Hoti: Rama tregoi mosrespekt ndaj kosovarëve kur propozoi President të përbashkët

Hoti: Rama tregoi mosrespekt ndaj kosovarëve kur propozoi President të përbashkët

Aktuale shkurt 18, 2018 - 18:03

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka dalë kundër idesë së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për një president të përbashkët të të dy shteteve.

Hoti ka thënë se kjo është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve.

“Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe NATO”, ka shkruar Hoti, në një reagim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social "Facebook".

Shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka propozuar një President gjithëkombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Këto dy propozime, Rama i ka bërë gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, për nder të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta po pse jo një president simbol të unitetit kombëtarë dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë Rama, në fjalimin e tij.

E ka pranuar se një ide e tillë nuk është e realizueshme tash po ka thënë se edhe dicka që ëndërrohet mund të realizohet.

“Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka shtuar ai.