Sivjet aplikohet për anëtarësim në Këshill të Evropës

Aktuale January 31, 2018 - 08:10

Muaji i ardhshëm (shkurt) është koha më e përshtatshme që Kosova të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kështu ka deklaruar dje zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, i cili tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret lidhur me këtë çështje, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike Hoxhaj bëri të ditur se pas aplikimit anëtarësimi merr kohë më shumë se një vit.

“Ajo çfarë mund të ndodhë në vitin 2018 është që ne ta dërgojmë aplikimin për anëtarësim në Këshill Evropian, ndonëse anëtarësimi është proces. Fillimisht do të duhej ta krijojmë një situatë të dërgimit të aplikimit tonë në KE.

Nëse ne e dërgojmë aplikimin në Këshillin Evropian, atëherë do të mundë të anëtarësohemi në fund të 2019-ës apo në fillim të 2020-ës”, potencoi Hoxhaj.

Ai më tej tha se nuk ka prioritet më të rëndësishëm sesa anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, shrkuan tutje Gazeta 'Zëri'.  

“Është një projekt i dorës së parë dhe deri më tash Republika e Kosovës ka arritur të anëtarësohet në 65-66 organizata në Evropë dhe jashtë Evropës. Anëtarësimi i Kosovës në organizata është edhe zgjerim, por edhe ushtrim i sovranitetit. Ushtrim i sovranitetit është për faktin se kur anëtarësohesh e ke mundësinë që t’ia japësh votën dikujt, por edhe për shkak të beneficioneve që sjell anëtarësimi në organizata”, shtoi ai.

Pas deklarimit rreth aplikimit të Kosovës në KE, Hoxhaj u pyet nga kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, nëse iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale e dëmton ose jo Kosovën në këtë drejtim.

Me këtë rast ai u shpreh i vendosur se një gjë e tillë nuk do të mundë të ndodhë.

“Unë mendoj që është pikërisht koha e përshtatshme të aplikohet. Se cilat mund të jenë qëndrimet e shteteve kyçe mund të debatohet. Ka një momentum i cili mund të shfrytëzohet pavarësisht zhvillimeve në vend”, potencoi Hoxhaj.

Por, Osmani nuk u pajtua me një opinion të tillë. Përkundrazi, Osmani bëri thirrje që të mos aplikohet për anëtarësim në Këshillin Evropian para se nisma e 43 deputetëve për zhbërjen e Speciales (e cila është në Qeveri aktualisht) ta marrë një përfundim.

“Sa i përket nismës për shfuqizim të Speciales kam mendim të kundërt me atë që thoni ju. Ka një nismë nga një numër i deputetëve për ta shfuqizuar një obligim ndërkombëtar. Kjo mund të krijojë mendim se Kosova është kundër atyre që kanë dalë nga Këshilli i Evropës. Prandaj, duhet ta marrim me shumë kujdes përcaktimin e momentit, muajin kur aplikohet, në mënyrë që të mos ndodhë pa marrë epilog kjo iniciativë”, u shpreh ajo.

Për pasojat e mundshme të shfuqizimit të Speciales Hoxhaj u pyet sërish nga Osmani, e disa herë nga anëtari tjetër i komisionit, Dukagjin Gorani. Por, pavarësisht këtyre insistimeve, i dyti i Qeverisë bëri thirrje që të veprohet bashkërisht lidhur me këtë çështje.

“E nesërmja mund të jetë ditë e re. Nuk e di çfarë do të ndodhë me Gjykatën Speciale, por e di se çfarë po ndodh me Këshillin e Evropës. Nuk e di se ku do të mbetet iniciativa e deputetëve, por ejani të dalim me një agjendë se kur mund të dërgohet aplikimi dhe si këtë periudhë ta shfrytëzojmë maksimalisht”, u përgjigj Hoxhaj.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës gjatë raportimit të tij njoftoi se disa shtete të Bashkimit Evropian tashmë kanë pohuar që do ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës në KE.

“Katër shtete anëtare të BE-së kanë konfirmuar që do të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Rusia është suspenduar nga Asambleja Parlamentare nga Këshilli i Evropës. Kjo do të ishte një situatë gjeopolitike e favorshme për Kosovën”, theksoi Hoxhaj.