Beteja e Haradinajt për Demarkacionin

Aktuale February 21, 2018 - 07:46

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten do ta kenë para vetes Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi për miratimin e së cilës nevojiten së paku 80 vota të ligjvënësve, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Megjithatë, kalimi i kësaj marrëveshjeje do të varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët ende nuk janë deklaruar zyrtarisht nëse do të votojnë pro apo kundër Demarkacionit.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se seanca do të mbahet të enjten, por nuk ka dashur të komentojë nëse ka arritur t’i sigurojë edhe votat e deputetëve serbë.

Në anën tjetër, deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” janë shprehur se nuk e votojnë një marrëveshje të tillë për dallim nga partia tjetër opozitare LDK, e cila ka premtuar se do ta votojë Demarkacionin, shkruan tutje Zëri

 Haradinaj: Kosova nuk humb territor, të votohet Demarkacioni

Pasi Qeveria miratoi plotësim-ndryshimin e Ligjit për Demarkacionin kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se Marrëveshja e Demarkacionit është në përfundim të finalizimit.

Ai e ritheksoi se seanca për Demarkacionin do të mbahet të enjten, në orën 11:00, teksa ka thënë se deklarata e presidentëve Thaçi e Vujanoviq jep mundësinë e rishikimit të marrëveshjes së nënshkruar mes vendeve

Tutje, Haradinaj ka thënë se raportimi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi ka hapur rrugë që të ecet përpara dhe se me këtë marrëveshje Kosova nuk humb territor.

Teksa është pyetur se a do të ketë rishikim të çështjeve teknike, siç është shprehur Mali i Zi, kryeministri ka thënë: “Sido që ta quajmë, rishikim, korrigjim, neve na vjen mirë që është arritur. Marrëveshja e nënshkruar nga Mali i Zi mban në vete raportimin e Komisionit Shtetëror dhe të presidentëve. Me këtë vërtetojmë se Kosova nuk humb territor”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq është Lista Serbe ajo që po kundërshton votimin pro të kësaj marrëveshjeje pa arritur një konsensus mbi kërkesat e serbëve.

Ata madje në mbledhjen e Qeverisë kanë abstenuar kur është votuar ky projektligji për Marrëveshjen e re të Demarkacionit. I pyetur nëse është arritur që të bindet Lista Serbe për ta votuar Demarkacionin Haradinaj nuk ka dhënë detaje për këtë çështje.

Menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë ka reaguar ambasadori amerikan Greg Delawie, i cili përmes një postimi në “Twitter” u ka bërë thirrje të gjitha partive që t’i thonë “Po” Demarkacionit.

“Kalimi i Marrëveshjes për Demarkacionin është thelbësor për t’ua siguruar mundësinë qytetarëve nga të gjitha komunitetet e Kosovës që të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Gjithkush mund të pajtohet për këtë – unë shpresoj se deputetët nga çdo parti do të votojnë po”, ka shkruar Delawie.

LVV: Jemi unikë për ta kundërshtuar Demarkacionin

Por Tinka Kurti, nga Kryesia e lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë për “Zërin” se qëndrojnë ende unikë sa i përket kundërshtimit të Demarkacionit në Kuvend.

Mirëpo, megjithëse e pyetur nuk ka treguar se a do të kenë ndonjë formë të veçantë të kundërshtimit apo do ta kundërshtojnë vetëm me votë.

“Natyrisht se lëvizja ‘Vetëvendosje’ do të votojë kundër kësaj Marrëveshjeje për Demarkacionin. Versioni i ri për Demarkacionin me Malin e Zi është maskim i marrëveshjes së mëhershme të nënshkruar në Vjenë.

Ne mbështesim raportin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, që drejtohet nga Shpejtim Bulliqi.

Besojmë se edhe deputetë që nuk janë të LVV-së do të votojnë kundër”, ka thënë Kurti.

Ajo tutje tha se “Vetëvendosja” është duke mbledhur nënshkrimet për komision hetimor parlamentar, ku do të shqyrtohet çështja e demarkacionit me Malin e Zi.

I tërë ky proces është përcjellë nga mungesa e plotë e transparencës, nga paqartësitë dhe nga shkeljet e rënda në dëm të territorit.

Andaj Kurti tha se si përgjigje ky proces e meriton kundërshtimin.

Ndërkaq LDK-ja në mbledhjen e fundit të partisë deklaroi se si subjekt politik janë unik për ta votuar demarkacionin kurdo që ai të vijë në Kuvend.

Mushkolaj: Haradinaj mund ta bindë ndonjë nga të dorëhequrit e LVV-së

Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, ka thënë se Qeveria nuk e dërgon Demarkacionin në Kuvend nëse nuk i ka arritur numrin prej 80 votash. Mirëpo siç tha ai Qeveria në këmbim të votave të Listës Serbe domosdo duhet t’ua plotësojë ndonjë kusht pasi çështja ka mbetur në duart e tyre.

“Deri më tash po besoj që kanë arritur një kompromis ose kanë bërë ndonjë lëshim pala jonë sepse ne e dimë që Lista Serbe nuk e jep votën pa marrë diçka dhe me këtë del që demarkacioni që është çështje jona e brendshme vendos Beogradi dhe nuk mund që subjektet politike të merren vesh që t’i bëjnë votat dhe të mos mbesin peng i Listës Serbe”, ka thënë ai.

Mushkolaj tha se Qeveria do të ketë problem në sigurimin e votave të nevojshme, pasi edhe brenda koalicionit qeverisës ka deputetë që kundërshtojnë këtë marrëveshje. Megjithatë ai tha se Haradinaj mund ta bindë ndonjë nga deputetët e dorëhequr të LVV-së.

“Duke pasur parasysh problemet brenda ‘Vetëvendosjes’ mund të ketë edhe aty tentim që të bindet apo të bisedohet me deputetët e dorëhequr. E ndoshta mund të arrihet që ndonjë votë të sigurohet edhe nga ata”.

Ndërsa Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se subjektet shqiptare politike duhet të gjejnë një kompromis që kjo çështje të mos mbetet në duar të Listës Serbe, pasi Qeveria doemos duhet t’ua plotësojë ndonjë kërkesë.

“Do të duhej të kishte një pajtim të subjekteve shqiptare që të mos mbeten peng i Listës Serbe dhe ta çojnë këtë çështje deri në fund. Andaj konsideroj që do të duhej të kishte unitet për t’i bërë votat, mirëpo me gjasë edhe kryeministri, edhe koalicioni do të arrijnë ta bindin Listën Serbe për votat e tyre pasi serbët i kanë kërkesat e tyre”, ka thënë ai.