Festa pa miq
Foto: Driton Bublaku

Festa pa miq

Aktuale shkurt 21, 2018 - 07:49

10-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u festua pa miqtë, të cilët mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe pa ata që tani janë drejtues të shteteve mike të Kosovës, shkruan sot Gazeta Zëri.

Në ceremoninë e jubileut të shpalljes nuk ishte asnjë kryeministër apo president i ndonjë vendi mik (me përjashtim të atyre të Shqipërisë).

Po ashtu munguan edhe personalitete të rëndësishme ndërkombëtare që në të kaluarën kanë luajtur rol të rëndësishëm në çlirimin dhe në pavarësimin e Kosovës.

LEXO EDHE: Beteja e Haradinajt për Demarkacionin

Deputetë dhe njohës të çështjeve politike në vend thonë se në këtë festë patjetër do të duhej të vinin ndonjëri prej personaliteteve si: ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, ish-kryeministri i Britanisë Tony Blair apo ndërmjetësuesi Marty Ahtisaari.

Kurse mosardhja e vlerësohet si një sinjal se klasa politike në Kosovë nuk vlerësohet nga ndërkombëtarët

Rugova: Mosardhja e personaliteteve, dëshmi për imazh jo të mirë të Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Zëri” se organizmi i jubileut të shpalljes së pavarësisë është shënuar me gabime të shumta.

“Konsideroj se ceremonia e 10-vjetorit të Pavarësisë ka pasur lëshime të mëdha si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë protokollar. Kjo është një vërejtje e madhe për mekanizmat institucionalë për organizimin”, është shprehur Rugova në një prononcim për “Zërin”.

Ai më tej ka thënë se do të duhej që në festimin e jubileut të shpalljes së pavarësisë të ftoheshin personalitete që kanë luajtur rol të rëndësishëm në lirinë dhe në pavarësinë e Kosovës.

Sipas Rugovës, mosardhja e personaliteteve të rëndësishme ndërkombëtare është tregues se Kosova ka një imazh jo të mirë në arenën ndërkombëtare.

“Ka qenë dashur të ftohen personalitete, të cilat në vite të tëra kanë qenë akterë që kanë ndihmuar dhe që vendimet e tyre kanë qenë vendimtare për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës. Në këtë aspekt mosardhja e personaliteteve të caktuara lë të kuptohet niveli i respektit që kanë qendrat vendimmarrëse për akterët institucionalë në Kosovë. Pastaj mosardhja e asnjë presidenti që e ushtron detyrën, mosardhja e asnjë kryeministri, përveç atij të Shqipërisë, edhe kjo tregon për një imazh jo të mirë që ka vendi ynë”, ka deklaruar Rugova duke thënë se ky duhet të jetë një mesazh që klasa politike duhet ta ndërrojë konceptin sepse i ka kaluar koha.

Mosardhja e personaliteteve ka qenë e pritshme

Kurse drejtori i ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë se ka qenë e pritshme mosardhja e presidentëve apo e kryeministrave të vendeve të fuqishme.

Në këtë çështje, sipas tij, kanë pasur ndikim edhe tentimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, si dhe bllokimi i çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Ka pasur mjaft aktivitete, protokolli deri diku ka qenë mirë. Sa i përket vizitave të presidentëve edhe më herët kam thënë se edhe për shkak të tendencave në disa procese si ajo për Gjykatën Speciale apo bllokimi i demarkacionit kanë ndikim në vizita. Pra, ka qenë e pritshme që të mos vijnë delegacione në nivel presidentësh apo kryeministrash”, ka theksuar Demhasaj.

Ai ka thënë se në festimin e 10-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë do të duhej të ftoheshin personalitete ndërkombëtare që kanë luajtur rol në çlirimin dhe në pavarësinë e Kosovës.

“Ne nuk e dimë se cila është përbërja e listës që Presidenca i ka ftuar, ndoshta janë ftuar personalitete të rëndësishme por që nuk kanë pranuar të vijnë. Por se a do të duhej të ishin në këtë festë disa prej figurave kyçe që kanë kontribuuar në lirinë dhe në pavarësinë e Kosovës, si ish-presidenti Bill Clinton apo ish-sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, apo Marty Ahtisaari? Por nuk e dimë se a janë ftuar, apo jo. Por patjetër se është dashur që të paktën disa prej tyre të ishin në Kosovë”, ka shtuar Demhasaj.

Alija: Organizimi i jubileut nisi mbrapsht

Rasim Alija, nga instituti “Demokraci për Zhvillim”, ka thënë se aktivitetet për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë që nga fillimi kanë nisur mbrapsht. “Prej logos së huazuar/vjedhur, çështja e flamurit, mungesa e kreativitetit, ndarja e dekoratave e deri te dështimi i protokollit të shtetit kanë reflektuar mungesë të seriozitetit nga institucionet e shtetit.

Pa dyshim që mungesa e përfaqësuesve të lartë të shteteve mike është sinjal jo për kosovarët as mungesë respekti për pavarësinë e shpallur, por sinjal për klasën politike”, ka vlerësuar Alija.

Ai më tej ka thënë se mungesa e përfaqësuesve të personaliteteve që kanë luajtur rol të rëndësishëm në çlirimin dhe në pavarësimin e Kosovës është mbi të gjitha pakënaqësi e tyre ndaj klasës politike kosovare.

“Mungesa e përfaqësuesve të shteteve të cilat kanë luajtur rol vendimtar gjatë fazës para shpalljes së pavarësisë dhe pas shpalljes së pavarësisë mbi të gjitha është pakënaqësi me klasën politike, me mënyrën e tyre të udhëheqjes së shtetit, me pafuqishmërinë e kësaj klase për të qeverisur me standardet demokratike dhe mungesën e vullnetit për ta bërë Kosovën një shtet funksional”, ka përfunduar Alija.