrje “institucioneve që të përqendrohen te rezultatet e jo vetëm te politika”. Sipas tyre, Kosova ka shumë sfida të cilat nuk presin, siç është finalizimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, reformat në Kodin Penal e deri te sigurimi i vendeve të reja të punës.

SHBA: Të përqendrohemi në rezultate e jo vetëm në politikë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u ka bërë thirrje institucioneve që të përqendrohen në rezultate. Në një përgjigje dhënë gazetës “Zëri” Ambasada Amerikane konsideron se institucionet duhet po ashtu të përqendrohen edhe në procesin e negociatave mes Kosovës e Serbisë.

“Le të përqendrohemi në rezultate e jo vetëm në politikë. Ne besojmë se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të përqendrohen në arritjen e qëllimeve kyçe, siç janë përmirësimi i sundimit të ligjit, lehtësimi i investimeve vendore dhe të huaja, ripërkushtimi ndaj dialogut me Serbinë dhe kalimi i Ligjit për Liritë Fetare”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.

Gjermania: Kosova humb kohë dhe para nga zgjedhjet e parakohshme

Ndërkaq Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë se Kosova ka shumë punë të cilat janë duke pritur për t’u kryer. “Kosova ka shumë sfida që nuk presin, duke u nisur nga reforma e Kodit Penal apo i Ligjit të Procedurës Penale, themelimi i Asociacionit me Shumicë Serbe e deri te nxitja e investimeve, të cilat do të krijonin vende te reja pune”, potencohet në përgjigjen e kësaj Ambasade për “Zërin”.

Për të ardhur deri te kjo, sipas Ambasadës Gjermane, duhet punë si nga legjislativi, ashtu edhe nga ekzekutivi i vendit, ndërkohë me zgjedhje të parakohshme vendi vetëm sa humb kohë dhe para.

“Për të arritur këtë nevojitet një parlament dhe një qeveri e aftë për të punuar. Nëpërmjet zgjedhjeve të reja Kosova dhe qytetarët e saj humbin shumë kohë dhe para, pa qenë e qartë që zgjedhjet e parakohshme pas më pak se një viti nga zgjedhjet e fundit do të ndryshonin diçka në thelb”, theksohet në përgjigjen e Ambasadës për “Zërin”.

Andaj, në vend të kësaj Ambasada u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të nisin një dialog konstruktiv dhe së bashku të punojnë në tejkalimin e sfidave urgjente për vendin.

BE: Stabiliteti dhe qeverisja efektive janë në interes të popullit të Kosovës

Duke komentuar rreth mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se BE-ja nuk e ka për detyrë që të ndërhyjë në debatin politik në vend. Por pavarësisht kësaj, thekson se stabiliteti dhe qeverisja e efektshme janë në interes të shtetit të Kosovës.

“Nuk është detyrë e BE-së që të ndërhyjë në debatin politik të lirë dhe demokratik në Kosovë. Megjithatë, ne e kemi të qartë se stabiliteti dhe qeverisja efektive janë në interes të popullit të Kosovës. Stabiliteti është po ashtu i favorshëm për reformat politike dhe ekonomike që janë të nevojshme dhe në disa raste edhe të vonuara”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së dhënë “Zërit”.

Britania e Madhe: Zgjedhjet e parakohshme, çështje e partive

Edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuara në Prishtinë ka thënë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë janë çështje e partive politike dhe e politikanëve të Kosovës.

“Partitë politike dhe politikanët janë të zgjedhurit e popullit dhe si rrjedhojë janë pikërisht këta të cilët duhet të japin llogari para qytetarëve”, thuhet në përgjigje.

Sipas përgjigjes në vijim thuhet se opsioni i zgjedhjeve të parakohshme duhet të shqyrtohet nga vetë klasa politike në vend.

“Kosova është një shtet i pavarur e sovran dhe e ardhmja e saj është në dorë të Kosovës. Prandaj, çështja e zgjedhjeve të parakohshme është diçka që duhet të shqyrtohet dhe të vendoset nga vetë klasa politike në Kosovë”, ceket në përgjigjen e Ambasadës Britanike.

Paralajmërimi për mocion dhe për shkuarje në zgjedhje

Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) si partia më e madhe opozitare para disa ditësh u ka bërë kërkesë partive politike që të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të bien në dakord për një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Megjithatë, asnjëra nga partitë ende nuk është deklaruar pozitivisht rreth kësaj.

E në rast se një nismë e tillë dështon LDK-ja ka paralajmëruar se shumë shpejt do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë, duke ngritur mocion mosbesimi për qeverinë “Haradinaj”.

Madje deputetë nga ky subjekt para pak ditësh kanë bërë të ditur për “Zërin” se mbledhja e nënshkrimeve për mocionin për rrëzimin e Qeverisë do të nisë shumë shpejt, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje sa më parë.

Mirëpo, ani pse Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar tashmë se është pro zgjedhjeve të parakohshme dhe pro mocionit Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP) që është pjesë e opozitës, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Sipas përfaqësuesve të këtij Grupi, në situatën e tanishme nuk mund të flitet për zgjedhje të parakohshme. Sa i përket mocionit ata kanë njoftuar se pa pasur diçka konkrete nuk do të deklarohen rreth tij.

Ndërkohë, nga përfaqësuesit e partive në pushtet vazhdimisht po deklarohen se do të vazhdojnë të funksionojnë pa kurrfarë problemi, ani pse koalicioni qeverisës aktualisht ka vetëm 53 numra në Kuvendin e Kosovës.

Deri te një pakicë e tillë koalicioni qeverisës erdhi pas daljes së Listës Serbe nga koalicioni pas arrestimit dhe pas dëbimit të shefit të së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Marko Gjuriq, nga autoritet kosovare, pasi ai kishte hyrë në veriun e vendit pa lejen e Kosovës.