Sveçla tregon të gjitha prapaskenat e përçarjeve në ‘Vetëvendosje’

Sveçla tregon të gjitha prapaskenat e përçarjeve në ‘Vetëvendosje’

Aktuale janar 12, 2018 - 19:24

Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë që Dardan Molliqaj ka tentuar që t’ia pamundësojë kandidimin për kryetar të Vetëvendosjes Albin Kurtit.

Në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës, Sveçla ka folur për gjendjen aktuale dhe problemeve në Vetëvendosje. Ai ka thënë që në parti nuk ka fraksione, por ka disa të pakënaqur të cilët kanë dhënë dorëheqje nga disa funksione brenda partisë.

Duke folur për grupin e deputetëve dhe aktivistëve që kundërshton Albin Kurtin dhe kandidimin e tij për kryetar, Sveçla ka thënë që ky grup është dashur të ketë sjellje tjetër.

“Ne i kemi ftuar që të kandidojnë për kryetar dhe të maten përmes një procesi të rregullt që e parasheh statuti i partisë. Pse të mos ketë më shumë kandidatë për kryetar? Ka pasur mungesë besimi nga aktivistët tjerë që mund të fitojnë kundër Kurtit, unë besoj që ka aktivistë që janë të denjë për kryetar të VV’së”, tha Sveçla.

“Njëra palë ka dashur ta bllokojë procesin përmes shantazheve. Burimi i problemit në Vetëvendosje kanë qenë mospajtimet mes Molliqajt dhe Kurtit, të tjerat janë edhe interesa personale”, shtoi Sveçla. Madje, Sveçla ka thënë që grupi i të dorëhequrve brenda partisë po ushtron ‘diktat’ pasi po shkel rregullat  dhe statutin e partisë.

Kujtojmë që nga brenda Vetëvendosjes ka shpërthyer në publik një përçarje dhe mospajtim i madh, ku një grup i deputetëve dhe njerëzve të rëndësishëm kanë dhënë dorëheqje nga funksionet brenda partisë.

Sveçla tregon përse s’i doli Kurtit asnjë kundër-kandidat

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka pohuar se mungesa e një kundër-kandidati për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje mund të ketë qenë shkak i mungesës së besimit apo vetëbesimit se ata mund ta fitojnë këtë garë, njofton Klan Kosova.

Sveçla tha se i kanë ftuar të gjithë ata që i plotësojnë kushtet sipas statutit të Lëvizjes Vetëvendosje, që të aplikojnë apo të punojnë që t’i përmbushin ato kushte në mënyrë që të konkurrojnë për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur ndoshta shkaku i mungesës së besimit apo vetëbesimit se mund të fitojnë në këtë garë.

“Nuk ndodhën për shkak se në njërën anë ka mungu besimi, apo vetëbesimi se mund të fitojnë në këtë garë”, tha Sveçla në Info Magazine të Klan Kosovës.

Për më tepër, ai tha se nuk kanë dashur që të krijojnë një fazë të kinse-konkurrencës në Lëvizjen Vetëvendosje apo në këtë garë.

“Nuk kemi dashtë në asnjë mënyrë t’i përngjajmë garës për president të Kosovës, ku edhe kundër-kandidati i presidentit aktual i ftonte deputetët që ta votojnë Hashim Thaçin, dhe jo atë”.

“Ajo ishte një lojë të cilën Lëvizjen Vetëvendosje nuk e pranon”.

Sidoqoftë, Sveçla beson se në këtë subjekt politik ka aktivistë të denjë që të udhëheqin me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Absolutisht unë besoj që në Lëvizjen Vetëvendosje ka aktivistë të cilët janë të denjë në një rast apo tjetër që të udhëheqin me Lëvizjen Vetëvendosje”.

“Tash pse askujt nga ne nuk na e ka marrë mendja që të garojmë me Albin Kurtin, kjo është çështje tjetër pastaj”.

As Albin Kurti nuk është i pazëvendësueshëm

Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se Lëvizja është e sigurt dhe s’mund të ndahet.

Ai ka shtuar se Vetëvendosjes funksionon përkundër dorëheqjeve të fundit dhe problemeve, pasi Lëvizja e ka bazën tek aktivistët e vet dhe jo tek figurat brenda partisë.

Sveçla ka shtuar se askush nuk është i pazëvendësueshëm, madje as vet themeluesi i Lëvizjes, Albin Kurti.

“Nuk bëhet fjalë për ndarje, bëhet fjalë për dalje të ndonjë aktivisti nga Vetëvendosje. Ata janë të pakënaqur dhe nuk e gjejnë vetën aty”.

“Këto problem mund ta ndalojnë rritje e Vetëvendosje, por nuk e dëmtojnë në afat të gjatë. Gjithashtu nuk e pengojnë në funksionim. Askush nuk është i pazëvendësueshëm në Vetëvendosje. Ne bazën kryesore e kemi tek dhjetëra mijëra aktivistë”.

“Edhe Albin Kurti me dhjetëra herë ka qenë i arrestuar dhe Vetëvendosje ka funksionuar edhe kur ai ka qenë i arrestuar, as Albin Kurti, por as dikush tjetër nuk është i pazëvendësueshëm. Këtë e ka thënë edhe vet zotëri Kurti”.