Thaçi takon Sekretarin Johnson

Thaçi takon Sekretarin Johnson

Aktuale mars 13, 2018 - 20:05

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një takim me sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, me të cilin ka bashkëbiseduar rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë dhe rajon.

Në këtë takim është biseduar lidhur me fazat e ardhshme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. “Çështje të rëndësishme janë para nesh, dialogu me Serbinë dhe rrumbullakësimi i paqes në Ballkan; anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe NATO, si dhe roli i rëndësishëm që Londra luan këtë vit me Samitin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Londër, në korrik të këtij viti”, ka theksuar Presidenti.

Presidenti Thaçi ka shprehur besimin se Londra do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në të gjitha fushat. “Bashkëpunimi ekonomik, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe lufta kundër krimit dhe terrorizmit nuk mund të jetë e qëndrueshme në Ballkan apo në botë pa rolin aktiv të Britanisë së Madhe.

Kjo do të dëshmohet në Samitin “Western Balkans Six” që do të mbahet këtë verë, në Londër”, ka shtuar Presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson ka thënë se Britania e Madhe ka mbështetur Kosovën që nga fillimi dhe do të vazhdojë përkushtimin për sigurimin e paqes në rajon.