Pacolli vlerëson lartë angazhimin e Limajt për arritjen e marrëveshjes për Demarkacion

Aktuale February 24, 2018 - 18:54

Behgjet Pacolli ka dhënë vlerësime të larta për Zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj për punën e bërë në arritjen e një marrëveshje për demarkacionin.

Ai ka thënë se pa Limajn do të ishte shumë vështirë të arrihej diçka në këtë marrëveshje.

“Vlerësim i lartë për angazhimin e madh të Zv. Kryeministrit Limaj, kontributin e tij të jashtzakonshëm, pa të cilin do të ishte shumë e vështirë”, ka shkruar Pacolli në Fb.

“Me vullnet pozitiv zgjidhen të gjitha problemet. Kosovën e pret e ardhme e ndritur”, ka shtuar Pacolli duke permendur edhe kontributin e Haradinajt, Veselit dhe LDK'së.

Sidoqoftë, Fatmir Limaj ishte marrë më së gjati për të gjetur një zgjidhje për demarkacionin. Kishte realizuar vizita edhe në Mal të Zi larg mediave. Kishte arritur t’i bindte liderët e Kosovës se duhet të arrijnë një pajtim për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit që ishte arritur më 2015.

Megjithëkëtë, Limaj ende nuk ia ka lënë asnjë meritë vetes. As sot kur e kanë marrë aprovimin e Haradianjt për të përfillur kërkesën e LDK’së që në marrëveshjen e re të Raporti i Shpejtim Bulliqit të jetë vetëm informues.

Kryetari i NISMA’s i ka falënderuar të gjithë për arritjen e marrëveshjes së re të demarkacionit që pritet të votohet të mërkurën.

“I falënderoj të gjitha forcat politike që përmes dialogut kemi ardhur deri të vendimi i përbashkët për të votuar demarkacionin. Lë të na shërbeje kjo si shembull se vetëm përmes dialogut, transparencës dhe respektit dhe duke pasur në qendër interesin e vendit ne se bashku mund t’i tejkalojmë me sukses edhe shumë sfida që na presin. Java e ardhshme do t’i sjellë Kosovës, shumë lajme  të mira të cilat kanë munguar për vite”, ka shkruar Limaj pasi është arritur marrëveshja.

Ndërkohë, edhe Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, LDK dhe Behgjet Pacolli kanë konfirmuar sot se kanë arritur marrëveshje për ta votuar Marrëveshjen e Demarkacionit, në seancën e radhës që mbahet të mekurën.

Por, vetëm Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli ka sqaruar se marrëveshja është arritur pasi Kryeministri është pajtuar me kushtin e LDK’së, e cila ka kërkuar që Raporti i Shpejtim Bulliqit të jetë vetëm infiormues e orientues në Marrëveshjen e Demarkacionit.

“Kryeministrit ka pranuar që marrëveshja të votohet ashtu siç ka kërkuar LDK’ja”, ka thënë Pacolli, në një bisedë për Express, e i cili ka konfirmuar i pari për marrëveshjen.

Ndërkaq, Kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar arritjen e marrëveshjes. Por, nuk e ka sqaruar deri në fund. E ka përmendur vetëm faktin se Raporti i Shpejtim Bulliqit do të jetë pjesë e Marrëveshjes së Demarkacionit. Pa dhënë detaje se në çfarë cilësie do të jetë ky dokument.

“Qytetarëve të Republikës së Kosovës ua konfirmoj se nga koalicioni qeverisës është mënjanuar pengesa e fundit politike, që siguron unitet politik në parlament. Ligji përmban Marrëveshjen e gushtit 2015, deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviç, si dhe Raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, ka shkruar Haradinaj.

Në anën tjetër, Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, ka thënë për Express se e përshëndesin arritjen e pajtimit që marrëveshje të votohet sipas kërkesave të partisë më të madhe në Kosovë, LDK’së. Ka thënë se Marrëveshja do të votohet bazuar në dokumentin e nënshkruar më 2015 me Malin e Zi, deklaratën e Presidentit dhe raportin e Bulliqit në cilësinë e dokumentit informues për deputetët.