Shansi i fundit për ta kaluar Demarkacionin
Foto: Laura Hasani

Shansi i fundit për ta kaluar Demarkacionin

Aktuale mars 12, 2018 - 07:48
Flasin për ‘Zërin’ udhëheqësit e shtetit edhe udhëheqësit politik

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, është shprehur i bindur se Demarkacioni do të marrë epilog kah mesi i kësaj jave. Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, është shprehur optimist se shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje dhe Demarkacioni do të kalojë. E nëse votimi dështon edhe gjatë kësaj jave, atëherë Kosova përfundimisht do t’i humbasë afatet për liberalizimin e vizave, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pas tri dështimeve të njëpasnjëshme për ta kaluar Marrëveshjen e Demarkacionit, kjo javë përbën mundësinë e fundit për ta përmbyllur këtë çështje, në mënyrë që të mos humbet afati për liberalizimin e vizave.

Këtë alarm e kanë ngritur përfaqësues të të dy taborëve, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita.

Megjithatë, koalicioni qeverisës ende nuk ka njoftuar mbi ndonjë konsensus të arritur me partitë e tjera, të cilat janë në kundërshtim të Demarkacionit.

Megjithëkëtë, nga koalicioni kanë paralajmëruar se shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje, e cila do t’i japë epilog Demarkacionit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për Zërin se Marrëveshja e Vjenës do të votohet kah mesi i javës, diku kah e mërkura apo e enjtja.

Edhe përfaqësuesit e PDK-së janë shprehur optimistë se “nyja” e Demarkacionit do të zgjidhet brenda kësaj jave.

Ndërkohë, ani pse nga koalicioni qeverisës po vazhdojnë të pohojnë se ka deputetë nga lëvizja “Vetëvendosje” që do ta mbështesin marrëveshjen në fjalë, deputetë nga ky subjekt, grupi i të dorëhequrve, e kanë mohuar një gjë të tillë.

Kurse përfaqësuesit e Listës Serbe deri më sot nuk janë deklaruar fare sa i përket kësaj çështjeje.

Pacolli: Demarkacioni kalon kah mesjava

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, është shprehur i bindur se Demarkacioni do të marrë epilog kah mesi i kësaj jave

.“Do të gjendet një zgjidhje, absolutisht. Jemi duke punuar në mënyrë efektive dhe do të gjendet një zgjidhje. Unë besoj që kjo javë është vendimtare, është absolutisht java kur do të ndodhë Demarkacioni. Jam i bindur. Demarkacioni do të kalojë kah mesi i javës”, ka deklaruar Pacolli për gazetën “Zëri”.

I pyetur nëse një gjë e tillë do të thotë që Demarkacioni do të votohet kah e mërkura apo e enjtja, Pacolli e ka pohuar një gjë të tillë.

“Ashtu diçka”, ka thënë shefi i diplomacisë kosovare.

Paralajmërohet marrëveshje e re për ta kaluar Demarkacionin

Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, është shprehur optimist se shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje dhe Demarkacioni do të kalojë.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk mund të dihet sigurt se kur do të ndodhë kjo.

“Kam dëgjuar mbrëmë edhe kryeministrin dhe të tjerët që ka një përpjekje për ta realizuar një marrëveshje me grupet e tjera politike. Unë konkretisht nuk kam informacion të shumtë, duhet ta dimë që seanca është e hapur. Në momentin që do të jemi të sigurt se janë votat, ne do ta thërrasim vazhdimin e seancës. Kjo është detyra jonë. Në anën tjetër, politikisht mendoj që është shumë afër për t’u realizuar kjo dhe po besoj që gjatë javës edhe mund të ndodhë që të miratohet”, ka deklaruar ai për “Zërin”, ndonëse siç ka thënë ai nuk mund të dihet ende sigurt.

I pyetur se çka konkretisht përmban marrëveshja që po pretendohet të arrihet me partitë politike, Haliti ka thënë se nuk ka shumë informacion sa i përket kësaj.  

Kurse deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka thënë se nuk ka ndonjë informacion se kur Demarkacioni do të dalë në votim.

Gjersa ka folur mbi qëndrimin e tij, Selmanaj duke mos saktësuar nëse do të votojë apo jo ka thënë se mbështet raportin e komisionit që gjendet në projektligj dhe se do të veprojë sipas rrethanave.

“Ditën kur kam deklaruar që nëse raporti i Bulliqit hiqet, sepse insistonte LDK-ja, kam deklaruar se votoj kundër. Mirëpo, raporti është kthyer, është brenda ligjit, tash të shohim si po zhvillohet situata deri ditën kur do të dalë në seancë. Raporti është mirë që është aty, do të kemi konsultime me Grupin Parlamentar”, ka theksuar Selmanaj.

Deda: Nëse Demarkacioni zvarritet mund ta humbim afatin për viza

Në anën tjetër deputeti nga Alternativa (koalicioni LA) ka konsideruar se e tërë zvarritja e Demarkacionit po bëhet në mungesë të dy votave.

“Zvarritja po ndodh për shkak të mungesës së dy votave në Kuvend për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion. Alternativa ka shpresuar se grupi i LVV-së do ta përkrahë ratifikimin pasi që nuk ka asnjë arsye më për ta kundërshtuar këtë çështje. Kemi besuar që në këtë çështje është shumë e rëndësishme të ketë unitet të faktorit politik shqiptar në Kuvend”, ka deklaruar ai për “Zërin”.  

E po qe se Demarkacioni nuk kalon as këtë javë, Ilir Deda ka thënë se Kosova mund të pësojë sa i përket liberalizimit.

“Nëse zgjatet më shumë ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi kam frikë që do t’i humbim afatet kohore për liberalizim të vizave sivjet. Ratifikimi duhet të ndodhë sa më parë në dy-tri ditët e ardhshme”, ka potencuar Deda.

Pajaziti: Kjo javë është vendimtare

Pavarësisht mungesës së dy votave, deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti është shprehur optimist se Demarkacioni do të përmbyllet gjatë kësaj jave.

“Tash janë duke u bërë vetëm disa përpjekje me partitë dhe me deputetët e tjerë që kanë qenë kundër. Po shpresojmë që kjo storie të mbyllet tashmë shumë shpejt. Po besoj që kjo javë që vjen është vendimtare. Përndryshe, s’do të ketë edhe kuptim për më vonë”, është shprehur ai.

E po qe se as këtë javë nuk përfundon çështja e demarkacionit, sipas Pajazitit, Kosova do ta humbasë hapin drejt liberalizimit të vizave.

“Besoj që do të reflektojnë deputetët dhe grupet e tjera politike, përndryshe ne do ta humbim hapin, do të hymë në një moment që do të jetë i pafalshëm”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, i pyetur nëse janë në bisedime me deputetët e LVV-së pos atyre të Listës Serbe, Pajaziti duke mos dhënë detaje ka thënë se do të ketë rezultate në këtë drejtim.

“Unë vetë personalisht nuk jam i përfshirë këtu, por siç e dini liderët e koalicionit kanë bërë përpjekje edhe Veseli, edhe kryeministri dhe janë vazhdimisht në kontakte. Po besoj që do të kemi rezultat”, ka nënvizuar ai.

Pantina: Qëndrimi ynë, ai që ka qenë gjithmonë

Mirëpo deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje” nga grupi i të dorëhequrve, Shqipe Pantina, ka thënë se deputetët nuk kanë ndërruar qëndrim sa i përket Demarkacionit.

“Nuk e di si ka ardhur në atë përfundim dhe kah i ka nxjerrë ato konkluzione Kadri Veseli, por nuk ka asgjë të vërtetë. Përderisa unë jam deputete e LVV-së qëndrimi ynë është ai që ka qenë gjithmonë”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë Pantina ka thënë se po qe se ka ndonjë ndryshim, atëherë ai do të diskutohet dhe do të shqyrtohet për t’u marrë një vendim.

“Nëse ka ndonjë ndryshim eventual, natyrisht se ne do ta diskutojmë, do ta shqyrtojmë dhe do të marrim çfarëdo vendimi që është në interes të qytetarëve, por edhe të vendit. Por tani për tani qëndrimi ynë mbetet i njëjtë, siç ka qenë më herët”, ka theksuar Pantina.